Peshk me “kursim” në Ohër, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nënshkruajnë marrëveshjen

Në liqenin e Prespës dhe të Ohrit nuk do të lejohet peshkimi i pakontrolluar. Për këtë qëllim mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është nënshkruar një marrëveshje e përbashkët.

Pas shqetësimeve të banorëve në të dy anët e liqenit të Ohrit dhe të Prespës së Madhe , qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Maqedonisë së Veriut kanë nënshkruar marrëveshjen e menaxhimit të përbashkët të peshkimit.

Në këtë mënyrë ekosistemi do të konsiderohet si një e tërë, duke ndalur abuzimin ç’ka jep ndikim të menjëhershëm.

Peshqit dhe fauna peshkore nuk kanë as pasaportë, as kufij. Sot ne do të fillojmë ta konsiderojmë si një të tërë ekosistemin e Ohrit dhe Prespës së Madhe dhe do fillojmë të ngremë struktura për ta menaxhuar si një të tërë, pa kufij pa barriera. Sepse kur ne në Shqipëri hedhim rasat korani siç hodhëm këtë vit 1.6 milionë, ato nuk i takojnë Shqipërisë, por i takojnë ekosistemit të Ohrit.  Marrëveshja e sotme është e një rëndësie të veçantë sepse tenton të disiplinojë peshkimin në dy asete natyrore fantastike të mbarë Europës”, ka thënë Blendi Çuçi.

Ministri i Buqësisë së Maqedonisë së Veriut, Arjanit Hoxha premtoi se do të ketë edhe marrëveshje të tjera në fushën e bujqësisë.

Do të kemi edhe marrëveshje të tjera në fushën e bujqësisë dhe menaxhimeve të përbashkëta. Kjo që nënshkruam në Strugë është edhe në frymën e asaj që Kryeministrat e të dy vendeve kanë diskutuar për hapjen e një Minishengeni ballkanik, që i paraprin integrimit tonë në Bashkimin Europian.

Pas miratimit të kësaj marrëveshjeje do të krijohet një Komitet i përbashkët për peshkimin në Liqenin e Ohrit dhe Prespës së Madhe vendimet e te cilit nuk do të kenë efekt detyrues, por secila palë duhet të zbatojë rekomandimet e tij nëpërmjet mekanizmave ligjorë të parashikuar dhe të zbatueshëm përmes akteve rregullatore kombëtare. 

In : Aktuale

Loading...
loading...