BLENDI PETROL
AktualeOpinion

PSE E HUMBI SELA STRUGËN?

Prof.Dr.Xhevdet Nasufi/Strugalajm.com

Kur i referohemi tranzicionit do të konstatojmë lehtësisht, se shqiptarët si popull më së shumti jetojnë me të kaluarën, sesa me të ardhmen e këtij një çerek shekulli. Pra, me lehtësi ende e kaluara e mbijeton të ardhmen. Por, si u zhvilluan zgjedhjet vendore të fundit në Strugë në veçanti!?
Është degustuese, tani më, të flitet individualisht për kandidatët, veçmas për dy më të eksponuarit e Strugës, edhe atë njëri në funksionin e deputetit, kurse tjetri në atë të ministrit. Ky fakt kishte domethënie në vetvehte, por ama është e domosdoshme të evidentohet edhe si faktor i inkoherencës e propagandës parazgjedhore dhe zgjedhore, që zgjedhjet vendore i konvertoi ekskluzivisht në zgjedhje partiake dhe konkurrencë jolojale të liderëve partiakë!
Mjerisht zhvillimet që i pamë dhe dëgjuam para zgjedhjeve ekstremisht i evidentuan këto fakte, si:
– Ndërhyrje flagrante në zgjedhje të partive dhe liderëve partiakë, përkundër mungesës së vlerave, projekteve konkrete, ideve zhvillimore dhe investimeve për jetë më të mirë e më të begatshme.
– Për barazinë dhe koherencën etnike dhe në veçanti për përpjekjet e domosdoshme, që duhet të bëhen në eleminimin e kushteve për shpërnguljet masive të shqiptarëve nga vendi. Dobësi nga këto u shënuan edhe në Strugë.
Pra, asgjë nga këto objektiva madhore kontemporane nuk pamë dhe nuk dëgjuam në garën parazgjedhore. Është për keqardhje, që edhe kandidatët e Strugës nuk morën pak shembull nga fushata zgjedhore, bile as nga vizualiteti i saj i dy kandidatëve të fundit për kryetar bashkie të Tiranës. U duk si një fushatë e qetë dhe parimore e dizajnuar dhe sajuar me kujdes, me intelekt, e detajuar dhe e sinkronizuar për atraksion. Sot atë e prekim në procesin e zbatimit.
Nëse flasim për konkurrencë politike si përmbajtje e domosdoshme e zgjedhjeve (kjo është e konsumuar në vet kuptimin e fjalës zgjedhje), atëherë ajo u zhvillua kryesisht në atmosferë të armiqësisë politike e jo të konkurrencës së oponentëve politikë, sepse për konkurrencë politike mungonin elementet në fushatë. Prandaj, është ireale të flitet për ardhjen masovike të ,,gasterbajterëve” në Strugë për të triumfuar projektet shqiptare, për dallim nga ardhja masovike dhe madhore në fillimtranzicion, kur shqiptarët ishin në konkurrencë të hapur dhe të ashpërt me maqedonasit. I ashuqujturi ,,armik politik“ nuk ekzistonte në këto zgjedhje dhe të mos harrojmë, se shqiptarët në Strugë votuan masovikisht edhe Selën edhe Merkon dhe që të dy janë shqiptarë.
Është racionale të evidentojm,gjithsesi një fakt që është për analizë:Gjersa ishte e domosdoshme, mes të tjerave Ahmeti të ishte pjesë e dekorit politik pas luftës së vitit 2001. ( nuk ka argumente që kjo e të qenurit pjesë e qeverisë të ishte aq jetëgjatë dhe me kaq mossuksese dhe kriza të thella politike-etnike gjatë kësaj kohe), poashtu nuk ishte e domosdoshme, që Sela të jetë pjesë e dekorit të zgjedhjeve vendore. Kam përshtypjen, se Ali Ahmetit kaq vjetë qëndrimi në qeveri, as në mendje nuk i bie të jetë pjesë kadrovike e qeverisë, edhepse për liderin është e domosdoshme, Sela e ka ditur, ose është dashur ta dijë, se shumë faktorë do jenë kundër zgjedhjes së tij për kryetar. Kjo kurrësesi nuk është për rezignim, por gjithësesi është për ta analizuar ai vet si lider partie, ama edhe si pjesë e qeverisë, sepse ,,grushtshteti” i vockël në Gostivar i ndodhi prompto pas zgjedhjeve.
