Profesorja e njohur nga Struga,Ajtene Qamili:Jemi në fazë të diplomomanisë, masteromanisë…

Ajtene Qamili, lindur më 3 shkurt 1979 në Strugë, Maqedoni, tetëvjeçaren e kreu në vendlindje, në Shk. F. “Vëllezërit Milladinovë”, në vitin 1993. Gjatë shkollimit ka marrë shpërblime të ndryshme të nivelit lokal si dhe regjional. Ku edhe veçon çmimin e konkursit republikan për krijime letrare, “Poezia më e mirë për nënën” në mars të vitit 1991 të ditores “Flaka e vëllazërimit”. Gjimnazin e përgjithshëm e kreu në Sh.A.M. “Niko Nestor” në Strugë më 1997. Ndërsa, nga fushat e tjera veçohen çmimet: “Nxënës me inteligjenca të larta” dhe vendi i tretë në garat republikane “Hulumtuesit e rinj” të R. së Maqedonisë, mbajtur në maj 1994 në Strumicë. Diplomoi në Fakultetin e Filologjisë “Bllazhe Koneski” në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Shkup në vitin 2001. Gjatë studimeve fitoi çmimet “Studentja më e mirë e fakultetit”, “Krenaria e Këshillit të Studentëve të Fakultetit të Filologjisë” dhe ”Studenti/ja me mesatare më të lartë” nga ShSShM “Fan Stilian Noli”, kurse nga rektorati i Universitetit “ Shën. Kirili dhe Metodi” – Shkup u shpall si “Studentja me mesatare më të lartë i diplomuar në vitin 2001/02” me ç’rast u shpërblye me medalje të artë. Në shtator të vitit 2003 përfundoi studimet pasuniversitare me mesataren më të lartë. Prej vitit 2002 u angazhua si demonstratore në Fakultetin e Filologjisë të Shkupit, në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare, pastaj si asistente e re, asistente, docente dhe tash si profesor inordinar. Magjistroi në vitin 2008 me temën: “Variantet sociale të të folmeve shqipe të rrethit të Strugës dhe interferenca ndërgjuhësore (te monolinguistët, bilinguistët dhe multilinguistët)”, kurse doktoroi më 2011 me tezën “Të folmet shqipe të qarkut të Strugës (në kontekst ballkanik)”. Ka qenë e përfshirë në shumë lëndë, qoftë si asistente e më pas si profesoreshë, si: Histori e gjuhës shqipe, Gjuhësi shqiptare, Historia e albanologjisë, Drejtshkrim dhe drejtshqiptim i gjuhës shqipe, Praktikum në gjuhën shqipe, Përkthim nga maqedonishtja në shqip1, Përkthim nga shqipja në maqedonisht 1, Sociolinguistikë, Onomastikë, Fonetika dhe fonologjia e gjuhës së sotme shqipe, Leksikologjia e gjuhës shqipe, Dialektologjia e gjuhës shqipe, gjë e cila e ka bërë të jetë vazhdimisht në përgatitje dhe ngritje profesionale të gjithanshme në fushat gjuhësore. Gjithashtu mban mësim edhe në ciklin e dytë e të tretë, duke udhëhequr kandidatë për punimet e magjistraturës ose duke qenë anëtare komisioni e disa doktoratave, magjistraturave e diplomave dhe mentore e gati 100 kandidatëve. Ndërkohë ka qenë edhe lektore, redaktore gjuhësore dhe recensente e disa librave shkollore e studentore. Përpos tjerash, ka marrë pjesë edhe në një numër të konsiderueshëm seminaresh, konferencash e simpoziumesh shkencore brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu, ka qenë dhe është anëtare në komisione të ndryshme në fakultet apo në institucione të ndryshme shtetërore. Prej në shtator të vitit 2012 është koordinatore e programeve të SETK për Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare. Veç këtyre, shpesh ka qenë edhe e ftuar në emisione dhe intervista në televizion, radio e gazeta, edhe si ligjëruese në panele dhe projekte, koordinatore, përkthyese simultane dhe konsekutive në simpoziume të organizatave të ndryshme joqeveritare, ka organizuar vullnetarisht shumë aktivitete me studentë, si: akademi solemne, recitale, dramatizime etj. Përveç poezive, tregimeve, intervistave dhe artikujve të ndryshme nëpër gazeta dhe revista të ndryshme, ka botuar edhe mbi 40 punime shkencore në shqip, maqedonisht dhe anglisht (edhe me ipmakt faktor), është bashkë-autore e librit universitar “Dialektologjia e gjuhës shqipe” (me dr. Asllan Hamitin, Shkup, 2014), në botim e sipër ka monografi me studime gjuhësore “Dromca gjuhësore” dhe librin universitar “Gjuhësia shqiptare”. Është nënë e dy fëmijëve, Leartit dhe Arianit.

