PROMOVOHET NË SHKUP LIBRI “MEDIA DHE INTEGRIMI EUROPIAN

Në kuadër të aktiviteteve për “Ditët e Europës”, sot në Qendrën Informative të BE-së në Shkup u promovua libri i Dr. Arben Fetoshit “Media dhe Integrimi Europian”. Në recensionet e tyre për librin, profesorët Demush Bajrami dhe Qashif Bakiu theksuan vlerat e tij shkencore, duke e cilësuar atë një vepër të munguar dhe tejet të rëndësishme për mediet dhe komunikimin.
“Përfundimet dhe rekomandimet e këtij studimi duhet t’i shërbejnë nevojës për një ekuilibër të ri në marrëdhëniet ndërmjet politikës, medies dhe publikut”, tha profesor Bajrami, derisa profesor Bakiu fokusoi vlerat metodologjike dhe qasjen unike të autorit në trajtimin e kësaj tematike.
Duke iu drejtuar gazetarëve, publicistëve dhe studentëve që morën pjesë në këtë promovim, autori i librit, Arben Fetoshi, fillimisht e falënderoi Institutin për Studime Politike dhe Ndërkombëtare për organizimin e shkëlqyer dhe më pas diskutoi me të pranishmit për sfidat dhe mundësitë e procesit të integrimit. “Ashtu siç po përpiqet BE-ja që t’i përgjigjet krizës së unitetit, përmes rishikimit të politikës mediale, Integrimi Europian kërkon prej vendeve të zgjerimit që t’i ridefinojnë marrëdhëniet në trekëndëshin Politikë-Media-Publik”, u shpreh Fetoshi.
Ndërkaq, Prof. Dr. Ylber Sela, drejtor i ISPN, duke vlerësuar librin dhe punën e autorit, tha se në procesin e Integrimit Europian mediet kanë rol të pazëvendësueshëm, si në aspektin e informimit ashtu edhe në atë të krijimit të opinionit publik.
Në këtë promovim folën edhe publicisti Emin Azemi, Agron Hoti nga Ministria e Integrimit Europian në Prishtinë dhe Arben Veselaj në cilësinë e botuesit nga Shtëpia Botuese “Orfeu”.StrugaLajm

StrugaLajm

Loading...
loading...