Miq të dashur! Fenomeni i kalimit të pragut etnik në këto zgjedhje ndodhi edhe në favor të shqiptarëve dhe gjithësesi ky ishte edhe kualiteti më shpresëdhënës. Kjo, nga se ky prag nga shqiptarët për interes të joshqiptarëve është kaluar shumë më herët, prandaj nuk ka, se pse të habitemi dhe krijojmë konfuzion nga kjo dukuri. Më në fund, vallë a, nuk e kemi të mirënjohur ne shqiptarët proverbin, se ,,lufta e minjëve është dasëm e maceve”? Veçori në këto zgjedhje ishte edhe propaganda e kryeministrit të vendit ( kryeministri është personi më i fuqishëm në vend) në këto zgjedhje në favor të një partie. Mendoni dhe gjykoni, se Zaevi e tejkaloi rubikonin për një varg arsyesh:
– E para është, se edhepse në cilësinë e liderit partiak, që e ushtron (si i tillë edhe është nominuar kryeministër) dy funksionet, nuk ka as shkop magjik që t’i ndajë nga njëri tjetri e të mos paraqesin një simbiozë të logjikshme dhe të pandashme politike.
– E dyta ëashtë, se përkrahja propaganduese e partnerit qeveritar përçmoi skajshmërisht partnerin tjetër qeveritar dhe dha sinjale fraksioniste me pasoja etnike për kohezionin etnik edhe të qeverisë, por edhe të vendit.
– E treta eshtë, se propaganda u bë në prezencë të vërejtjeve të bëra fuqishëm nga eksperti i mirnjohur zoti Pribe (personalisht i mirënjohur nga autori i këtyre rreshtave), se Maqedonia duhet domosdodhëm të shkëputet nga fenomeni i dëmshëm, trashigimi e komunizmit ortodoks që konsiston në qeverisjen shtet-parti.
Dhe në fund është e vërtetë, se oponenca politike e Selës arkëtoi më shumë vota nga maqedonasit etnikë, se Sela. Kjo sigurisht ka influencuar në numrin e votave, por ama duhet thënë, se edhe Sela arkëtoi vota të maqedonasve. Përfundimisht, ky element nuk mund të skematizohet si akuzë politike, edhe aq më pak të problematizohet. Kjo ngase, si do i vlerësojmë votat e shqiptarëve në Haraçinë për LSDM-në, respektivisht që i arkëtoi lista maqedonase!?
Mendoj, se në Strugë ndodhi ajo, që edhe pritej. Sela nuk ofroi ide, projekte atraktive dhe sensitive e të kapshme edhe për maqedonasit. Paralelisht nuk mund të mburret as me kompleksivitetin, që e kërkojnë zgjedhjet vendore por edhe pozita e liderit partiak: Ekipi i mirëfilltë profesionalo-organizativ që duhej të shquhej dhe fokusohej në skematizimin preciz të dobësive të oponencës politike dhe me përparsitë krahasuese dhe vizionare të kapshme të prekin sensivitetin e masave. Lideri partiak si Sela në kontekstin më pozitiv nuk mundet më t’i përballojë sfidat e kohës dhe rrethanave me këtë format. Këto sfida për lider-parti dje ishin më të ndryshme nga të sotmet, sidomos në oborrin politik të shqiptarëve, e nesër mund të jenë edhe më të ndryshme.
Të kuptohemi! Asgjë më shumë nuk ofroi Merkoja, aq më pak programe, kreacion dhe inovacion atraktiv, por ai i posedoi elementet tjera abuzive dhe joabuzive, që i ofrouan komoditetet e veprimit në zgjedhje.
Vallë, mendoni, se është kompaktibile sot, që kryetari i Strugës të mos posedojë së paku një projekt fillestar readmisimi dhe parapengimit fillestar të procesit të shpërnguljes masive të shqiptarëve të Strugës, që s’ka të ndalur? Këtë nuk e kishte asnjëri nga kandidatët e përmendur.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

 
Back to top button