Qentë endacak, problem i hidhur për qytetarët e Strugës

A Problemi me qentë endacak edhe më tutje është i pranishëm në Strugë. Qytetarët janë të brengosur për sigurinë e tyre nga zogoritë, që i rrezikojnë për çdo ditë. Ndërmarrja publike “Komunale” doli me akuzat se qentë endacak barten edhe prej qyteteve të tjera. Vitin e kaluar në spitalin e Strugës janë evidentuar 10 persona të kafshuar ose të lënduar nga qeni.

Qytetarët e Strugës kanë frikë për sigurinë e tyre dhe të fëmijëve

Qytetarët e Strugës kanë frikë të dalin në rrugë, veçanërisht në mbrëmje. Shprehen se gjatë kësaj periudhe të vitit qentë janë më agresiv, lehin dhe vrapojnë pas njerëzve. Konsiderojnë se komuna, po edhe shteti duhet të ndërmarrin masa, të sistemohen qentë endacak në stacionar dhe të trajtohen në mënyrë adekuate.

“Vetëqeverisja lokale duhet të mbajë llogari për qentë endacak, të ndërtojnë stacionar ku do të përkujdesen këta qenë ose pasi të jenë të kastruar, vaksinuar dhe pastruar të lëshohen”, shprehet një banor i Strugës.

Një banor tjetër i Strugës bëri të ditur se ata qytetarë që nuk planifikojnë të ruajnë manar, le të mos marrin fare, e jo siç shprehet, ka pasur raste kur familja do të marrë një manar, por pas një periudhe të caktuar u mërzitet ose për arsye tjera e braktisin atë.

“Nëse dikush dëshiron manar le ta ruajë në shtëpi, le të përkujdeset për të në mënyrë adekuate. Nëse nuk dëshiron të ruajë pasardhës të tij le ta sterilizojë/ kastrojë, e jo pasi të lindin këlyshët t’i hedhin në rrugë në mëshirë të fatit. Po edhe kafshët kanë shpirt dhe me to duhet vepruar mirë”, deklaroi një banore e Strugës, adhuruese e kafshëve.

Zagori qensh shëtisin në afërsi të oborreve të shkollave dhe kopshteve për fëmijë, ndërsa qytetarët janë të brengosur për sigurinë e fëmijëve të tyre. Një banore e Strugës e cila shumë herë ka shpëtuar fëmijë nga sulmi i qenve duke qeshur shprehet “në mëhallën tonë ka më shumë qenë, sesa njerëz”.

Vetëm sivjet pesë persona janë kafshuar nga qeni, ndërsa njëri është lajmëruar në polici

Për vetëm katër muaj në repartin kirurgjik në Spitalin e përgjithshëm të Strugës 10 persona kanë kërkuar ndihmë nga kafshimi i qenit. Prej fillimit të vitit, gjegjësisht për një muaj të paplotë madje pesë veta kanë pësuar, në tetor dhe nëntor ka pasur nga dy veta, ndërsa në dhjetor një i kafshuar nga qeni.

Drejtori i Spitalit të përgjithshëm në Strugë, Rexhep Dauti, informoi se pacienti më i ri ka qenë një fëmijë nëntë vjeç, ndërsa më i moshuari 50.

“Fatmirësisht të gjithë janë mirë, nuk ka pasur asnjë komplikim dhe të gjithë janë trajtuar vetëm lokalisht”, deklaroi Dauti për MIA-n.

Gjatë komplikimeve eventuale nga kafshimi i qenit, personat dërgohen në repartin infektiv në Spitalin e Ohrit.

“Në raste më të rralla mund të vjen deri te sëmundja e tërbimit dhe tetanusi nga vetë plaga. Prandaj, duhet shikuar se a ka qenë qeni i vaksinuar. Gjatë komplikimeve të tilla menjëherë e dërgojmë në repartin infektiv. Nëse vjen deri te kafshimi i qenit, personi menjëherë të lajmërohet te mjeku dhe nëse ka të dhëna për qenin nëse ai ka pronar të pyesin se a ka qenë i vaksinuar në mënyrë përkatëse”, theksoi Dauti.

Në stacionin policor në Strugë gjatë këtij muaji është lajmëruar vetëm një rast për kafshim të qytetarit nga qeni, derisa gjatë vitit të kaluar katër persona kanë lajmëruar për sulm nga qeni.

