SHAHU, qytetërimi mbi një skakierë

Nga Neil MACGREGOR

Në vitin 1972, bota shihte e mrekulluar një prej betejave të mëdha të Luftës së Ftohtë: luftohej në Islandë dhe ishte një lojë shahu mes amerikanit Bobby Fischer dhe rusit Boris Spasskij. Fischer deklaronte se shahu është një luftë, dhe në atë moment historik asgjë nuk tingëllonte më e vërtetë, por nga ana tjetër, kështu ka qenë gjithmonë: nëse të gjithë lojërat janë në një farë mase zëvendësuese të dhunës dhe konflikteve, asgjë më shumë se sa shahu nuk i ngjan një beteje të studiuar në tavolinë. Dy ushtri që i kundërvihen njëra-tjetrës janë të reshtuara për të marshuar në sulm: ushtarët në vijën e parë, dhe oficerët në prapavijë. Çdo fushë shahu paraqet një shoqëri në luftë, dhe qoftë nëse kjo shoqëri është Indi, Lindjen e Mesme, apo Evropë, emrat e gurëve dhe të figurave na thonë shumë për funksionimin e saj. Pra, nëse duam të analizojmë shoqëritë evropiane përreth vitit 1200, asgjë nuk të tregon më shumë se sa 78 gurët e përzierë të gjendur në ishullin e Ljuisit, në Ishujt Hebride në vitin 1831, dhe që janë bërë të njohur qysh atëherë me emrin “Gurët e Ljuisit”.
67 prej këtyre gurëve gjenden sot në British Museum, 11 ndodhen në Muzeun Kombëtar të Skocisë, dhe në tërësinë e tyre ata na çojnë në zemër të botës së Mesjetës. Lojërat e tavolinës ekzistojnë prej më shumë se 5000 vitesh, por shahu ka lindur në kohëra relativisht të vona, mendohet të ketë lindur në Indi në një datë pas vitit 500. Brenda pak shekujsh loja u përhap në të gjithë Lindjen e Mesme, për të mbërritur më pas në Evropën e krishterë, dhe në zona të ndryshme gurët ndryshuan për të pasqyruar shoqërinë lokale. Në Indi, për shembull, janë të ashtuquajturit “elefantë të luftës”, ndërkohë që në Lindjen e Mesme, duke parë rezervat islamike për paraqitjen e figurës njerëzore, gurët janë gati abstraktë. Gurët evropianë, në të kundërt, kanë karakteristika antropomorfe, dhe gurët e Ljuisit jo vetëm na demonstrojnë personazhe të shquar qartë, por reflektojnë edhe strukturat e lojës së madhe mesjetare të pushtetit në të gjithë Evropën e Veriut. Janë shumë më të mëdhenj se sa gurët me të cilët luhet sot, mbreti, për shembull, është i gjatë 8 centimetra. Pjesa më e madhe është e gdhendur me dhëmbë lopësh deti, por disa janë prodhuar edhe me dhëmbë balene. Në fillim, disa gurë duhej të lyheshin me ngjyrë të kuqe, por tashmë janë të gjithë me një ngjyrë kremi të zbehtë. Fillojmë nga ushtarët. Një prej pikëpyetjeve që ngrenë gurët e Ljuisit është se ka shumë gurë të fortë dhe pak ushtarë. Kemi gurë që vijnë nga fusha të ndryshme shahu, por në tërësi ushtarë janë vetëm 19. Janë të vetmit që nuk kanë formë njerëzore, por konsistojnë vetëm nga blloqe të vegjël fildishi, që qëndrojnë në këmbë si gurrë varresh. Përfaqësojnë fshatarët që, në shoqërinë mesjetare, merreshin brutalisht ushtarë për t’u dërguar në fushën e betejës. Çdo shoqëri ka tendencën që të gjykojë si identike dhe të ndërkëmbyeshëm personat në shkallën më të ulët shoqërore, dhe këtu ushtarët përfaqësohen sikur të mos kenë kurrfarë individualiteti. Gurët e fortë, në të kundërt, janë të karakterizuar qartë: roje të zgjedhur, kalorës, mbretër autoritarë dhe mbretëresha të zhytura në mendime. Roli më i rëndësishëm i shkon burimit më të lartë të pushtetit legjitim: sovranit. Kur kapet ai, lufta mbaron. Të gjithë mbretërit e fushave të shahut të Ljuisit janë të ulur në fronë të dekoruar, me një shpatë në gjunjë. I mbrojnë dy kategori luftëtarësh të zgjedhur. Njërën prej tyre e kemi menjëherë të njohur: ajo e kalorësit. I shpejtë dhe i zhdërvjellët, ushtari mbi kalë është një prani konstante tek shahu: gjendet në çdo epokë dhe në çdo vend. Por në krah të kalorësve ka personazhe me shumë më tepër pretendime. Në skajet e fushës së shahut, ku sot zakonisht vendosim torrat, janë në fakt trupat sulmuese të botës skandinave. Shfaqen me një pamje kërcënuese, dhe disa luftëtarë janë mbërthyer nga një instinkt i marrë për gjak, që i bën madje të përtypin pjesën e sipërme të mburojës. Janë berserker-ët. Berserk është një fjalë islandeze që përdoret për një ushtar me një tunikë me lëkurë ariu, sinonim i dhunës së egër dhe shkatërrimtare. Më shumë se të gjithë gurët e tjerë të shahut, berserkerët na çojnë në botën e frikshme të luftës skandinave.
