SËRISH VJEN 22 NËNTOR!

Shkëlzen Halimi

SËRISH VJEN 22 NËNTOR!

22 nëntori, Dita e Alfabetit, është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Por, fatkeqësisht, është një nga ata ngjarje që vazhdimisht shënohet në mënyrë gjysmake, për të mos thënë se herë herë edhe në mënyrë diletanteske. 22 nëntori si datë sërish do të vijë, bile me shpejtë se ç’mendojmë ne dhe, po që se nuk ndryshojmë gjë, sërish Ditën e Alfabetit, do ta shënojmë sa për sy e faqe, vetëm e vetëm për t’u mos u turpëruar jo vetëm para ta tjerëve, por edhe para vetes. Është koha që kësaj ngjarje epike t’ia japim shkëlqimin e vërtetë, ta shënojmë ashtu siç vërtet e meriton dhe jo vetëm me një vizitë të politikanëve shqiptarë në Manastir, sepse kjo ngjarje madhore për kombin tonë ka simbolikë të veçantë, është ngjarje në të cilën u shpreh uniteti i shqiptarëve.
Prandaj, shtrohet pyetja: a mjafton përkujtimi i kësaj ngjarje jetike për kombin tonë, me paraqitje të një fjalimi më tepër politik se sa kulturor?
Kjo datë duhet të përkujtohet nga mbarë kombi me: tubim shkencor gjithëkombëtar, me të arriturat në sferën e gjuhësisë anekënd trojeve, me takim të albanologëve kombëtar e ndërkombëtar, me konferenca, me kumtesa shkencore për të arriturat në sferën e gjuhësisë dhe albanistikës, me promovime të librave nga sfera e gjuhësisë e me diskutime gjithëpërfshirëse mbi këto të arritura.
Thjesht, manifestimi duhet të nisë e të zgjasë aq sa zgjati Kongresi i Alfabetit. Shtatë ditë Manastiri të frymojë vetëm shqip. Pse jo, le të jetë kjo nismë e dy akademive shqiptare dhe gjithë faktorëve tjerë relevantë që merren me albanistikë. Dhe, le të formohet një Këshill organizativ, i cili do të përkujdesej për organizimin dhe mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve. Nën financimin e tri ministrive për kulturë (Shqipëri, Kosovë e Maqedoni e Veriut), ky manifestim më në fund duhet të marrë karakter mbarëkombëtar dhe jo të vazhdojë të ketë akoma vetëm karakter parcial.StrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...