KOHA: Znj. Qamili, keni ngritur zërin për përmirësimin e arsimit shqip në Maqedoni. Sa dëgjohet zëri i një femre, në shtetin tonë?

Qamili: Duke pasur parasysh që jetojmë në një vend me mentalitet patriarkal, padyshim që pesha e zërit të një mashkulli dhe të një femre dukshëm dallon dhe nuk merret shumë seriozisht zëri i femrës. Megjithatë, kohëve të fundit dalëngadalë shoqëria po vetëdijesohet dhe po fillon të vlerësojë edhe opinionet e femrave që kanë ndonjë post ose funksion më të lartë shtetëror. Është e vërtetë se edhe unë kam reaguar për shumë çështje lidhur me përmirësimin e gjendjes dhe cilësisë së arsimit në Maqedoni dhe më vjen mirë që një numër i sugjerimeve apo kritikave që kam dhënë janë marrë parasysh dhe nga institucionet përkatëse janë marrë masa. Gjithsesi, për këtë meritë të madhe kanë mediumet, të cilat i kanë përhapur dhe përforcuar këto reagime.

KOHA: Cilat shkolla, nxënës shqiptarë, mësues, janë diskriminuar më shumë ndër vite, të Strugës apo Shkupit, Kumanovës apo Manastirit, Gostivarit apo Dibrës, etj? Pse ka ndodh?

Qamili: Ka nivele të ndryshme të shkollave në Maqedoni, duke filluar nga shkolla me kushte shumë të mira, deri tek ato me kushte jashtëzakonisht të këqija. Dhe fatkeqësisht numri më i madh i shkollave me kushte minimale, janë shkolla ku mësojnë shqiptarë. Nëse merret një mesatare, mund të thuhet që relativisht ka kushte për t’u realizuar procesi arsimor, por jo në të gjitha segmentet, jo të gjitha njësitë mësimore dhe jo të gjitha metodat interaktive mund të zbatohen në secilën shkollë. Ndërkaq, nëse krahasojmë qytetet, pa i përmendur secilin me emër veç e veç, mund të them se kjo lidhet ngushtë me politikën ditore, sepse qytetet që kanë pasur kryetar komune person të partisë në qeveri, ka pasur më shumë mjete financiare nga buxheti i shtetit dhe ka pasur mundësi të përmirësojë kushtet e shkollave. Në anën tjetër, shkollat e qyteteve ku kryetari i komunës nuk ka qenë pjesë e partisë në qeveri ose kryetari nuk ka qenë shqiptar, po ashtu edhe në qytetet ku shqiptarët janë më pak në numër (si Velesi e Manastiri), shumë qartazi vërehet se janë diskriminuar në çdo aspekt, sidomos në aspekt financiar.

KOHA: Diskriminimi financiar ndaj shkollave shqiptare, mangësia e paraleleve në gjuhën shqipe dhe mbingarkimi i tyre, gabimet e shumta gjuhësore dhe të teksteve shkollore, përzierja e politikës në përzgjedhjen e kuadrove, janë vetëm disa nga problemet me të cilat përballet arsimi shqip në Maqedoni. Ku ta gjejmë shpëtimin?

