Për çdo vit ikin 175 mjekë

Nga gjithsejtë 220 mjekë të diplomuar vitin e kaluar në tre Fakultetet e Mjekësisë, 173 prej tyre kanë ikur jashtë vendit

Zejnulla VESELI

Shkup, 16 shkurt – Rrogat e ulëta, motivim në rënie i mjekëve nga institucionet shëndetësore , kushtet jo të mira për punë në spitalet dhe klinikat shëndetësore shtetërore, janë arsyet kryesore që një numër i madh mjekëve të specializuar, kryesisht mjekë të rinj, i shtyn të ikin jashtë Maqedonisë dhe profesionin e tyre ta ushtrojnë në vende të ndryshme të Evropës Perëndimore, shkruan gazeta KOHA. Kështu tregojnë të dhënat e fundit të Odës së Mjekëve të Maqedonisë (OMM), sipas të cilave nga gjithsejtë 220 mjekë të diplomuar vitin e kaluar në tre Fakultetet e Mjekësisë, 173 prej tyre kanë ikur jashtë vendit për të ushtruar profesionin. Nga OMM-ja shprehen tepër të brengosur për faktin se nëse institucionet përkatëse dhe Qeveria e Maqedonisë nuk ndërmarrin ndonjë masë konkrete për të mbrojtur mjekët që të mos e lëshojnë Maqedoninë, shumë shpejtë spitalet dhe klinikat do të mbeten pa mjek specialist.
“Nga viti në vit po rritet numri i mjekëve kryesisht i moshës së re të cilët pasi mbarojnë fakultetin e mjekësisë e lëshojnë vendin dhe largohen për punë jashtë shtetit. Nëse kjo gjendje nuk gjen përmirësim dhe shteti vazhdon të mos respektojë dhe mbrojë mjekët e rinj, pas tre vitesh Maqedonia do të përballet me mungesë të theksuar të kuadrit mjekësor”, thonë nga OMM. Nuk është vetëm aspekti financiar i cili i shtyn mjekët e rinj të ikin nga Maqedonia, por edhe zhgënjimi i tyre nga autoritetet shëndetësore që aspak nuk respektojnë punën e mjekëve.
“Është më se e vërtet se arsyeja kryesore që i shtyn mjekët të ikin në vendet e Evropës Perëndimore janë rrogat drastike më të mëdha, kushtet më të mira për punë dhe jetë, si dhe avancimi në profesion. Ky trend i ikjes së mjekëve për shkaqe ekzistenciale në shikim të parë shihet si një proces pozitiv, sepse vendet ekonomike të zhvilluara në Evropën Perëndimore ju ofrojnë kushte më të mira për kualifikimin e kuadrove shëndetësorë, por në anën tjetër sistemi shëndetësor në Maqedoni në të ardhmen edhe më shumë do të ballafaqohet me mungesë serioze të specialistëve”, thonë nga OMM-ja.
Si arsye tjetër që mjekët e rinj marrin vendime të ikin jashtë, menjëherë pasi diplomojnë në fakultetet e mjekësisë, janë edhe mos subvencionimi i tyre për të kryer specializime në ndonjë vend të Evropës nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.
Shumica e tyre me vetëfinancim e lëshojnë Maqedoninë dhe vazhdojnë specializimet jashtë vendit. Pas kryerjes së specializimit, numër më i madh i këtyre mjekëve nuk kthehen më në Maqedoni.
“Presim një largim të madh të potencialit mjekësore, dhe sidomos të rinjve. Deri në vitin 2020, ka shumë mjekë të cilët do ta përfundojnë karrierën e tyre dhe ne nuk kemi as për së afërmi kuadër për ti zëvendësuar ata, si dhe as në horizont nuk duken kuadro të reja që ti zëvendësojnë kuadrot vjetra që tre vitet e ardhshme shkojnë në pension. Maqedonia ka gjasa të mbetet pa mjekë specialistë. Për dy vjet, më shumë se dy mijë mjekë specialistë do të dalin në pension, por nuk do të ketë kush t’i zëvendësoj, sepse specialistët e rinj, për shkak të pagave të ulëta, po ikin jashtë vendit. Ata që mbeten janë të paktë, dhe aq më i vogël është numri i atyre që mund ti zëvendësojnë”, thonë nga Oda e Mjekëve të Maqedonisë.
Edhe nga dekanati i Fakultetit të Mjekësisë në Shkup për gazetën “Koha” thonë se fajin për ikjen e mjekëve të rinj jashtë vendit e kanë politikat e gabuara që udhëhiqeshin gati pesë vitet e fundit. “Profesioni si mjek është shumë i nënçmuar nga ana e shtetit sa numri më i madh i mjekëve të rinj si dhe kuadri profesional nuk duan të punojnë në sistemin shëndetësor në Maqedoni. Arsyet tani më janë të njohura, politikat shëndetësore të pushtetit të deritanishëm solli që një numër i madh i tyre të mos pajtohen të punojnë në Maqedoni. Rrogat e ulëta kushtet në të cilat po punojnë mjekët në Maqedoni nuk ekzistojnë as në Ballkan apo vend tjetër. Arsyet ekonomike luajnë rol kyç që i shtyn mjekët e rinj të ikin jashtë Maqedonisë”, thotë për KOHA, Stevo Panev nga dekanati i Fakultetit të Mjekësisë në Shkup.StrugaLajm