Rreth vitit 1200, ishulli i Ljuisit, në veriperëndim të Skocisë, ishte në qendër të kësaj bote. Ishte pjesë e Mbretërisë së Norvegjisë, gjuha që flitej ishte ajo norvegjeze dhe katedralja e peshkopit të tij ndodhej në Trondheim, pothuajse 400 kilometra në veri të Oslos. Trondheim ishte një prej qendrave të mëdha ku gdhendej fildishi i dhëmbëve të lopëve të detit, dhe stili i gurëve të shahut të Ljuisit është shumë i ngjashëm me gurët e gdhendur në atë qytet. Gurë shahu të ngjashëm janë gjetur edhe në Irlandë, dhe Ljuis ka qenë një ndalesë në rrugën shumë të rrahur Trondheim-Dublin. Historiania që merret kryesisht me historinë e Mesjetës, Miri Rubin shpjegon: “Besoj se vijnë nga Norvegjia, ndoshta nga Trondheimi dhe rrethinat, sepse ngjajnë shumë me produktet e asaj zone. Në atë kohë, lidhjet mes Britanisë së Madhe dhe Evropës qendrore nuk ishin të shkurtra si sot, ndërkohë që Deti i Veriut ishte si një lloj “ndërlidhësi” mes rajoneve. Pikërisht prej aty vinin vikingët, paraardhësit e normanëve që pushtuan Anglinë. Nëse e mendojmë këtë botë si një lloj komonuelthi të veriut, i pasur me lëndë të para si lënda e drurit, qelibari, lëkura dhe metalet, atëherë nuk është e vështirë të imagjinohet që një objekt i prodhuar në Norvegji të përfundojë në bregun perëndimor të Skocisë’. Gurët e shahut të Ljuisit janë gjetur në Gjirin e Uig, në një zgavër të vogël guri në brendësi të një rripi rëre, ku ndoshta do të jenë fshehur nga ndonjë tregtar që synonte t’i shiste në ishull. Një tekst poetik i shekullit 13 flet për të fuqishmin Angus Mor i Islayt, si mbret i Ljuisit, dhe e paraqet si trashëgimtar të gurëve të shahut të fildishtë të babait të tij: “Ty ai të la pozicionin e tij, armaturën, çdo thesar… shpatat e mprehura, gurët e fildishtë të shahut”. Duke luajtur shah, edhe sovrani i një toke të izoluar si Ljuis mund të demonstronte se ishte pjesë e një kulture të rafinuar dhe elitare që bashkonte të gjithë oborret e Evropës. Dhe guri që më shumë se çdo gjë tjetër përfaqësonte këta oborre evropianë ishte mbretëresha. Nëse në shoqërinë islamike bashkëshortet e sovranëve mbeteshin të fshehura nga sytë e popullit, mbretëresha evropiane mbulonte një rol publik dhe gëzonte pozicionin e lartë të këshilltares së mbretit. Ndonjëherë, në Kontinentin e Vjetër, toka dhe pushteti transmetoheshin përmes trashëgimisë femërore. Pra, nëse në shahun islamik mbreti shoqërohet nga këshilltari i tij, veziri, në fushën evropiane të shahut gjendet në krah të bashkëshortes së tij. Në gurët e Ljuisit mbretëreshat e kanë të gjitha vështrimin të përhumbur në distancë dhe mbajnë mjekrën të mbështetur në dorën e djathtë, për t’u përcjellë bashkëkohësve pamjen e një reflektimi të thellë dhe mençurinë në gjykim, edhe pse ne, në ditët e sotme na duken të dëshpëruara e komike. Ndoshta një arsye për të qenë kaq të dëshpëruara, thellë-thellë ato e kanë patur. Në shahun në mesjetë mbretëresha nuk ishte një gur shumë i fortë: lëvizte me vetëm një kuti, në mënyrë diagonale. Simotra e saj moderne, në të kundërt, është guri më i fortë i shahut. Përveç kësaj, loja e shahut ka ndryshuar shumë pak nga mesjeta deri më sot, dhe akoma më pak ka ndryshuar logjika e mrekullueshme matematike në bazë të lëvizjeve të mundshme. Kjo lojë ka ngjallur gjithmonë emocione dhe pasione, dhe pikërisht këta dy aspekte magjepsin prej kohësh shkrimtarin Martin Amis: “Matematika e shahut është shumë interesante, sepse pas katër lëvizjesh nga të dy palët, mundësitë numërohen me miliarda. Është loja e tavolinës par excellence. Në disa raste të rrallë shihet një kombinim që një mjeshtër i madh do e rrokte me shikim të parë, dhe krejt papritur fusha e shahut duket tmerrësisht e pasur – duket e mbushur me mundësira. Dhe të gjithë lojtarët gjallërohen prej dëshirës për të luftuar: kanë të gjithë instinktin e vrasësit”.
