PJESËMARRJA NË PUSHTET

Të gjithë e dinin (por të gjithë heshtnin) se edhe ata pak shqiptarë që ishin në poste drejtuese kishin individë-hije që kontrollonin çdo veprim të tyre. Pra, nuk kishin pavarësi në punën e përditshme, që rreptësishtë kontrollohej. Të gjitha këto i shërbenin vetëm arsyetimit të pjesëmarrjes në pushtet, që në shumë raste u tregua se ishte pjesëmarrje e dhunshme, pjesëmarrje inati, pjesëmarrje për interesa klanore, kurse në fakt, ishte hapi i parë i defaktorizimit të vetëdijshëm të subjekteve shqiptare, që asnjëherë palës maqedonase nuk i kishin qëndruar përballë me ndonjë letër, që do të shndërrohej në dokument veprimi. Përkundrazi, që në hapin e parë dokumenti i tyre i vetëm ishte rabushi.
Ndaj, në vend që shqiptarët të kenë rol të rëndësishëm në aparatin shtetëror, ata në fakt kishin marrë rolin e figurantëve, pra të figurantëve që nuk flasin, por vetëm lëvizin, duke u bërë pjesë e një kallaballëku të parëndësishëm të quajtur multi-etnik, por që përdorej si një kozmetikë e shkëlqyeshme në demonstrimin e vlerave demokratike, qytetëruese dhe njëkohësisht për t’i bindur edhe vetë shqiptarët se ata janë të përfaqësuar në të gjitha segmentet vitale të funksionimit të aparatit shtetëror. Shqiptarët, fatkeqësisht, shërbyen vetëm si numra në llogaritjen e përqindjeve të përfaqësimit të tyre, që zakonisht i nevojitej vetëm subjektit shqiptar në qeveri për të pasur alibi në arsyetimin e qëndrimit në pushtet.
Dyshimi permanent ndaj shqiptarëve ishte një lloj lajtmotivi që përshkonte tërë administratën shtetërore dhe të gjitha nivelet ku, sa për sy e faqe, ishin të përfaqësuar shqiptarët. Dyshimi ndaj shqiptarëve ishte (dhe është) një kod i pazbërthyeshëm, edhe atë me vetë fajin e shqiptarëve, sepse asnjëherë nuk ishte shtruar si problem, si diçka që duhet trajtuar në formën: “ose do të jetë kështu ose ndryshe s’bën”.
Kjo, gjithsesi kishte të bëjë me filozofinë e mjerë: më mirë pak se aspak. Në të vërtetë, në atë kënaqësi me pak, askush nuk e çante kokën për marrjen e rolit të figurantit. Çdo kritikë në adresë të pushtetit, pasohej me një kundërkritikë bombarduese që i jepte forcë mbajtjes vertikalisht efektit dehës. Argumenti i qëndrueshëm dhe i justifikueshëm nuk kishte vlerë, sepse kundër një kritike të argumentuar sajoheshin dhjetëra kundër-argumente me elemente që ndërlidheshin me fatin e popullit.
Ndaj çdo alternative apo ndaj çdo mendimi ndryshe, do të aktivizohen larot që ua “huazonin” penat atyre që pritnin radhë për t’u faktorizuar nëpër mediume të ndryshme. Mjaftonte t’i thureshin lavde shefit, prapa të cilit zakonisht fshiheshin të gjitha dështimet. Në fakt, alternativa dhe mendimi ndryshe, do të imponojë nevojën e sajimit të komploteve, në të cilat do të involvohen shërbime te ndryshme sekrete. Subjektet në pushtet, si bartës të flamujve të atyre komploteve, me këtë qartë tregonin se frika nga ndryshimi dhe partitë e reja, tashmë ishte bërë reale, ndaj dhe duhej përgatitur një atmosferë që do ta zbehte shpresë për ndryshimin që pritej në heshtje.
