PËR PARATË (NUK) FLITET. Të gjithë synojnë Gjermaninë

Revista gjermane “Di Velt” ka përpiluar edhe listën e profesioneve që nuk mund të paramendohen pa punëtorët e huaj. Në industrinë e mishit, bie fjala, sipas analizës së kësaj reviste bile 40 për qind e punëtorëve janë të huaj, ndërsa në sektorin e prodhimit të artikujve ushqimor 37 për qind e punëtorëve janë të huaj

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 27 janar – Pagat në Gjermani varen nga kualifikimet profesionale, si dhe kërkesa dhe oferta në tregun e punës, ku në disa profesione, të punësuarit fitojnë më shumë, ndërsa në disa të tjera , punëtorët fitojnë më pak .Në mesatare pagat lëvizin prej 1400 deri 4000 euro, edhe pse shpesh fitohet edhe më shumë në varësi prej punës shtesë, profesioneve specifike, apo punës për ditët së shtunës apo së dielës, shkruan gazeta KOHA. Njëherësh edhe në Gjermani funksionon puna në të zezë , sidomos në ndërtimtari ku lartësia e pagave varet nga më shumë faktorë ku ndodh që për një muaj në një kantier ndërtimi të fitohet prej 1800 deri 2300 euro në muaj, ndërsa mjeshtrit e vërtetë fitojnë edhe 2500 deri 3000 euro. Nga ana tjetër, sipas analizës së portalit bavarez Merkur, paga mesatare bruto për të punësuarit me orar të plotë të punës është 2.860 euro, ndërsa paga mesatare neto pas pagesës së tatimeve është 1.890 euro. Njëherazi sipas statistikës zyrtare gjermane meshkujt fitojnë për 22 për qind më shumë se femrat, apo meshkujt fitojnë 3960 euro bruto, ndërsa femrat fitojnë 3330 euro bruto.

Gjithashtu, lartësia e pagës në ekonominë më të fuqishme evropiane dallohet edhe sipas krahinave të ndryshme ku për shembull në Hesen janë pagat për afër 13 për qind më të lata nga mesatarja gjermane, në Baden-Virtemebrg janë për dhjetë dhe në Bajern janë për 6.4 për qind më të larta se niveli mesatar në shtet. Me fjalë të tjera, pagat më të larta mesatare fitohen në Shtutgart, Munih, Diseldorf dhe Hamburg, ndërsa pagat më të ulëta fitohen në Lajpcig, Dresden, Duisburg etj. Gjithashtu nuk duhet harruar se në vendbanimet me paga më të larta shpesh edhe harxhimet e mëdha të jetesës e ulin vlerën e pagës ku për shembull nëse në Shtutgart apo Minhen një banesë katër dhomëshe mund të paguhet edhe 2000 euro në muaj, në Potsdam me paga më të ulëta, e njëjta banesë paguhet 700 euro. Nga ana tjetër një banesë dy dhomëshe në Berlin kushton 1000 euro në muaj. Shpesh për të arritur deri tek vendi i punës udhëtohet me kilometra të tëra nga periferia ku jetojnë ballkanasit . Në periferinë e Nirbergut një banesë prej afër 80 metra katror kushton së paku 500 euro duke mos llogaritur komunalet, ndërsa një banesë e ngjashme në Hesen afër Frankfurtit kushton së paku 1200 euro. Mërgimtarët nga Ballkani Perëndimor nga ana tjetër shpesh punojnë edhe punët për të cilët nuk ka interesim nga punëtorët vendor siç janë punët e ndryshme të zanateve, në hotelieri, fabrika , shëndetësi etj ku pagat e tyre në mesatare lëvizin prej pagës minimale që është 1400 euro dhe deri më 2500 euro. Nga ana tjetër, punëtorët me kualifikime të larta si mjekët apo programuesit punojnë në mesatar për 4000 deri 5000 euro tregojnë të dhënat statistikore gjermane.

Muratorët fitojnë 8 deri 9 euro në orë me pagesën e akomodimit dhe transportit deri në vendin e punës, ndërsa salduesit paguhen 3000 euro në muaj së bashku me akomodimin dhe drekën e paguar, punëtori në fabrikë paguhet 2400 euro në muaj së bashku me akomodimin e siguruar , ndërsa vozitësi i kamionit merr 3000 euro në muaj. Berberët paguhen 1500 deri 2000 euro në muaj, ndërsa punëtorët në ferma paguhen prej 1300 deri 5000 euro së bashku me ushqimin dhe akomodimin. Mjekët në mesatar paguhen nga 4000 euro në muaj me përkrahje për trajnimet e ndryshme , ndërsa kanë edhe mundësi të avancimit në pagë dhe në statusin e tyre profesional. Motrat medicinale nga Ballkani falë përvojës së tyre dhe aftësive profesionale mjaft kërkohen në Gjermani dhe paguhen 2300 euro në muaj, ndërsa shpesh edhe spitalet falas ndihmojnë kurset e gjuhës. Përkujdesja për personat e vjetër paguhet 1800 euro në muaj. Ndryshe, për dallim prej “tabiatit”ballkanas që dëshiron të di rrogën e tjetrit , nëse në Gjermani dëshironi të nisni bisedën për lartësinë e pagave me gjermanët , nuk është çudi që mund t’ju ndodh t’ju thonë thënien e njohur “për paratë nuk flitet” (über Geld spricht man nicht”).StrugaLajm

VARËSIA NGA PUNËTORËT E HUAJ

Revista gjermane “Di Velt” ka përpiluar edhe listën e profesioneve që nuk mund të paramendohen pa punëtorët e huaj. Në industrinë e mishit sipas analizës së kësaj reviste bile 40 për qind e punëtorëve janë të huaj, ndërsa në sektorin e prodhimit të artikujve ushqimor 37 për qind e punëtorëve janë të huaj. Gjithashtu në industrinë e betonit janë të angazhuar 34 për qind e të huajve. Gastronomia dhe sektori i pastrimit dhe higjienës kanë të angazhuar nga 30 për qind të punëtorëve të huaj. Edhe bujqësia dhe ndërtimtaria nuk mund të paramendohen pa të huajt dhe angazhon 29 për qind të fuqisë punëtore nga jashtë.

In : Aktuale

Loading...
loading...