Qamili: Duke u nisur nga proceset zhvillimore aktuale dhe dinamike që duhet ta ketë natyrshëm në koherencë një shoqëri tipike normale bashkëkohore, edukimi dhe arsimimi si adresa e agjentë të rëndësishëm socializues e pa dyshim edhe të nevojshëm për një emancipim të gjithmbarshëm shoqëror, do të ishte krejt normale sikur të zinin vend prioritar në agjendat e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Maqedonisë. Strategjia e investimit në dijen shkencore në gjeneratat e reja përplot elan, së bashku me aftësinë për t’i përthithur të arriturat shkencore duhet të përmirësohet, por jo duke bërë eksperimentim që i kalon caqet hapësinorë dhe kohorë, sepse atëherë ai bëhet i dëmshëm dhe ndikon negativisht. Në këtë kontekst do të ishte e nevojshme të organizohet një studim empirik, i cili do të gjurmonte edhe më thellë korrelacionet që arsimi i ushtron me institucionet e tjera shoqërore, si familja, ndërmarrjet, shoqëria civile, mediat etj., të cilat do të sjellin prurje më të mëdha për përvetësimin e dijes. Problemi i parë, sidomos në zonat rurale shqiptare janë objektet e shkollës apo mjetet e punës, të cilat lidhen ngushtë me diskriminimin financiar nga politika ditore, siç e ceka më parë. Pastaj diskutabile është cilësia e kuadrit arsimor, sepse gjithnjë e më tepër punësimi bëhet na baza partiake. Politika duhet njëherë e përgjithmonë të heqë dorë nga dirigjimi i arsimit dhe ta shohë arsimin si një burim të vetëm dhe të pazëvendësueshëm, i cili do të furnizojë me dije breza e breza të tërë, bile edhe fëmijët dhe nipërit e vetë këtyre burrështetasve. Për këtë arsye, nuk guxon politika ta shkelë e ta cenojë autonominë dhe funksionimin e lirë të arsimit. Për secilin problem ka zgjidhje; vetëm duhet të ketë vullnet për ta realizuar atë. Për çështjen e kuadrit arsimor duhet që Enti për Punësim të funksionojë si duhet dhe të bëjë selektimin dhe përndarjen e kuadrove nëpër shkolla varësisht nga kualifikimi përkatës dhe suksesit të arritur. Edhe plan-programet arsimore kanë ende mangësi dhe zbrazëtira, të cilat duhet të rishikohen duke u mbështetur në përvojat e deritanishme empirike. Për mendimin tim, problem janë edhe tekstet shkollore të paunifikuara, sepse prodhojnë kuadro me njohuri të larmishme, prandaj sugjeroj të unifikohen dhe veç kësaj, të lekturohen dhe redaktohen, jo vetëm gjuhësisht, por edhe për nga përmbajtja nga profesionistë me përgjegjësi e jo vetëm sa për formalitet. Sepse kam qenë vetë pjesë e disa roleve për botim të librave shkollorë dhe universitarë (qoftë si lektore, redaktore profesionale, recensente etj.) dhe kam konstatuar se puna e hartimit të librit është një varg zinxhiror që varet nga secila hallkë e saj (Ministrisë së Arsimit, autorit, përkthyesit, redaktorëve, recensentëve, lektorit, korrektorit, ilustruesit, përpunuesit teknik, botuesit etj.), prandaj që të gjithë duhet punën e vet ta kryejnë me përgjegjësi dhe përkushtimin maksimal. Nëse vetëm njëra nga këto hallka nuk e bën punën si duhet, atëherë libri del me të meta dhe mangësi të ndryshme.

KOHA: Nxënësit dhe mësimdhënësit janë ngarkuar aq shumë me lëndë dhe orë mësimore sa është bërë vërtetë e pakuptime të vazhdohet në këtë formë. Ngarkesat e nxënësve dhe mësimdhënësve, në fakt e kanë rënduar së tepërmi vetë procesin e realizmit të mësimit nëpër shkolla dhe ka shumë çështje problematike në këtë drejtim?

Qamili: Natyrisht se mbingarkesa me orë dhe lëndë sjell në çrregullim të shumë segmenteve të procesit mësimor, me ç’rast krijohet një hamulli e madhe, sepse mësimdhënësit duket se janë robotë të gjithëdijshëm dhe vijmë në situata paradoksale. Lodhja e mësimdhënësve dhe nxënësve ndikon në cilësi të ulët të ligjërimit dhe mësim-nxënies, nga kjo dobësohet koncentrimi, kontrollimi i të arriturave të nxënësve nuk mund të mbërrihet për shkak të numrit të madh të nxënësve dhe kohës së shkurtër të vlerësimit, zhurma dhe mungesa e oksigjenit në një klasë të ngushtë me 40 nxënës ndikojnë negativisht në zhvillimin psikik dhe psikofizik të nxënësve.

