Rini Dauti,nga Ladorishti i Strugës”Rokeri i UÇK-së”

Padyshim që një nga personalitetet e fuqishme të muzikës rok në hapësirën shqiptare është Rini Dauti me origjinë nga Struga, i cili prej vitesh jeton dhe vepron në Zvicër. Rreth hapit të parë për tu marrë me muzikë, një ndikim të madh ka luajtur shoqëria e gjimnazit në Prishtinë, pjesa më e madhe e të cilëve ishin muzikantë, por një rolë vendimtar për orientimin e Dautit drejt muzikës ka patur artisti i njohur strugan, Selami Kolonja. “Duke parë Selamiun në mbrëmje studentore që merrte pjesë, vendosa që ta blejë kitarën e parë dhe gradualisht fillova të luaja me të dhe të përcillja të gjitha këngët e tij. Por çka ishte më interesante, unë kisha edhe shokët e klasës që ishin adhurues të flaktë të muzikës rok, dhe dita-ditës unë po zbuloja në vete se kjo lloj muzike ishte shumë më ndryshe nga ajo popullore dhe gradualisht fillova të identifikohesha me të”, tregon ai. Balancimi i fenomeneve njerëzore apo gërshetimi i këtyre ndjenjave si agresiviteti, butësia, nostalgjia, melankolia dhe eksplodimi i të gjitha këtyre fenomeneve në shumë momente ishte si një liri e pashpjegueshme e të shprehurit të ndjenjave të mia dhe ashtu ndodhi, thekson rokeri Rini Dauti. “Virusi i rok muzikës kishte lëshuar rrënjë në shpirtin tim dhe deri më sot akoma nuk kam gjetur shërimin e kësaj sëmundje”, thotë Rini Dauti. Pas një karriere disavjeçare me rok grupet zvicerane, ai gjatë vitit që e lamë pas për herë të parë editoi albumin e parë në gjuhën shqipe-“Toka e Premtimeve”, me grupin e tij “Rinorollin”, album i cili shumë shpejt do jetë para adhuruesve të roku dhe muzikës në gjithë hapësirën mbarëshqiptare. Pas largimit nga “Prishtina e plagosur” e viteve nëntëdhjeta, tregon ai, gjithmonë ka pasur si ëndërr që një ditë të realizojë një album në gjuhën shqipe, edhe si shenjë mirënjohje për shoqërinë që ka pasur atje. “Natyrisht me përvojën time shumëvjeçare me bendet zvicerane kam dashur sadopak në mënyrë modeste të kontribuojë në avancimin e rok muzikës në trojet shqiptare. Edhe motivet e këngëve të mia në albumin e fundit pasqyrojnë, simbolizojnë një ritakim me shokët dhe vendlindjen”, potencon Dauti. Për t’u marrë me muzikë në Zvicër nuk ishte edhe aq lehtë për një emigrant, sepse atje gjërat ishin shtresuar në këtë aspekt dhe u desh punë e madhe dhe angazhim permanent për tu integruar. Grupet zvicerane të rokut kishin kushte shumë më të mira dhe një traditë të gjatë si nga ana e kreativitetit poashtu edhe nga ana e organizimit të tyre. Integrimi ndodhi, tregon Riniu, pasi tejkaloi problemin e gjuhës, që ishte si pengesa më e madhe në fillim, por përkushtimi me një disiplinë të madhe ndaj muzikës, treguan sukseset e para në skenën e rokut në Zvicër por edhe në Gjermani, Austri, Francë, Itali

Promovimi në vendlindje
Pavarësisht koncerteve dhe manifestimeve të shumta në mbarë Evropën, promovimi i albumit në gjuhën shqipe “Toka e Premtimeve” në Strugë për Rini Dautin pati një rëndësi të veçantë sepse është takimi i parë me publikun e vendlindjes. Ai premton se shumë shpejt pas mbylljes së disa procedurave burokratike, do të vazhdojë edhe me promovime dhe videoklipeve të tjera në gjuhën shqipe në gjithë hapësirën shqiptare. “Është një ndjenjë e veçantë kur realizon albumin e katërt me radhë dhe mbas qindrave koncerte vjen radha e një albumi që me vite e kam ëndërruar. Ky album e meriton atë shërbim dhe do mundohem sa më mirë të promovojë atë, koha do të tregojë se albumi ‘Toka e Premtimeve’ do ta zë vendin e merituar si vepër me vlera të vërteta muzikore që natyrisht dhe jo vepra të kopjuara siç bëjnë shumë bende tek ne që akoma pa fije turpi shtiren sikur ata e kanë zbuluar rokun. Nuk dua asnjë të ofendojë sepse nuk është natyra ime të akuzosh dikë që mendon se krijon diçka të madhe e në të vërtetë e dëmton vetveten dhe pasqyrën e rokut origjinal ,por koha do t’i filtrojë gjërat ku më në fund vetëm veprat origjinale do të mbijetojnë dhe do të mbesin të përjetshme…faleminderit Rinorollin”, shton Riniu.

