QYTETI I WIL-IT NË ZVICËR TRE DITË RADHAZI FRYMOI SHQIP DHE SHPIRTËRISHT

Ndërsa më 13 maj në një atmosferë impozante dhe krejtësisht në ndjenja festive dhe të gëzimit u realizua ceremonia zyrtare dhe qendrore e hapjes së xhamisë së re, para një në numëri të madh të besimtarëve mysliman të Zvicrës, të atyre që kishin udhëtuar nga vendlindja enkas për këtë manifestim si dhe të atyre që kishin ardhur nga të gjitha anët e diasporës Austria, Gjermania, Italia, Franca dhe Danimarka.
Pjesëmarrja e autoriteteve shtetërore, politike zvicerane qofshin ato lokale apo kantonale si dhe e autoritetve të kishave të ndryshme vendore, këtë manifestim e shndërronin në një tubim multikulturor e multikonfesional.
Personalitetet e ftuara në këtë manifestim të pranishmëve iu drejtuan me mesazhe dhe porosi për ruajtjen e vlerave njerëzore që janë të përbashkëta për të gjitha shoqëritë siç janë respekti reciprok, bashkëjetesa ndërmjet komuniteteve të ndryshme, toleranca, liria e shprehjes, dialogu ndërfetar etj.
Këtë manifestim e bënë edhe më madhështorë prania e krerëve më të lartë të bashkësive Islame nga Maqedonia dhe Kosova. Delegacionin e Bashkësisë Islame të Maqedonisë në krye me Kryetarin e saj Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi e përbënin edhe myftiu i Tetovës Prof. Dr. Qani Nesimi, dekani i FSHI Doc.Dr. Fahrudin Ebibi, drejtori për diaspor pran BFI-së Dr. Selver Xhemaili, shefi i kabinetit të Reisul Ulemasë Muzemil Osmani si dhe korri i Medresesë “Isa Beu” i përbërë prej 28 nxënësve dhe nxënëseve.
Kryetari H. Sulejman ef. Rexhepi, në fjalimin e tij, pasi që i përshëndeti të pranishmit me theks të veçantë ju drejtua autoriteteve dhe subjekteve të ndryshme zvicerane duke i siguruar ata se Islami është fe e paqes, dashurisë, mirëkuptimit dhe në mënyrë permanente thërret në vlera të bashkëjetesës, solidarizimit si dhe në asnjë rast nuk është ideologji e dhunës dhe ekstremizmit ashtu siç pretendon dikush ta etiketojë. Në vazhdim Ef. Rexhepi theksoi, “Të respektuar jam i lumtur dhe i kënaqur që sot gjendemi së bashku me ju në këtë ambient ku bashkërisht i gëzohemi finalizimit të ndërtimit të këtij tempulli të shenjtë i cili është një kompleks i kompletuar edhe për çështje të edukimit dhe arsimimit, pra, përveç ushtrimit të funksioneve fetare, jam i bindur se kjo xhami do të luaj rolin e një qendre të fuqishme kulturore dhe shoqërore”. Në fund të fjalës së tij Reisul Ulemaja në emër të BFI-M e shprehi uratën e tij shpirtërore duke e lutur Allahun xh.sh. që ta bekoj këtë qendër të rrezatimit Islam.
Kryetari i Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër, Nehat Ismaili përshëndeti tubimin dhe në mes tjerash theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndër institucional, bashkëpunimin në mes qendrave islame në Zvicër dhe më gjërë, në vazhdim ef. Nehati nënvizoi “prezenca juaj dëshmon për përkushtimin ndaj Islamit dhe xhamisë.”
Me fjalë përshëndetëse u paraqitën e dhe kryetarët e unioneve të imamëve nga diaspora: Mensur ef.Halili, përfaqësues i Unionit të Imamëve Shqiptarë në Gjermani, Reshat ef. Ibishi Kryetar i Unionit të Imamëve Shqiptarë në Itali Mahir ef. Zeqiri, përfaqësues i Unionit të Imamëve Shqiptarë në Austri, si dhe Ruzhdi ef. Asipi, përfaqësues i xhamive shqiptare në Danimarkë.
Nga autoritet zvicerane të pranishmive iu drejtua kryetari i Qeverisë së Kantonit të St. Gallen, Martin Klöti, i cili përshëndeti të pranishmit me përshëndetjen origjinale Islame “Selamun Alejkum” dhe pastaj vazhdoi fjalën e tij rreth bashkëjetesës, dialogut ndërshoqëror, respektit reciprok, integrimit, mirëkuptimit dhe lirisë së shprehjes të cilat sipas tij janë vlera jetike të shoqërisë zvicërane. Në këtë manifestim fjalë përshëndetëse pati edhe kryetarja e qytetit të Wilit Susanne Hartmann, prift i Kishës Katolike te qytetit të Wilit Roman Giger dhe shumë personalitete të tjera.
Pa dyshim që në këtë tubim manifestues fjalët e kryetarit të xhamisë së Wilit, Abdulla Mustafa, dhe imamit të kësaj xhamie Mr. Bekim ef. Alimi ishin të një rëndësie të veçantë. Kryetari i xhamisë bëri një retrospektivë të ndërtimit të xhamisë duke theksuar vështirësitë derisa është arritur në këtë pikë dhe duke falënderuar të gjitha ata që kanë kontribuar për ndërtimin e kësaj faltore në Qytetin e Wilit.
Kurse, imami i Xhamisë së Wilit, Mr.Bakim ef. Alimi, si promotor i gjithë këtij suksesi nga fillimi e deri në mbarim, foli për historikun dhe rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë të cilën kanë ndjekur deri në hapjen e kësaj qendre. Pasi i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit që përfaqësonin institucionet shtetërore, fetare nga vendi dhe jashtë, Alimi qartësoi mënyrën e punës drejt integrimit dhe bashkëjetesës që ka ndjekur kjo xhami, dhe po kështu shpjegoi mënyrën e financimit të saj duke theksuar se “ndërtimi xhamisë ka kushtuar 4 milionë franga. Ato janë tubuar, kryesish nga pagesat vullnetare të anëtarëve tanë, nga e gjithë Zvicra. Një falënderim të posaçëm iu shprehim edhe 30 xhamive simotra nga Zvicra, Austria, Gjermania, Danimarka dhe Norvegjia, të cilat janë solidarizuar me ne“.
I gjithë manifestimi u zbukurua me programin e shkëlqyer të korit të Medresesë “Isa Beu” nga Shkupi, me ilahi dhe recitale të ndryshme islame, e udhëhequr nga prof. Eljesa Hasani dhe të përcjella me instrumente nga grupi i Dr. Abas Jahja.
Pas përfundimit të të gjithë fjalimeve, pasoi dhe hapja zyrtare e xhamisë së re, nën zërin e tekbireve edhe simbolikisht u pre shiriti dhe u hapën dyert e xhamisë së re Wil.
Ndërsa më 14 maj Korri i Medresesë “Isa Beu”para besimtarëve të qytetit të Wilit prezantoi një program të larmishëm fetarë, ku edhe u bë përmbyllja e aktiviteteve me rastin e hapjes së xhamisë re të këtij qyteti.
/S.Xh./