KOHA: Rezultatet nga matjet e të arriturave të nxënësve janë më se dëshpëruese. Hulumtimet tregojnë se nxënësit tanë dalin nga sistemi arsimor pa i arritur kompetencat bazë. Ku përfundon kjo gjendje?

Qamili: Me shumë keqardhje po them se kjo gjendje na çon drejt një humnere të pafund. Të gjitha problemet që i përmenda deri tash, por edhe përkëdhelja e tepruar nga prindërit, intervenimi për të marrë nota të larta pa meritë, cilësia e dobët e një pjese të kuadrit mësimdhënës të pakualifikuar mirë, punësimet partiake shpesh pa diploma ose marrja e diplomave brenda natës, shpërdorimi i epokës digjitale etj., kanë prodhuar dukurinë e a.q. “analfabetizëm funksional”. Kjo nënkupton se kjo kategori njerëzish dinë të lexojnë, por nuk janë në gjendje ta vënë në zbatim atë që kanë mësuar, gjegjësisht shndërrohen në robotë që i kryejnë disa funksione, por nuk i kuptojnë as ata vetë se çfarë janë duke bërë. Kreativiteti, aftësitë kërkimore e hulumtuese, dëshira dhe vullneti për të lexuar dhe shprehia e punës te rinia e sotme është zvetënuar plotësisht. Fatkeqësisht një numër i vogël i atyre që vërtet janë me kapacitet të lartë mendor, inteligjencë dhe kanë dëshirë dhe vullnet për të punuar, demotivohen nga kjo dukuri që po i rrethon dhe nga perspektiva e pasigurt drejt të cilës synojnë ata.

KOHA: Shkarkimi i nxënësve dhe mësimdhënësve nga numri i orëve dhe lëndëve të mësimit dhe paralelisht kësaj – shkarkimi i paraleleve nga numri aktualisht i nxënësve në klasë duket se do të jenë kryefjala e reformave në arsim, veçanërisht në arsimin klasor. A është e qëlluar kjo? Çka më shumë?

Qamili: Këto ndryshime besoj që mund të ndihmojnë në përmirësimin dhe lehtësimin e zhvillimit të procesit mësimor, megjithëkëtë gjithnjë duhet pasur parasysh që nuk duhet të tejkalohen caqet e shkarkimeve nga detyrimet dhe përgjegjësitë që të mos prodhojmë pastaj gjenerata përtacësh. Gjithsesi epoka e internetit, ka mundësuar që shumë informata të arrihen më lehtë dhe më shpejt, por në anën tjetër ka reduktuar numrin e njerëzve hulumtues dhe studiozë; dhe ka krijuar njerëz të padurueshëm, hiperaktivë, arrogantë e të pasjellshëm. Në këtë sferë duhet të bëhen më shumë përpjekje, analiza, parashikime dhe strategji të kolauduara, prandaj duhet të rishikohen plan-programet, metodat e punës, librat, të bëhet vlerësimi (evaluimi) i realët i brendshëm dhe i jashtëm, por të mos bëhet me dënime, siç ishte deri tash. Problem tjetër të rëndësishëm e shoh edhe lejimin e secilit nxënës të regjistrohet në secilën shkollë të mesme. Mendoj se duhet që nxënësit të klasifikohen sipas suksesit, shkathtësive dhe aftësive që kanë në profile përkatëse e me këtë të shtohen drejtimet e zejtarisë dhe artizanaleve nëpër shkollat e mesme, që të mos bëhet hiperproduksion i disa profileve, kurse në anën tjetër të kemi mungesë kuadrosh të profileve të tjera.StrugaLajm

KOHA: Qëllimi i çdo reforme është të përmirësojë treguesit e fushës ku ajo do të veprojë dhe në mënyrë të veçantë, ata të matjes së procesit në “dalje”, ku reformimi ka si qëllim përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë në dy drejtimet kryesore: mësimdhënie dhe punë kërkimore-shkencore. Ku jemi ne?