Sajuesit e manipulimeve dilnin në sipërfaqe dhe sakaq mjegullonin gjithçka që nuk i shkonte për shtati partisë në pushtet. Pra, kritika nuk kishte vend në ambientin që pretendohej të jetë demokratik. Thjeshtë ngulfatej. Lakenjtë dhe servilët mundoheshin ta bindnin opinionin se “përfaqësuesit shqiptarë në pushtet janë të pagabueshëm, kurse të tjerët duhet të heshtin”.
Por, koston e një atmosfere të tillë të turbullt e paguanin shqiptarët, roli i të cilëve u minimizua në përmasa ekstreme. Fatkeqësia bëhej edhe më madhe kur të kihet parasysh fakti se në një atmosferë të tillë të turbullt, faktori politik shqiptar në pushtet vazhdonte ta thellojë hendekun e ndasisë, gjë që ishte e mjaftueshme për palën maqedonase që ta mbajë anash (faktorin politik shqiptar) jo vetëm në vendim-marrje, por edhe në projektet e shumta që eliminojnë politikën, historinë e kulturën tonë. Shqiptarët arritën në stadin më të lartë të hutesës pikërisht me kontributin e tyre. Pra, u bënë e keqja e vetvetes. Ndërkaq, hutesa, sipas një interpretimi logjik, është e barasvlershme me pasivitetin. Më nuk ndihmonte edhe aktrimi i herëpashershëm, sepse ishte sipërfaqësor dhe mbi të gjitha i tejdukshëm. Kontribuuesit e kësaj injorance ishin pikërisht ata që kishin arritur ta mjegullojnë atmosferën dhe që pritnin momentin që sërish të dalin dhe të notojnë në ujërat e politikës, duke u paraqitur si shpëtimtarë të shqiptarëve, të cilët pothuaj ishin fundosur në baltën e rërës. Dhe, çfarë kënaqësie kishin ndjerë ata që fitoren ua jepnin humbësit e pafajshëm!
Zgjimi i vetëdijes së fjetur shqiptare dukej si një proces i dhimbshëm. Duhej shpresuar se veprimet dramatike do t’u jepnin forcë që të vërtetën ta shikonin në sy dhe se do të përcaktoheshin për një alternativë që nuk do të ishte e çastit, por e përhershme. Këtë do të duhej ta përcaktonte edhe vetëdija dhe ndërgjegjja e përfaqësuesve të shqiptarëve, të cilët do të duhej kishin vetëm një alternativë: t’i kthehen interesit të popullit dhe t’i lënë pas interesat personale dhe grupore.
Lufta e ardhshme e subjekteve politike shqiptare, e organizatave joqeveritare, e inteligjencies së frikësuar do të duhet të jetë luftë për ngjalljen e shpresave të popullit, për kthimin e besimit, optimizmit. Duhet të marrë fund funksionimi i klaneve, i grupeve të caktuara, duhet të marrë fund mentaliteti provincial, bajraktarizmi, duhet demaskuar përfituesit që keqpërdorin emocionet e popullit, si dhe spiunët e shumtë që janë përpunuar nga shërbimet sekrete. Shqiptarët s’do të humbim asgjë nëse ia fillojmë nga pika zero. Duhet të merret qëndrim i prerë: në të ardhmen, çdo koalicion ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve, do të duhet ta ketë çmimin e vet. Duhet të bindet pala maqedonase se shqiptarët më nuk do të jenë dekor i qeverisë dhe justifikim para ndërkombëtarëve, të cilët do të duhet të binden se shqiptarët asnjëherë nuk kanë hezituar që problemet t’i zgjedhin në mënyrë institucionale. Por, gjithashtu, të gjithë duhet ta dinë se politika institucionale humb kuptimin kur në vendimmarrje vazhdimisht je i mbivotuar (një vlerë absurde e demokracisë ballkanike) dhe, natyrisht, nuk duhet që vazhdimisht konstruktiviteti të kërkohet vetëm nga shqiptarët.StrugaLajm

(Nga libri “Manipulimi i emocionit apo tranzicioni (shqiptar) në labirint”, Bptpo Logos a, Shkup)StrugaLajm


Loading...
loading...