Nuk është e vërtetë që Kanadaja dhe BE-ja kanë planifikuar luftën në Ukrainë

Nga Admin On Mar 23, 2023

Fakti që Kanadaja ka trajnuar ushtarë ukrainas që nga viti 2015, përbën një plan lufte, siç pretendon në mënyrë të rreme postimi. Lufta në Ukrainë u nis nga Rusia dhe Operacioni UNIFER është një trajnim i ushtrisë kanadeze dhe një mision për të forcuar kapacitetet e forcave të armatosura të Ukrainës, të cilat do ta ndihmojnë atë të mbrojë sovranitetin e saj. UNIFER u krijua në përgjigje të kërkesave të qeverisë ukrainase në vitin 2014, pas revolucionit ukrainas të vitit 2014, aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe ringjalljes së lëvizjeve separatiste në rajonet Donetsk dhe Luhansk.

Po shqyrtojmë një postim të publikuar në rrjetin social Facebook në të cilin shpërndahet një video dhe thuhet:

Çfarë?! Ursula von der Leyen sapo i tha Trudeaut se Kanadaja ka trajnuar ushtarë ukrainas që nga viti 2015?!??????
Kjo tregon se si ata e planifikuan këtë luftë pasi CIA organizoi një grusht shteti në Ukrainë në 2014. Gabimi i saj i dytë me mbi 100,000 ukrainas të vdekur.

Von der Leyen shprehet në video:

Të dy vendet po rrisin mbështetjen për Ukrainën, duke përfshirë mbështetjen tonë ushtarake, sepse ukrainasit kanë shpirt dhe forcë, por ajo që u nevojitet janë armët. BE ka dorëzuar tashmë 12 miliardë euro pajisje ushtarake dhe ne do të vazhdojmë të trajnojmë ushtarët ukrainas, siç keni bërë që nga viti 2015. Synimi ynë është të trajnojmë 30 mijë trupa deri në fund të vitit.

Fakti që Kanadaja ka trajnuar ushtarë ukrainas që nga viti 2015, nuk do të thotë se Kanadaja ose BE-ja “planifikuan luftën” që Rusia po bën në Ukrainë dhe që filloi më 24 shkurt 2022.

Operacioni UNIFER është një mision trajnimi ushtarak kanadez dhe ngritje kapacitetesh në mbështetje të forcave të armatosura të Ukrainës.

Ky operacion filloi në vitin 2015 me kërkesë të qeverisë ukrainase dhe në vitin 2022 u zgjat deri në mars 2025, shkruan në faqen zyrtare të qeverisë së Kanadasë.

Që nga krijimi i UNIFER, Forcat e Armatosura Kanadeze kanë trajnuar më shumë se 35,000 ushtarë dhe personel sigurie ukrainas në taktika dhe aftësi të avancuara ushtarake.

Aspektet e misionit u ndaluan përkohësisht pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, me angazhime për të rifilluar stërvitjen kur ta lejojnë kushtet.

Që nga ajo kohë, trajnimi i vazhdueshëm i rekrutëve ukrainas është në ndërprerje. Kanadaja po merr pjesë në përpjekjet e Britanisë së Madhe për të trajnuar rekrutët për forcat e armatosura të Ukrainës, si dhe inxhinierët dhe anëtarët e ekipit ukrainas në Poloni. Kanadaja mbetet e përkushtuar që të vazhdojë t’i sigurojë Ukrainës pajisjet ushtarake dhe trajnimin që i nevojiten për të mbrojtur sovranitetin, lirinë dhe pavarësinë e saj, thuhet në faqen zyrtare të qeverisë kanadeze.

Sipas të dhënave të publikuara nga qeveria kanadeze, rreth 370 anëtarë të Forcave të Armatosura Kanadeze po marrin pjesë në operacionin UNIFER. Që nga gushti 2022, rreth 170 anëtarë të Forcave të Armatosura Kanadeze janë dërguar në Britaninë e Madhe për të ndihmuar në trajnimin e rekrutëve ukrainas. Që nga tetori 2022, Kanadaja ka dërguar rreth 40 inxhinierë në Poloni për të ndihmuar në trajnimin e anëtarëve ukrainas. Personeli tjetër është i vendosur në Evropë në bashkëpunim me aleatët dhe punojnë në tema të ndryshme duke përfshirë ndihmën ushtarake, donacionet e ardhshme, koordinimin e nevojave stërvitore të forcave ukrainase.

Në Britaninë e Madhe, Forcat e Armatosura Kanadeze po punojnë me aleatët për të trajnuar rekrutët ukrainas në aftësitë ushtarake, trajtimin e armëve, ndihmën e parë, taktikat dhe Ligjin e Konfliktit të Armatosur. Në Poloni, Forcat e Armatosura Kanadeze do të ofrojnë trajnime për aftësitë bazë dhe të avancuara në inxhinieri, përdorimin e eksplozivëve, çminimin dhe aftësitë që lidhen me përdorimin e Leopard 2, shkruan faqja zyrtare e Qeverisë së Kanadasë.

Për të gjitha faktet e mësipërme, gjykojmë se pretendimi në postim se fakti se Kanadaja trajnon ushtarë ukrainas që nga viti 2015, nënkupton një plan lufte, nuk është i vërtetë. Lufta filloi nga Rusia dhe trajnimi nga forcat e armatosura kanadeze dhe ndihma në pajisje ushtarake synon të ndihmojë Ukrainën të mbrojë sovranitetin e saj.

Operacioni UNIFER u krijua në përgjigje të kërkesave të qeverisë së Ukrainës në vitin 2014, pas revolucionit ukrainas të vitit 2014, aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe ringjalljes së lëvizjeve separatiste në rajonet Donetsk dhe Luhansk. Deri në vitin 2022, misioni zhvillohej në Ukrainë përmes një komisioni shumëkombësh që përfshinte Kanadanë, Danimarkën, Lituaninë, Poloninë, Sllovakinë, Suedinë, Ukrainën, Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara.


Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Promovimi i qasjes në lajme të besueshme për të luftuar dezinformatat, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

In : Aktuale

Loading...
loading...