Gjashtë linja të reja ajrore me Dubai, Barcelonë, Lion, Shtutgart, Bazel dhe Stamboll do të hapen vitin e ardhshëm, njoftoi ministri i transportit, Aleksandar Nikolloski, në konferencën për shtyp të mbajtur sot në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Siç informoi ministri Nikolloski, katër linja të reja ajrore janë të destinuara për aeroportin e Shkupit, ku dy herë në javë do të ketë fluturime në relacionin Shkup-Dubai-Shkup (nga 30 marsi), po ashtu edhe Shkup-Barcelona-Shkup (nga 30 qershori), ndërsa tre herë në javë do të fluturohet Shkup-Lion-Shkup (nga 30 qershori) dhe Shkup-Shtutgart-Shkup.
Në aeroportin e Ohrit, risitë janë linjat Ohër-Bazel-Ohër që do të fluturojë dy herë në javë dhe linja e rregullt Ohër-Stamboll-Ohër (nga 30 marsi) që do të fluturojë katër herë në javë.
Ministri informoi se shteti subvencionon 12 euro për pasagjer që arrin në aeroportin e Ohrit dhe 9 euro për pasagjer që arrin në aeroportin e Shkupit.