Punë shtesë për mbijetesë!

Të dhënat e fundit të nxjerra nga Enti Shtetëror i Statistikave tregojnë se përgjatë muajit tetor të këtij viti kostoja e jetesës është rritur për 19.8%, krahasuar me tetorin e vitit të kaluar. Kjo është norma më e lartë e inflacionit e regjistruar nga ESHS që nga fillimi i vitit, por edhe përgjatë një periudhe më të gjatë kohore

Besa IBRAIMI

Shkup, 9 nëntor – Maqedonia e Veriut po përballet me rritjen e inflacionit në shkallë të lartë, e cila po shkakton panik dhe presion tek qytetarët. Rreth rritjes së inflacionit dhe ndikimit të tij tek qytetarët u shpreh edhe psikologja Natalija Naumovska e cila shpjegon se ky është një fenomen i cili në mënyrë të pashmangshme ndikon negativisht në psikikën e njerëzve, të cilët janë në vështirësi, duhet të kursejnë ose të gjejnë një burim shtesë për të ardhura që të plotësojnë nevojat e tyre pasi, siç tregojnë edhe të dhënat statistikore shumë produkte dhe shërbime janë bërë më të shtrenjta.

“Në vendin tonë prej disa muajsh po përballemi me inflacionin, term i njohur në ekonomi. Ishte pikërisht kjo që goditi të gjithë qytetarët në mes të krizës me energjinë. Inflacioni goditi xhepat e të gjithëve, por më shumë xhepat e atyre që marrin pagë minimale. Për çka të shpenzosh më parë paratë, për ushqim, për të paguar rrymë, kredi, e kështu me radhë? Jemi të detyruar të kursejmë rrymën, ku ka edhe shembuj që nëpër konviktet studentore në Shkup, studentëve ju ndalohet përdorimi i ngrohësve dhe të cilat ju merren nëse i shohin të ndezura. Cili prind dëshiron që fëmija të qëndrojë në dhomë të ftohtë dhe të ngrijë”, theksoi Naumovska. Sipas saj qytetarët janë të detyruar të ulin shportën e konsumit pikërisht për shkak të çmimeve të larta të produkteve që janë nëpër dyqane.StrugaLajm

“Inflacioni si një gjendje e pashmangshme, sigurisht që do ndikojë negativisht në gjendjen psikologjike të qytetarëve. Ata janë të detyruar të zgjedhin se çfarë do të blejnë saktësisht duke numëruar deri në qindarkën e fundit, dhe në fund prapë diçka do mungojë për shkak të pagave të ulëta. Njerëzit janë në kërkim të burimeve për të siguruar të ardhura shtesë. Krahas punës standarde që kanë, ata po ju drejtohen punëve të pavarura duke lënë pas dore familjet e tyre. Me më shumë punë nuk e ndihmojnë veten, përkundrazi e lodhin veten”, thotë psikologja. Ajo gjithashtu shton se problemi më i madh është mos rritja e pagave përderisa çmimet e produkteve çdo ditë e më shumë janë në rritje.

“Tani më shumë se kurrë duhet të mësojmë të kursejmë dhe më shumë se kurrë duhet të dimë se si dhe sa duhet të shpenzojmë. Të jemi të vetëdijshëm për të ardhurat tona, që mos të hyjmë në borxhe, të mos marrim kredi që do të jenë të vështira për t’i shlyer pastaj. Kursimi i zgjuar dhe shpenzimi i zgjuar është ajo që duhet të bëjmë nëse duam të zbusim goditjet e inflacionit. Le të bëjmë përllogaritjet e sakta se ku dhe për çfarë t’i shpenzojmë paratë, dhe në bazë të kësaj të bëjmë një plan se çfarë duhet të bëjmë më pas. Shpenzimi dhe kursimi racional është kyç në këtë periudhë”, deklaroi Natalija Naumovska. Të dhënat e fundit të nxjerra nga Enti Shtetëror i Statistikave tregojnë se përgjatë muajit tetor të këtij viti kostoja e jetesës është rritur për 19.8%, krahasuar me tetorin e vitit të kaluar. Kjo është norma më e lartë e inflacionit e regjistruar nga ESHS që nga fillimi i vitit, por edhe përgjatë një periudhe më të gjatë kohore. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...