Qamili: Deri tash janë bërë shumë reforma rrënjësore, por shumica e reformave kanë qenë eksperimentale dhe kanë dhënë rezultate negative ose kanë dështuar tërësisht, sepse janë marrë si modele të gatshme nga shtetet perëndimore, duke mos u marrë parasysh kushtet krejtësisht të ndryshme të atyre shteteve me Maqedoninë. Bile shpesh ndodh që disa modele që janë marrë këtu te ne, kanë dështuar edhe në shtetet prej ku janë marrë ato. Një e keqe tjetër edhe më e madhe është se në çështjet e arsimit dhe në autonominë e saj u fut politika, duke e gllabëruar atë e duke e shndërruar në rob të vetin. Mjerisht, ky proces sjell efekte dekurajuese, të cilat e dobësojnë dhe devalvojnë cilësinë në arsim. Disa kërkesa astrale apo fantashkence, si impakt faktori, botime të detyrueshme jashtë shtetit, njohja e detyrueshme e gjuhëve të huaja në nivele të caktuara dhe nga të gjitha grupmoshat e mësimdhënësve, shtimi i punëve administrative të mësimdhënësve, mbingarkesa me orë dhe lëndë, akreditim të mentorëve, dënime të larta etj., bëri që njerëzit të vërshojnë në kërkim të pikëve duke bërë edhe mashtrime, falsifikime, e punë të tjera të pahijshme dhe jo të përqendrohen në punë të mirëfillta kërkimore-shkencore, në kohën, në vendin, në fushën, në cilësinë dhe në sasinë e duhur. Në këtë mënyrë nuk mund të presim cilësi dhe rezultate pozitive, por vetëm formalitete që kryhen me porosi, njëjtë sikur këngët që porositen nëpër dasma.

KOHA: Dënime astronomike janë të përfshira në Ligjin aktual të arsim fillor në Maqedoni, të cilat mund të shkojnë deri në mijëra euro, për mosrespektim të predispozitave të caktuara. Më e kërcënuar nga kundërvajtjet e mundshme është shkolla si subjekt juridik, pastaj vijnë në radhë drejtorët, mësimdhënësit, përgjegjësit e personit juridik, mësimdhënësit dhe prindërit. Çfarë do të thotë kur shkollat dhe kuadri i saj dënohen?

Qamili: Çdo punë që bëhet me frikë e jo me dashuri dhe vullnet nuk jep fruta, por vyshket. Dënimet që janë përfshirë në Ligjin e arsimit ndjellin energji të keqe dhe janë të pahijshme. Në këtë mënyrë shtohet armiqësia ndërkolegiale, dredhitë dhe spiunllëqet, prishet atmosfera e punës, shkolla shndërrohet në makth dhe jo në vatër të ngrohtë të dijes. Ky Ligj duhet të ndryshohet sa më parë dhe në vend të dënimeve, duhet të ketë shpërblime në forma të ndryshme për ata të cilët e kryejnë punën me përkushtim dhe kujdesin e duhur, që kështu të nxitet gara për punë më të mirë, të rritet bashkëpunimi ndërkolegial dhe të shtohet interesimi për ide të reja.

KOHA: Znj.Qamili, duke pasur parasysh se ne përballemi me të gjitha këto vështirësi, mund të na tregon se çfarë keni përballuar gjatë shkollimit tuaj?

Qamili: Secila periudhë i ka vështirësitë e veta, por unë kam pasur fatin e keq që në arsimin fillor të shkollohem në periudhë tranzicioni, me plot protesta për të drejtën e shkollimit në gjuhën shqipe, me probleme të shumta rreth organizimit të maturës, me plot incidente ndëretnike mes nxënësish, librat e historisë dhe të gjeografisë ishin me përmbajtje shumë më ofenduese dhe diskriminuese se tash, bile emrat e qyteteve përdoreshin në variantin sllav, si: Bitolë, Kiçevë, Debar etj.; Më pas vijova të studioj pikërisht në periudhën e luftërave në ish-Jugosllavi, duke përfshirë edhe konfliktet në Maqedoni, kurse unë isha e vetme në Shkup, larg familjes. E tërë ajo periudhë ka qenë e pasigurt dhe me plot ankth, por rinia e asaj kohe kishte guxim të jashtëzakonshëm dhe vullnet të lartë për të nxënë dije e për të fituar të drejtat tona. Pavarësisht që na bëhej diskriminim dhe tortura nga disa mësimdhënës maqedonas, sepse shumë lëndë ishin në maqedonisht, përpjekjet për të arritur suksesin maksimal nuk reshtnin kurrë. Kjo situatë mua më bëri më të fortë, të pamposhtur dhe arrita të thyej shumë rekorde, të korr suksese të mëdha, të jem bursiste, të marr shumë çmime dhe të dekorohem me medalje të artë nga rektorati, pikërisht në vitin 2001.

