Resul Bekteshi:Në vizitë Shkodrës – Kalaja e Rozafës , perlë e bukur arbnore

Në vizitë Shkodrës – Kalaja e Rozafës , perlë e bukur arbnore

Ditë më parë , Shoqata e Pensionistëve e Arsimit Shqip për Strugën, organizoi një vizitë dy – ditëshe në qytetin e Shkodrës. Shumica e udhëtarëve, mësues e profesorë të pensionuar kishin kaluar aty pari, por disa ishin kurreshtarë të shohin qytetin e lashtë të Shkodrës. Të shohin qytetin ku lindën dhe krijuan pendat e njohura të letrave shqipe si Shiroka, Migjeni, Mjeda, Fishta, Pashko Vasa dhe patrioti kombëtar Luigj Gurakuqi . 

Nisja nga Struga u bë në ora 7 e datës 14 mars 2022 . Rruga u kalua me pushime të shkurtëra dhe me vizitë në qytetin e Elbasanit. Ishte Dita e Verës, prandaj në Elbasan ndihej një gjallëri e vërtetë dhe të dukej se ndoshta askush nuk kishte ngelur në shtëpi. Shumica në kalanë e njohur të qytetit pushuan , duke pirë kafe turke. Pas një pushimi dy orësh, vazhduam rrugën për në pjesën veriore të Shqipërisë, për në Shkodër, atje ku edhe kishim synimin kryesor.

Rruga për në Shkodër kalon përkrah Lezhës. Të kalosh aty dhe të mos vizitosh Memorialin e Skëndërbeut, është diçka që rrallë kush ia lejon vetes. Aty është varri më madhështor në Shqipëri , ku është varrosur heroi më i madh shqiptar – Gjergj Kastriot Skëndërbeu.  Në qendrën memoriale udhëheqësi me disa fjalë foli për rëndësinë e asaj qendre , gjithashtu përmendi kalimthi edhe Kuvendin e Lezhës. Duke referuar njëri nga të pranishmit , përndryshe profesor i historisë , ndërhyri me vargjet që i madhi Naim ka shkruar me rastin e vizitës që i ka bërë muzeumit të Vienës, atje ku gjenden edhe armët origjinale të kryetimit shqiptar – Gjergj Kastrioti –       “Kush nuk e di Skënderbenë,
                                                    Që nderojti mëmëdhenë?
                                                    “Lum ti, moj Shqipëri!” thashë,
                                                      Armët e ti’ kur i pashë
                                                      Ndë Belvedere në Vjenë,
                                                    Sikur pashë Skënderbenë.”

Aty , të pranishmit vërejtën edhe pllakatat e veçanta për të njëzetë e katër betejat që kryetrimi shqiptar I ka kaluar me sukses. Aty hasën pllakatën për betejën e Pollogut, të Svetigradit, të Modriçës , Livadës etj. StrugaLajm

Grupa pas një pushimi, relaksimi dhe mburrje për atë që vërejtën në Lezhë, shpejt vazhdoi  rrugën për në qytetin e Shkodrës. Aty nga ora 17 : 00 arriti në qytetin e Shkodrës, u vendos në hotelin e mrekullueshëm “Luani Artë” ku pushuan , darkuan , dikush edhe shëtiti. 

Meqë udhëtimi ishte pak I lodhshëm, vendosëm që vizita nëpër monumentet historike të Shkodrës të bëhet ditën e nesërme. 