Sipas tij në klinikat e të gjithë vendit aktualisht punojnë rreth 700 specializantë aktiv. Por, dy të tretat e tyre nuk marrin asnjë pagë. “Shteti po i demotivon jo vetëm mjekët e rinj, por edhe ta të cilët kanë përvojë të gjatë si mjek që të qëndrojnë në Maqedoni dhe shpëtimin e kërkojnë jashtë vendit. Dëmi që pëson sistemi shëndetësor me ikjen e kudarit profesional shëndetësor , është i madh, ndërsa çmimin do e paguajnë qytetarët”,thotë Stevo Panev. Ndryshe sipas të dhënave nga Oda e Mjekëve të Maqedonisë, vitin e kaluar 170 mjekë specialistë kanë marrë vërtetime për punë jashtë shtetit, kurse në tre vitet e fundit janë larguar 513 sish. Nga viti 2013, deri tani, 810 mjekë specialistë kanë marrë vërtetimin për punë jashtë shtetit. Në nivel vjetor, ky numër rritet nga 140 deri 172 mjekë specialistë.StrugaLajm

IKIN EDHE INFERMIERËT

Nuk janë vetëm mjekët e diplomuar që ikin nga Maqedoni, por viteve të fundit në masë të madhe po ikin edhe infermierët. Nga Shoqata e Infermierëve të Maqedonisë, thonë se ka disa arsye se pse personeli mjekësor apo infermierët nuk duan të punojnë në spitalet dhe klinikat shtetërore. “Shumë nga infermieret, të cilat kanë mbaruar shkollimin e mesëm profesional, përcaktohen për profesione të cilat paguhen më mirë dhe ku mund të krijojnë karrierë akademike. Asnjë infermiere nuk dëshiron të punoj në institucionet shtetërore ku me vite punojnë si vullnetare dhe gjatë kësaj kohe nuk paguhen apo kur atyre u ofrohet vendi i punës shumica prej tyre nuk e pranojnë ofertën për rrogë prej 12.000 denarëve në muaj. Pesha e punës dhe puna me ndërrime është gjithashtu një nga arsyet për mungesën e infermiereve tek ne, nëse merret parasysh fakti se shumica nga të punësuarit janë gra, të cilat kanë rol kyç në familje. Me liberalizimin e vizave, shumë infermiere nga Maqedonia vendosën karrierën e tyre profesionale ta vazhdojnë në vendet e zhvilluara evropiane, ku gjithsesi motiv janë të ardhurat mujore, por dhe zhvillimi i karrierës dhe mundësia për përvetësim më të lartë të arsimimit në magjistraturë apo doktor në infermieri”, thonë nga Shoqata e Infermiereve të Maqedonisë. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...