Rritje e numrit të lindjeve, Tetova në vendin e dytë

Sipas numrit të lindjeve në vend, në tre mujorin e vitit 2017, Tetova është në vend të dytë, menjëherë pas kryeqytetit Shkupit. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, në muajt e verës të këtij viti, korrik, gusht dhe shtator, gjithsej kanë lindur 357 foshnje, prej të cilave një ka ndërruar jetë, shkruan gazeta KOHA. Në këtë periudhë është regjistruar rritje e numrit të lindjeve për 12 e më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë kohore të vitit të kaluar, kur ka pasur 345 foshnje të lindura. Në 5 vitet e fundit, sipas shifrave të repartit të Gjinokologjisë, lindjet shënojnë rënie, ndërsa vetëm në vitin 2014 ka pasur një rritje të lindjeve. Nagip Rufati, kryeshef i repartit të Gjinokologjisë në Spitalin Klinik të Tetovës, thotë se dallimi nga viti 2012 deri në vitin 2016 është diku gjashtëdhjetë lindje më pak. “Në vitin 2012 kemi pasur 2389 lindje, kurse në vitin 2013 2378 lindje. Në vitin 2014 kemi sërish rritje të lindjeve, apo gjithsej 2389. Në ndërkohë, në vitin 2015 dhe 2016 është ulur dukshëm numri i lindjeve në Spitalin Klinik të Tetovës, konkretisht në 2016 2021 lindje, kurse vitin e kaluar 2221 lindje”, deklaroi Rufati. Po ashtu bëhet e ditur se nuk ka ndonjë dallim se kush prin më shumë, meshkuj apo femra të lindura.

Numri i lindjeve në 20 vitet e fundit në Maqedoni shënon ulje drastike. Nëse në vitin 1994 ka pasur mbi 31 mijë lindje të foshnjave të reja, ky numër ka zbritur në 22 mijë. Në anën tjetër, është rritur edhe vdekshmëria. Nëse në vitin 1994 kanë vdekur rreth 15 mijë persona, shifrat tash tregojnë se në vitin 2012 kanë vdekur mbi 19 mijë persona. Duke u bazuar në shifrat që ka publikuar Enti Shtetëror Republikan i Maqedonisë, lindshmëria dukshëm më e madhe është në rajonet me popullatë shumicë shqiptare në krahasim me ato me shumicë maqedonase. Edhe përskaj stimulimit në të holla për fëmijën e tretë për shtim të natalitetit nga ana e Qeverisë, megjithatë edhe kjo nuk i ka ndihmuar rritjes së lindshmërisë në vend dhe sidomos te rajonet me shumicë shqiptare. Njohësit e rrethanave demografike në Maqedoni, pohojnë se stimulimi i natalitetit nuk është masë e mjaftueshme. Sipas statistikave, në vitet e fundit ka një rritje të shtimit natyror të popullsisë, por nëse ai krahasohet me numrin e personave të moshuar, përqindja është jo-proporcionale. Edhe krahas shifrave, ku tek shqiptarët vërehet se lindjet janë më shumë në numër se vdekjet, megjithatë kohëve të fundit ka rënë interesimi për lindje. Numri i të vdekurve, në tre mujorin e këtij viti, është zvogëluar për 5% në krahasim me tre mujorin e vitit të kaluar, kur 168 persona kishin ndërruar jetë. Rritja natyrore është 189 persona, që do të thotë se numri i foshnjave të lindura është më i madh se numri i të vdekur. Me 233 kurorëzime që janë realizuar në këtë tremujor, sërish Tetova është në vend të tretë pas Shkupit dhe Gostivarit. Ky numër është për 30 më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë kohorë të vitit të kaluar. Në tremujorin e këtij viti, sërish janë regjistruar 21 shkurorëzime, që paraqet rritje të shkurorëzimeve për 6 më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë kohore të vitit 2016. Që nga viti 2009 Qeveria e kaluar, përmes Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, stimulon familjet që lindin fëmijën e tretë dhe më lartë, ku në fillim ky ligj nuk përfshinte komunat me trend pozitiv të natalitetit, siç ishin komunat me shumicë shqiptare por më vonë edhe këta komuna pas abrogimit në gjykatën kushtetuese janë pjesë e këtyre benificioneve. (koha.mk)StrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...