Njërën këmbë në Qeveri, tjetrën te komunat

Ndonëse partitë e koalicionit qeveritar janë të fokusuara drejt konsolidimit të pushtetit qendror, megjithatë brenda strukturave të tyre vëmendje i kushtohet edhe zgjedhjeve lokale të caktuara për më 15 tetor të këtij viti, shkruan gazeta KOHA. Nga ana tjetër, partitë opozitare të kampit maqedonas, me theks të veçantë VMRO e Nikolla Gruevskit, zgjedhjet lokale i sheh si testin kryesor për të vazhduar të rrijë katër vite në opozitë apo nëse do ti fitojnë ato dhe të kërkojnë zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare. Në raport më shqiptarët, VMRO vetëmse ka filluar të zbutë retorikën e saj duke tentuar që në zgjedhjet lokale, ti neutralizojë votat e shqiptarëve drejt LSDM-së. Kjo e fundit mendon që që në disa komuna të kandidojë shqiptarë, ndërsa së fundmi nënkryetar në kuadër të partisë ka zgjedhur deputetin shqiptar Muhamed Zekiri, ndërsa një tjetër në sekretariatin e partisë. LSDM tashmë në pushtet, konkretisht kryeministri Zoran Zaev po tenton që me çdo kusht të rrisë përkrahjen qeveritare, ndërsa të hënën ka pritur në kabinetin e tij kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi. Kohë më parë, me Thaçin pati takim dhe partneri më i madh shqiptar i Zaevit, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Ndonëse në parim, siç kanë deklaruar këta liderë, do të kenë bashkëpunim rreth përkrahjes së Qeverisë lidhur me agjendën reformuese të saj, por koluareve të tyre partiake flitet për një bashkëpunim që mund të kenë BDI-PDSH dhe LSDM në zgjedhjet lokale të radhës. Ndryshe, edhe pse nuk ka ende një qëndrim zyrtare rreth mospajtimeve për eshalonin tretë mes BDI dhe LR-PDSH-së, nga kjo e fundit zyrtarë të lartë partiak janë kritik ndaj afrimit të PDSH-së me BDI dhe LSDM-në. Zyrtarë të LR-PDSH-së thonë së tendencat e kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçi, janë çdoherë sulmet ndaj partive që janë rrezik për BDI-në, ndërsa shtojnë se Thaçi çdoherë ka pasur bashkëpunim të fshehtë me BDI dhe partitë maqedonase. “Ashtu siç bëri me Rufi Osmanin, me Imer Selamin, ashtu bën punë edhe kundër partive që për momentin janë pak më të vogla se BDI, por se në të ardhmen e afërt, do ta mundin edhe këtë parti. U pa puna e tij me BESËN, të cilës ditën ia fali dy deputetë dhe natën mohoi, ndërsa tani duke i ofruar bashkëpunim pa kushte BDI dhe LSDM, qëllimin kryesor e ka të zvogëlojë sa të mundet elektoratin dhe ndikimin e LR-PDSH-së, porse nuk do t’ia arrijë qëllimit”, thonë zyrtarë të lartë të LR-PDSH-së. Në lidhje me bashkëpunim eventual me partitë e koalicionit LSDM dhe BDI, në LR-PDSH thonë se do të shohin së pari ofertat e tyre, ndërsa sa i përket Komunës së Strugës, ku kryetari është i tyre, zyrtarë të LR-PDSH-së thonë se do të kenë kandidat të vetin partiak. “Në Strugë, as që diskutohet se do të dalim me kandidat tonin ashtu si në të gjitha komunat tjera shqiptare. Sa i përket bashkëpunimit më partnerët e koalicionet, të shohim çfarë oferte do të kemi prej tyre – nëse janë në interes të përbashkët të shqiptarëve – pse jo, mund të bashkëpunojmë në forma të ndryshme”, thonë zyrtarë partiak të LR-PDSH-së. Sa i përket bashkëpunimit me Lëvizjen BESA, këta zyrtarë thonë se me këtë parti kanë qenë të gatshëm të bashkëpunojnë edhe për zgjedhjet e fundit parlamentare, por si Kryesi e partisë – as sot nuk e kanë kuptuar se pse BESA ka refuzuar, ndërsa shtojnë se po të kishin koalicion me BESËN, sot do të ishin në pushtet pa BDI-në. “Shpesh e kemi pyetur njëri-tjetrin se vërtetë kemi faj ne që nuk lidhëm koalicion me BESËN? Kemi qenë afër, por s’di pse në fund u tërhoqën. Për zgjedhjet lokale nuk e përjashtojmë koalicionin me BESËN, natyrisht në bazë të barabarta dhe që të ndihmohet të fitohet pushteti lokal nga BDI që ka shumicën tani. Por edhe pa BESËN, ne shpresojmë të korrim fitore në komuna të mëdha shqiptare, sepse nuk shohim që kemi konkurrent serioz në disa prej tyre”, thonë për KOHA zyrtarë të lartë partiak të LR-PDSH-së. Nga ana tjetër, nga BDI deputetë të saj në Parlament thonë se BDI do të garojë e vetme në zgjedhje lokale me pretendimin që ti fitojë ato, por duke mos përjashtuar bashkëpunime me partitë shqiptare. Në raport me LSDM-në, deputetë të BDI-në thonë se aty ku mund të bashkëpunohet – do të japin kontributin e tyre, ndërsa aty ku preket interes i votës shqiptare, nuk kanë pse të bashkëpunojnë me LSDM-në. “Ne do të hymë në zgjedhje lokale për t’i fituar ato ashtu siç i kemi fituar që nga viti 2001 e këndej. BDI ka çka të tregojë për punën e vet për këto katër vite në komunat ku ka qeverisur aty këtu me ndonjë lëshim, por jo me fajin tonë, por më fajin e VMRO-së. Në lidhje më bashkëpunimin me LSDM-në, kur është në pyetje interesi i votës shqiptare, pse jo – mund të bashkëpunojmë, por në rast se nga kjo parti cenohet interesi jonë, nuk kemi përse ta ndihmojmë. Pse jemi në Qeveri kjo s’do të thotë se mund ti gjendemi LSDM-së edhe në lokale, sepse aty BDI e vë interesin kombëtar në rend të parë”, thonë deputetë të BDI-së. Ata nuk deshën të shprehen në pyetjen tonë se nëse afrimi më Thaçin do të thotë largim me ASH, por thanë se bashkëpunim me PDSH-në është vetëm në funksion të agjendës reformuese të Qeverisë së re. Nga Lëvizja BESA thonë se kjo parti tash për tash do të marrë pjesë e vetëm në zgjedhje, ndërsa janë të bindur se e vetme do ti fitojë të gjitha komunat e mëdha në vend. “Mendoj që ende është herët të flasim se me çfarë modeli BESA do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, por tash për tash – Lëvizja BESA do të marrë vetëm pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale. Ne jemi të bindur se BESA do ti fitoj të gjitha komunat më të mëdha në vend. Ende nuk mund të flasim për emra konkret për kandidat të komunave, por mund të themi që do të do të jenë profesionist dhe njerëz të dëshmuar në fushat ku veprojnë”, thanë për KOHA nga departamenti për informim i Lëvizjes BESA.StrugaLajmStrugaLajm

StrugaLajm
In : Aktuale

Loading...
loading...