Për tetë vjet, mbi 15 mijë divorce

Gjatë tetë viteve të fundit, në Maqedoni kanë ndodhur 112.985 martesa, ndërsa po në këtë periudhë – 15.117 martesa kanë dështuar. Këto janë të dhënat të cilat i ka grumbulluar gazeta KOHA nga periudha prej vitit 2009 deri në vitin 2016 e që ka konsultuar të dhënat zyrtare të Entit Shtetërorë për Statistikë (ESHS). Sociologu Rezak Jakupi, profesor universitar në Kolegjin ISPE në Prishtinë dhe profesor i sociologjisë në gjimnazin e Gostivarit, thotë se shtimi i divorceve, në kushtet e një shoqërie moderne, konsiderohet si dukuri sociale me përmasa universale dhe pasoja tepër të rënda për shoqërinë. I cilësuar në disa raste si zgjidhja e vetme për një familje jofunksionale nga një martesë e dështuar, Jakupi thotë se divorci pranohet botërisht se është shkatërrimi përfundimtar i një lidhjeje martesore me pasoja negative për çiftin, por mbi të gjitha për fëmijët.

“Ndër shkaqet më të rëndësishme që zakonisht në territoret ku jetojmë ne dhe në rajon më gjerë – janë rrethanat ekonomike, përshpejtimi i dinamikës së jetës të përditshme, mungesa e pavarësisë së vetë personave që vendosin të jetojnë së bashku apo të lidhin martesë, mos ekuilibrimi i asaj se martesa është një përgjegjësi e madhe, ku njëkohësisht edhe divorci ka pasojat e veta. Shpeshherë në këto rrethana, kjo dukuri po merr përmasa shqetësuese në këto territore, veçanërisht duket sikur na ka gjetur të papërgatitur, sepse edhe vet struktura dhe veprimi i vetë familjes ndryshon ashtu që – nëse bëjmë një diferencë midis asaj se ku është numri më i madh i divorceve, normal që dinamika e jetës është më e madhe në qytete, derisa në vendet rurale – ende si faktor ndikon ai tradicionalizmi dhe kjo dukuri më pak në numër shfaqet atje”, sqaron për KOHA, Jakupi.

Edhe pse divorci ekziston që me paraqitjen e martesës në shoqërinë e parë skllavopronare, Jakupi vlerëson se kohën e fundit – gjatë zhvillimit të historisë, kanë ndryshuar kushtet dhe tani gjatë globalizmit – ndër shkaqet kryesore dhe moderne të kohës për ndarjet mes çifteve janë interneti dhe rrjetet sociale.

“Ndër shkaqet më të reja, të themi se edhe kjo ndodhë, por kjo është një pasojë e asaj se të rinjtë nuk e konsumojnë internetin dhe rrjetet sociale për atë çka janë të dobishme, por me siguri për kësisoj ahengjesh dhe flirtesh të thosha unë në këtë aspekt dhe pohimi juaj mban, sepse një flirt është flirt i momentit, mirëpo pasojat janë shumë të mëdha dhe çdoherë parashtrohet pyetja se cilat janë ato pasoja, kush pëson edhe nga flirtet edhe nga divorci edhe nga keqkuptimet në familje? Kuptohet se viktima janë fëmijët. Në këndvështrimin tim, do të thosha se duhet një shkallë riedukuese para hyrjes një martesë për të kuptuar këtë proces si një proces mjaft të rëndësishëm e delikat dhe jo aq të lehtë, sepse përveç qëllimit primar të reproduksionit, ai ka edhe funksione tjera si hyrja në martesë! Dhe, nëse ti nuk je emocionalisht dhe ekonomikisht i gatshëm, atëherë është gjë normale që më shpejtë mund të vij deri tek divorci”, thotë Jakupi.StrugaLajm

Tetë vitet e fundit, respektivisht prej vitit 2009 deri në vitin 2016 – bazuar statistikat e ESHS-së, secilin vit kanë ndodhur prej mbi 1000 deri 2200 ndarje apo divorce. Sipas po këtyre të dhënave, numri i kurorëzimeve në vitin 2009 në krahasim me vitin 2008 është rritur për 1.6 për qind, dhe ka qenë 14.923. Në vitin 2009 ka pasur më shumë rritje të numrit të divorceve. Ky numër në 2009 ka shënuar rritje për 6.5% në krahasim me vitin 2008, dhe gjatë vitit 2009 janë divorcuar 1278 çifte. Numri i kurorëzimeve në vitin 2010, në krahasim me vitin 2009 është zvogëluar për 5.1 për qind, dhe ka qenë 14.155 çifte të kurorëzuara. Po këtë vit është rritur edhe numri i ndarjeve. Numri i divorceve në 2010 ka qenë 1720 çifte. Numri i kurorëzimeve në vitin 2011, në krahasim me vitin 2010 është rritur për 4.1 për qind, dhe ka qenë 14.736 çifte të kurorëzuara, ndërsa numri i divorceve ka shënuar rritje për 1.9 për qind në krahasim me vitin 2010, ose 1753 çifte të divorcuara. Në vitin 2012, në krahasim me vitin 2011, numri i kurorëzimeve është zvogëluar për 5.1 për qind, dhe ka qenë 13.991 çifte, derisa është rritur numri i ndarjeve – ose rritje për 9.9 për në krahasim me vitin 2011 (1926 çifte). Sipas të dhënave të Entit shtetëror për statistikë, numri i kurorëzimeve në 2013, në krahasim me vitin 2012 është zvogëluar për 0.1 për qind, dhe ka qenë 13.982 çifte të kurorëzuara, derisa numri i divorceve në 2013 ka shënuar rritje për 6.2 për qind në krahasim me vitin 2012 (2045 çifte). Numri i kurorëzimeve në vitin 2014, në krahasim me vitin 2013 është zvogëluar për 1.2 për qind, dhe ka qenë 13.813 çifte të kurorëzuara, ndërsa numri i divorceve ka shënuar rritje për 8.1 për qind në krahasim me vitin 2013 (2210 çifte). Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistikë, numri i kurorëzimeve në vitin 2015 në krahasim me vitin 2014 është rritur për 2.7 për qind, dhe ka qenë 14.186 çifte të kurorëzuara. Në këtë viti është ulur numri i ndarjeve. Numri i divorceve në 2015 ka shënuar rënie për 0.5 për qind në krahasim me vitin 2014 (2200 çifte të divorcuara). Numri i kurorëzimeve vitin e kaluar krahasuar me vitin 2015 është ulur për 7.0 për qind, dhe ka qenë 13.199 çifte të kurorëzuara. Vjet, numri i divorceve ka shënuar rënie për 9.8 për qind krahasuar me vitin 2015 (1985 çifte). (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...