Rama në “France24”: Nuk besoj se BE dhe SHBA do ma jepnin mua drejtësinë

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama gjatë vizitës në Paris ka folur për situatën politike në Shqipëri.

Ai është pyetur mbi protestën e opozitës për të cilën thotë se është pjesë e demokracisë.

“Unë mund t’ju them vetëm se jemi një demokraci e re dhe kemi ende për të mësuar dhe për të ngritur instrumente për një komunikim normal midis njerëzve dhe partive politike, pa asgjë dramatike”, tha Rama.

Përsa i përket reformës në drejtësi dhe kundërshtimeve të opozitës, Rama thotë se kjo është një situatë paradoksale.

“Në fakt është disi paradoksale, rrallë ndodh që një qeveri të përcaktohet për një reformë radikale në drejtësi shumë të rëndësishme siç e thatë ju dhe të lidhur me korrupsionin në nivele të larta dhe opozita të jetë kundër. Është një reformë që e kemi nisur në harmoni me misionin e drejtësisë së BE-së dhe atë të SHBA-së, të mbështetur me shumë ekspertë dhe eksperienca në gjithë BE për reforma të tilla në vende të tjera që kanë dalë nga komunizmi dhe pasi kemi bërë ndryshime edhe në Kushtetutë për një drejtësi të pavarur në Shqipëri kemi ardhur tek pjesa më të vështirë për t’u gëlltitur për fat të keq nga disa, Vetting-u i gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha Rama.

Për sa i përket akuzave të opozitës se qeveria do të kapë drejtësinë, kryeministri mbrohet në këtë mënyrë.

“Jo, nuk besoj se BE dhe SHBA si partnerë strategjikë të Shqipërisë do kishin pranuar një reformë apo cilido qoftë që do të vinte dorë mbi drejtësinë. Pastaj me ndryshimet në Kushtetutë dhe në legjislacion opozita zgjedh 50% për komisionet e kontrollit që janë një filtër shumë-shumë i imët për gjyqtarët e prokurorët që duhet të justifikojnë veprimet e dënueshme që kanë bërë gjatë karrierës së tyre. Është një strukturë shqiptare nën monitorimin e gjykatësve dhe prokurorëve europianë dhe amerikanë” – e mbyll intervistën për France24, Rama.

Loading...
loading...











Loading…


loading…