KOHA: Kohën e fëmijërisë sot zor ta rigjesh, por po të kërkoni pak në kujtesë, çfarë flet ajo kohë?

Qamili: Pavarësisht që fëmijëria ime nuk është shumë e moçme dhe ndoshta nuk ka shumë dallim nga fëmijëria e gjeneratave të sotme, përsëri kishte veçantinë e vet sepse kishte hijeshinë e një jete idilike. Kam nostalgji të madhe për lojërat dhe miqësinë e sinqertë të shoqërisë sime, të cilën sot vështirë mund ta hasësh, por edhe për aktivitetet e shumta që kisha. Më dukej se e tërë bota ishte në duart e mia dhe në çdo çast unë ndodhesha në çdo cep të Tokës. Ne atëherë ishim fëmijë të pjekur para kohe, kishim misione dhe vizione për të ardhmen tonë. Qysh në shkollë fillore kam qenë pjesë në të gjitha aktivitetet dhe seksionet e shkollës, sidomos në grupin letrar e atë dramatik, në kor, orkestër, balet dhe e vetmja nxënëse përfaqësuese e votës së nxënësve të shkollës në Këshillin edukativo-arsimor të shkollës. Përkrah sukseseve të mëdha në shkollë dhe aktiviteteve të tjera shkollore, kam qenë shumë aktive dhe e zellshme në Shoqëri kulturore-artistike ”Migjeni” dhe ”Ibrahim Temo” (si këngëtare, valltare soliste, koreografe e fëmijëve, pjesë e korit) dhe në Trupën teatrore ”Sofra” në Strugë, me të cilat kam një vargua kujtimesh të bukura. Gjatë shkollimit të mesëm kam qenë redaktore e revistës shkollore “Gjimnazisti”, në të cilën kam botuar një numër të madh poezish e tregimesh. Edhe gjatë kësaj periudhe kam qenë përfaqësuesja në kryesinë e aktiviteteve të maturantëve. Pastaj, si studente kam qenë anëtare e redaksisë së revistës studentore “Rrezja”, në të cilën kam botuar shumë poezi, tregime, reportazhe, intervista etj. Krahas studimeve, kam qenë aktive në Shoqatën e Grave ”Aureola”, ku isha koordinatore dhe kam bërë një sërë projektesh për emancipimin dhe të drejtat e grave, të vajzave, të njerëzve me të meta fizike, analfabetëve, grave të dhunuara e shumë të tjera dhe natyrisht që për të gjitha këto jam stërvitur e trajnuar profesionalisht.

KOHA: Si e shihni ardhmërinë e fëmijëve tanë në Maqedoni, veçmas në fushën e arsimit?

Qamili: Për këtë çështje do të flas më shumë me shpresën dhe dëshirën që kam, sesa me realitetin që mund të ndodhë në të vërtetë, sepse nga hapërimi i rinisë së sotme që shoh ndonjëherë po bëhem skeptike se mund të arrijnë në cakun e duhur – piedestalin e diturisë, ngaqë tash ne po mashtrojmë njëri-tjetrin (fëmijët i mashtrojnë prindërit e tyre, arsimtarët i mashtrojnë nxënësit, prindërit i mashtrojnë fëmijët e tyre, arsimtarët dhe drejtorët – Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministria – popullatën dhe vetveten) me nota të fryra dhe diploma të pamerituara. Jemi në fazë të diplomomanisë, bile të masteromanisë. Secili me çdo kusht vrapon të pajiset me diploma e magjistratura, pa arritur nivelin minimal të profesionit, por edhe të kulturës së përgjithshme. Nuk di ku mund të arrijë shoqëria me këtë rrugë që ka nisur. Kjo dukuri nuk është vetëm në Maqedoni, është në gjithë botën, por theks të veçantë ka në Ballkan. Është përzier vlera me kundërvlerën, e cila i dekurajon ata të cilët vërtet kanë dëshirë të mësojnë me përkushtim dhe vullnet. Por shpresoj që të ndryshojë kjo gjendje e të vetëdijesohen të gjithë ata që janë pjesë e arsimit dhe e tërë shoqëria në përgjithësi, duke i marrë për bazë të gjitha sugjerimet që i thashë deri tash.

In : Aktuale

Loading...
loading...