“Stacioni policor nga Struga, kundër pronarëve të qenve ka parashtruar kallëzime për kundërvajtje. Në përputhje me nenin 29 të Ligjit për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike, atij që pa mjete mbrojtëse/ maskë dhe ngjashëm, pa mbikëqyrje dhe në mënyrë të pakujdesshme mban qenë dhe kafshë tjera të rrezikshme, që mund të frikësojnë ose të lëndojnë, do t’i shqiptohet gjobë në shumë prej 100 deri 400 euro”, deklaroi zëdhënësi i SPB Ohër, Stefan Dimoski.

Sipas tij, në policinë e Strugës nuk ka pasur kallëzim zyrtar nga qytetarë për sulm nga ndonjë qen endacak.StrugaLajm

Edhe punëtorët turistik të prekur me qentë endacak

Problemi me qentë endacak i tangon edhe punëtorët turistik. Hotelierët disa herë apeluan për zgjidhjen e këtij problemi në rivierën e Ohrit dhe Strugës.

” Me vite të tëra Struga ka problem real me qentë endacak. Ndonëse disa herë në të kaluarën kishim reagime, meqë sulmonin edhe të punësuarit tanë dhe turistët, veçanërisht jashtë sezonit, por nuk ka pasur kurrfarë efekti”, shprehet Ana Jançeska Dudanoska, menaxhere në hotel të Strugës.

Ajo ka vërejtur se gjatë verës qentë endacakë nga gjithë qyteti kanë ardhur në plazh dhe i kanë shqetësuar turistët.

” Meqë turistët e huaj në masë të madhe i ushqenin dhe i dërgonin në veteriner, ata vinin në plazh pas tyre. Kishte edhe raste pasi që ishin kastruar, pastruar dhe vaksinuar janë birësuar edhe dërguar jashtë vendit”, bëri të ditur Jançeska Dudanoska.

Punëtorët turistik presin që pushteti lokal të bëjë stacionar për qentë, gjë që do ta zgjidhte problemin me qentë endacak jo vetëm gjatë sezonit, por edhe jashtë sezonit.

Qentë sillen prej qyteteve tjera

Drejtori i Ndërmarrjes publike komunale Ivan Kleçkaroski në një deklaratë për MIA-n konfirmoi se para do kohë një grup më i madh i qenve janë shkarkuar në hyrje të qytetit, por personi që i ka vërejtur nuk ka regjistruar, e as nuk ka fotografuar, ndaj nuk ka dëshmi për kallëzim përkatës. Ai dyshon se qentë endacak sillen nga qytetet fqinje, si Dibra dhe Kërçova dhe lëshohen që të enden nëpër Strugë.

” Një djalë human që u ndihmon qenve në qytet dhe që i njeh të gjithë më tha se në Strugë ka shumë qenë të rinj. Para do kohë më tregoi se në hyrje të qytetit në afërsi të një hoteli nga një furgon është shkarkuar një grup më i madh i qenve. Por, nuk i kanë regjistruar dhe nuk kemi dëshmi për kallëzim. Institucionet kërkojnë dëshmi”, tha Kleçkaroski.

U bëri thirrje qytetarëve që nëse vërejnë se dikush me automjet bartë qenë endacak dhe i lëshon në Strugë menjëherë të lajmërojnë policinë dhe nëse kanë mundësi të fotografojnë që institucionet të mund të veprojnë në mënyrë përkatëse.

Komuna e Strugës nuk ka stacionar për kafshë endacake, ndërsa ndërmarrja publike brenda vitit merr 200.000 denarë për intervenim dhe kurim gjatë lëndimit të qenve endacak.

Drejtori i “Komunales”, u ankua se ka trashëguar 20 padi nga qytetarët për sulm prej qenve.

“Kur e mora postin vitin e kaluar, trashëgova rreth 20 padi për katër-pesë vitet e fundit dhe gjendje prej 40.000 euro për pagesën e këtyre padive”, deklaroi Kleçkaroski.

Avokatët bëjnë të ditur se qytetarët e dëmtuar vijnë te ata për ndihmë profesionale për kompensimin e dëmit për shkak të kafshimit prej qenve, si dhe për ngritjen e iniciativës për të ndërmarrë masa plotësuese.

In : Aktuale

Loading...
loading...