Ditën e dytë , grupin nëpër qytet e udhëhoqi menaxheri I hotelit , një djalosh shumë I sjellshëm, duke e përcjellur grupin në muzeumin historik të Shkodrës, në teatrin Millosh Gjergj Nikolla, në bibliotekën e qytetit , nëpër disa objekte fetare si dhe përmes pjesës së vjetër të qytetit. Vërejtëm se në qytet , pikërisht në qendër , pranë hotelit madhështor “Rozafa”, qëndronte busti I patriotit shkodran – Luigjj Gurakuqit, kurse para teatrit kombëtar të qytetit, krenare qëndronte busta e Migjenit, emrin e të cilit e mbante edhe teatri. Ndoshta në Shkodër kishte edhe shumë vende të tjera për vizitë, po  në mangësi të kohës, aty rreth orës 12:00, vendosëm të nisemi për në Tiranë , por në dalje të qytetit të Shkodrës qëndron ballëlartë Kalaja e lashtë arbnore  Rozafa. Me autobus kaluam një pjesë të rrugës për te Rozafa, kurse pjesa tjetër u kalua duke ecur, sepse të shkosh në Shkodër, të kalosh në Shqipërinë e Veriut dhe të mos e vizitosh kalanë e Rozafës, duket sikur nuk ke realizuar asgjë në atë udhëtim. Sipërfaqja e kësaj kështjelle të gurtë përfshin diku 9 ha dhe është kështjellë që është simbol I qytetit e fortifikuar në një kodrinë . E ndërtuar nga ilirët, më vonë e pushtuar nga romakët . Këtë kala historiani I njohur Tit Livi e quante “vendi më I fortë I labeatëve” . Sipas historisë, Kalaja e Rozafës ka kaluar në duart e disa pushtuesve . Nëse vëren ndërtimin e saj dhe kohën se kur është ndërtuar, njeriu çuditet për mënyrën e ndërtimit dhe sigurinë e saj nga të tërë anët. Ajo kodrinë është e rrethuar nga lumenjtë Buna, Drini dhe Kiri dhe faktikisht e mbrojtur nga armiqtë e shpeshtë. Në qendër të saj ka pasur  rrugë nëndhese që e kanë ditur vetëm njerëzit e Kalasë, që në raste rreziku të mbushnin ujë posht në liqen dhe të shërbenin banorët e Kalasë . StrugaLajm

    Për historinë e Kalasë dhe për emërtimin e saj ekzistojnë disa të dhëna :

  1. Disa të dhëna , disa shkrime flasin se atë e ka ndërtuar një vajzë me emrin Roze dhe motra e saj me emrin Fa , të cilat kanë qënë themelueset e para të Shkodrës, prandaj edhe fortesa është quajtur RozaFa. 
  2. Ka disa burime se emri i parë i saj rrjedh nga qyteti Rusafa në Sirinë e sotme . Kjo përmendet në legjendën e shenjëtorëve Sergius dhe Bacchus  dhe për Kuvendin e tyre të mbajtur në rrjedhën e lumit Buna . 
  3. Por varianti më i përmendur dhe më i përkapshëm është ai me motive të murosjes . Legjenda popullore thotë se tre vëllezërit tërë ditën ndërtonin, kurse natën Perënditë, ndërtimin e tyre e shemnin . Një i shenjtë u tha vëllezërve që t’u shkojë puna mbarë , aty duhet të varroset një njeri i gjallë –  Kur të shkonin në shtëpi , grave tuaja të mos u thoni asgjë dhe cila do që të sjellë drekën të nesërmit, atë ta murosni të gjallë. Por , dy vëllezërit e mëdhenj nuk e mbajtën fjalën , pra tradhtuan, kurse më i vogli qëndroi besnik. Kështu, të nesërmen nusja e vogël e solli drekën . Ishte Rozafa . Atë e varrosën të gjallë , por meqë kishte foshnjë të vogël, i luti vëllezërit që t’ia lënë gjysmën e trupit jashtë mureve, që ta shohë djalin, ta ledhatojë atë dhe ti japë qumësht të pijë. Heroizmi i Rozafës bëri që Kalaja të ndërtohet dhe sot e kësaj dite e mban emrin e saj. 

Legjenda e Rozafës është simbol i rëndësishëm për Arbërinë . Ajo tregon autoktoninë shqiptare , që nga Ilirët deri te pasardhësit e tyre – Shqiptarët e sotshëm. Duke përmendur dhe duke kaluar nëpër shumë beteja , sundime , mbretëri etj etj. 

Gati të gjithë e pranishmit e vizituan Kalanë e Rozafës, bënë foto , u habitën me mënyrën e ndërtimit të asaj kështjelle dhe të gëzuar nisën rrugën për në Tiranë. Në Tiranë qëndruam disa orë . Dikush vizitoi muzeun kombëtar, dikush sheshin Skëndërbej  dhe nga ora 17:00 e ditës së dytë u nisën për në Strugë. 

Me këtë , u realizua qëllimi që pati kjo vizitë , sepse u vizituan vendet historike dhe legjendare të Shqipërisë si Elbasani, Lezha, Shkodra , Rozafa etj. 

Resul Bekteshi 


Loading...
loading...