Inkuadrimi në UÇK
Për herë të parë ekskluzivisht për gazetën “KOHA” Rini Dauti pranon të flasë edhe për anën tjetër të një rokeri, atë të ushtarit të UÇK-së në Maqedoni. Ai gjatë luftës së vitit 2001 nga Zvicra la kitarën, anulon koncertet, duke e zëvendësuar atë me armën dhe inkuadrimin në aradhat UÇK-së, hap të cilin sot pas dhjetë vitesh e konsideron si një detyrë që duhej kryer në shërbim të kombit, angazhim të cilin asnjëherë nuk e ka bërë publik, por e zbuloi pas insistimit tonë të përsëritur dhe informacioneve të konfirmuara nga burime të tjera. “Unë mendoj se është një respekt i madh njerëzor dhe kombëtar të kontribuosh për mëmëdhenë dhe kjo s’ka ndryshuar aspak tek unë sot e kësaj dite. Çastet e asaj kohe janë momente që s’mund ti shpjegojë shkurtër. Janë ndjenja të çuditshme ku dhimbja edhe gëzimi nuk dallojnë aq shumë njëra nga tjetra, pasi që lufta është krejt diçka tjetër me jetën e zakonshme dhe përjetimet e përditshme brenda saj të krijojnë një pasqyrë krejt tjetër dhe kjo të bën që të mendosh se jeta nuk është ajo çka ne imagjinojmë. Është shumë më lehtë ndonjëherë të mbijetosh luftën, por është tepër e rëndë të mbijetosh paqen pa perspektivë, pa arsimim dhe pa ëndrra për të qenë i lirë si gjithë popujt e botës”, potencon ai. Edhe sot pas dhjetë vitesh ai nuk është penduar për inkuadrimin e tij në formacionet e UÇK-së. Për Rini Dautin misioni në shërbim të kombit vazhdon.StrugaLajm

Pasioni për vendlindjen dhe karatenë
Rini Dauti përveç se është i përkushtuar ndaj rok muzikës, është një nga individët e njohur të diasporës në Zvicër që gjithmonë ka qenë afër vendlindjes, në të mirë dhe në të keq, duke qenë pjesë e një sërë organizimesh të shqiptarëve në konfederatën helvetike. Për të, shqiptarët në Zvicër, janë shumë të lidhur me vendlindjen dhe kjo është treguar në shumë procese që janë zhvilluar në trojet shqiptare. Riniu mendon se mërgata shqiptare është një shtresë shoqërore që vështron çdo proces politik, humanitar dhe njerëzor që ndodh në vendlindje. Kjo, sipas tij, tregon se ata nuk kanë harruar vendlindjen edhe pse sistemi politik mundohet që ata t’i injorojë edhe pse dihet se diaspora jonë ka qenë gjithmonë në ballë të proceseve dhe është një faktor kyç në realizimin e tyre. Sa i takon përkushtimit ndaj aktiviteteve të mërgimtarëve në Zvicër, Rini Dauti, thotë se vetëm bën detyrën dhe obligimin. Ndërkaq, një nga pasionet e mëdha të rokerit strugan është edhe sporti i karatesë me të cilin gjithashtu ka arritur rezultate të kënaqshme duke u bërë edhe instruktor i këtij sporti për njësit special të Zvicrës. “Që nga koha e adoleshencës në Prishtinë fillova të merrem në ushtrimin e njohjes së arteve luftarake aziatike. Nga ato arte luftarake unë zgjodha karatenë, ku pas vendosjes në Zvicër e perfeksionova edhe më shumë këtë sport në një klub të atjeshëm. Në këtë klub për vite kam dhënë leksione dhe seminare të karatesë jo vetëm njerëzve të zakontë, por edhe njësiteve speciale të policisë së Zvicrës. Gjithashtu kam punuar shumë edhe me fëmijët e ambasadorëve të vendeve të ndryshme të botës, personave të hendikepuar apo njerëzve me të meta fizike dhe psikologjike. Me një fjalë, për mua karateja është një balancim i mrekullueshëm ndërmjet muzikës dhe disiplinës”, thekson Rini Dauti, rokeri nga Struga i cili tani më disa vite jeton në Zvicër.(Strugalajm.com/shkrim i votuar para disa viteve)

In : Aktuale

Loading...
loading...