Po vjen rryma e lirë në Maqedoni
Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe Ministrja e Energjisë e Republikës së Bullgarisë Temenuzhka Petkova, sot në Sofje, prani të kryeministrave të të dy vendeve Zoran Zaev dhe Bojko Borisov nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit mes dy ministrive për bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë.
“Një nga qëllimet e kësaj iniciative është që vendi ynë të kyqet në tregun e brendshëm të energjisë elektrike në Evropën Juglindore, në mënyrë që pjesëmarrësve të tregut tu ofrohen mundësi të reja biznesi për tregtinë ndërkufitare, me qëllim që të arrihet efikasitet, çmime konkurruese dhe standarde më të larta të shërbimeve”, tha Ministri Bekteshi pas nënshkrimit, duke shtuar se kjo do të kontribuojë më tej në thellimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh në sektorin e energjisë në mes të dy vendeve, dhe do të lehtësojë integrimin, veçanërisht në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, siç kërkohet nga Karta e Rajonit të Ballkanit Perëndimor 6.
Ky memorandum, siç u shpjegua pas nënshkrimit, është rezultat i liberalizimit që u sigurua përmes zgjidhjeve të reja ligjore për energjinë në Republikën e Maqedonisë, si dhe klima e favorshme e miqësisë dhe mbështetjes së ndërsjelltë që rrjedh nga Traktati i Miqësisë dhe i Fqinjësisë ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë.
Bekteshi theksoi disa efekte pozitive nga bashkimit përmes sitemit ‘një ditë para’ me energji elektrike: ‘Përpos kyçjes së vendit tonë në tregun e brendshëm të energjisë elektrike në Evropën Juglindore, operatorët e sistemit të transmisionit do të rrisin kapacitetin për transmetimin ndërkufitar në rajon duke ndërtuar linja të reja, ndërsa autoritetet kombëtare rregullatore do të harmonizojnë kuadrin rregullator për integrimin e tregut. Si rezultat i kësaj, për të rritur besueshmërinë në furnizimin me energji elektrike si një çështje kyçe për funksionimin e suksesshëm të rrjetit elektrik në rast të situatave operacionale që vështirë se mund të parashikohen’.
Sipas Bekteshit dhe Petkovës, të dyja palët do të finalizojnë të gjitha marrëveshjet e nevojshme për zbatimin në kohë të bashkimit të tregut midis Maqedonisë dhe Bullgarisë në kornizën kohore të propozuar, në tremujorin e dytë të vitit 2019.