Ndonjëherë bëhet fjalë vërtetë për instinkt vrasësi: një dokument i oborrit anglez i vitit 1276 na rrëfen që një farë David de Bristoll po luante shah kundër një farë Juliana le Corduaner. Nisën të grinden me një dhunë të tillë saqë ai e goditi në kofshë me shpatë, duke e lënë të vdekur. Ka edhe një gur që nuk e kam përmendur por që ndoshta është figura më intriguese dhe që thotë shumë për shoqërinë që e ka prodhuar. E kam fjalën për oficerin që në vendet anglosaksonë quhet “peshkop”. Në Mesjetë, peshkopi ishte një prej fuqive më të mëdha të shtetit, dhe kontrollonte jo vetëm jetën spirituale, por edhe tokën dhe njerëzit. “Peshkopët” e shahut të Ljuisit janë më të lashtët që janë gjetur ndonjëherë, dhe na kujtojnë që në të gjithë Evropën Kisha ishte një pjesë thelbësore makinerisë luftarake të shtetit. Njihet mirë historia e kryqëzatave në Tokën e Shenjtë, por po në të njëjtën periudhë kanë ndodhur edhe Kryqëzatat e Veriut, të realizuara nga kalorësit teutonikë dhe që synonin pushtimin dhe kristianizimin e rajoneve të tërë në Evropën lindore. Në po të njëjtën kohë, në jug dhe gjithmonë me peshkopët në vijën e parë, Kastija dhe Spanja qendrore u shkëputën prej islamikëve.
Vendi i shahut në kulturën evropiane pasqyron nga afër ngritjen dhe rënien e elitës së edukuar, për të cilën ai ishte rikrijimi i zgjedhjes. Historia fillon me një imazh që paraqet një prej takimeve të mëdha të modernizmit: një portret grupi, i bërë në vitin 1856 nga Moritz Daniel Oppenheim, i cili paraqet tri figura të mendimit të shekullit të XVIII-të – dramaturgun Gotthold Ephraim Lessing, hyjninë zvicerane Johann Caspar Lavater dhe filozofin hebre Moses Mendelssohn. Fokusi i pikturës, rreth së cilës janë vendosur këto figura të mëdha të Iluminizmit, është një tabelë shahu. Lessing dhe Mendelssohn fillimisht u takuan në vitin 1754 pasi një mik i përbashkët ia kish prezantuar të parin tashmë të famshmit Lessing si një partner shahu. Ky qe një takim fatlum i dy njerëzve të shquar, por gjithashtu dhe i dy kulturave. Tek “Nathan the Wise”, pjesa që rezultoi të jetë punimi më popullor i autorit të saj, Lessing, kristiani, paraqet një Mendelssohn të idealizuar si Nathan: të zgjuar, të ndritshëm dhe hebre. Progresi i shahut nga kalim kohe në maturi artistike apo shkencore u përshpejtua nga asimilimi hebre, i cili transformoi Bildungsbürgertumin ose klasën e mesme të arsimuar gjermanishtfolëse në agjente të reformës moderniste. Kjo simbiozë gjermano – hebreje siguroi kontekstin kulturor në të cilin shahu mund të bëhej krijim intelektual par excellance dhe nga mesi i shekullit të XIX-të e këtej, një përqindje e jashtëzakonshme e gjeshtrave të shahut, përfshi shumicën e kampionëve të mëdhenj të botës, kanë qenë hebrej. Shahu është një rast special për një fenomen më të përgjithshëm – koeficentin intelektual IQ më të lartë se mesatarja e “hebrejve ashkenazitë me origjinë evropiane” – i cili ngre shumë pikëpyetje dhe akoma kundërshton një shpjegim të thjeshtë. Ne nuk e dimë nëse hebrejtë patën një dispozitë të trashëguar për të shkëlqyer në shah apo qenë të tërhequr nga loja sepse intelektualisht sfiduese, kompetitive, sport sedentary që i përshtatej prototipit mbizotërues hebre në Evropën e shekullit të XIX-të. Ajo që dimë është se ajo çka Gerald Abrahams identifikoi si “mendje shahu” – një kombinim i kujtesës, logjikës dhe imagjinatës – ka shumë të përbashkët me aftësitë që qenë dhe janë karakteristike të jetës intelektuale hebreje. Mbi të gjitha, studimi i teksteve të shenjta të çon tek një lojë lidhur me të cilën janë shkruar më shumë libra se në të gjitha të tjerat të marra së bashku. Loja e librit duket të ketë pasur një sharm shumë special ndaj njerëzve të librit. (History Today)

In : Aktuale

Loading...
loading...