Shpërthen gjuhëtari i njohur nga Struga:“Mëkatet e politikës” dhe taksirati i shqiptarëve

“Mëkatet” dhe taksirati i shqiptarëve

(të anatemuar nga liderët e tyre)

Tahir Hoda-Strugalajm.com

Duke qëndruar para ekranit (mirë që mbrëmë mbaruan llomotitjet) këto ditë të “nxehta” parazgjedhore, kur sheh surratet e shëmtuara të padronëve politik, me llomotitjet e tyre të dalura boje, me përsëritje demagogjike, të frazeologjisë boshe – të mësurara si ligjerime papagajsh, “në interes” kombëtar (për xhepat e tyre që kurrë s’u ngopën) nuk mund të rrijë indifferent njeriu që ndihet shqiptarë, – pavarësisht se të pafytyrët nuk shkuqen për bëmat e tyre të poshtra.

Mundohem të veçoj jo një “të mirë” po të paktën një më pak të keq nga palaçot e kombit, që na e nxinë jetën këto vite të “prularizmit” me mynxyrat që sollën por që të gjithë më dalin si thasët e qymyrit, secili më i zi se tjetri.

  • Ç’të them për “vëllezërit” e shpifur e të përbetuar të miallkovëve, demagogët analfabet të “luftës”, që solli “mrekullitë”, sahanlëpirësit që dje villnin vrer në krah të vojvodëve duke sharë të tjerët, në të mirë të të parëve, – pra që dje shanin e sot lëvdojnë. Hakërrim e quan këtë Ali Asllani, që aq shumë e njohu traditën dhe shpirtin e shqiptarit “…hani, pini e rrëmbeni…”, sepse që nga Kumanova hallemadhe e gjer në Strugë përmes analfabetëve të Shkupit, rrasollxhinjve të Pollogut (vojvodëve dhe brat lubeve), Zajazit (që i raftë pika) me barinjtë psikopat e analfabet që për kaq vite nuk i mësuan dy “llafe” pos kalit të Shemes dhe dygjuhësise që na vollën për kaq vite, ballukexhinjtë që s’dinë gjë tjetër pos “huazimeve bombastike”, që parafrazojnë për të marrë duartrokitje duke tundur sa majtas aq djathtas flokët që ua kanë zënë ballin mbi sytë miope…?!

E çtë themi më tepër për “herojntë e vigut” që zoti i vraftë, – siç mallkonte Halla Nepe e mohallës në moshën time të fëmijërisë!…

Të tjerët zgjedhin kalin e ne si gjithmonë do të mbajmë samarin mbi shpinë prej “atit sllav” si gjithmonë kurse ne u bëmë gazi i botës mes vedi duke trazuar edhe eshtrat e prindërve të vdekur për hatër të shkjaut. Edhe “opozitarët” – mjeshtër të demagogjive, bëjnë gati strajcat me votat që do të mbledhin nga fakirët e ngratë që u shkojnë pas si kau pas demave që ndiqnin lopën me shpresë se mos po thyhet ndonje gardh e ata të hanë lakrën. Të gjorët, nuk e dinë se votat e tyre do të nxirren në ankand: kush jep më shumë apo premton një funksion për padronët apo familjarët e tyre. Prandaj ndjej një pikëllim të thellë edhe për të respektuarin Reka.StrugaLajm

Ju o “pashallarët” e kombit, mjaft më me lepe – peqe. Lërini njerëzit në hallet e tyre, sidomos gurbetqarëve që ua rrjepët lëkurën, duke llomotitur premtime që kurrë s’i realizuat. Stop kohës suaj o çakej, o maskarenj kleptomanë (hajdut ordiner) që “punësoni” administratorë me ryshfet e që kurrë s’e patën fatin të zënë vendet e punës nëpër sportele për të na shërbyer ne të përvuajturve të moshuar që s’e patëm fatin të komunikojmë shqip ndër dekada, duke na ikur jeta me mynxyre.

Mjaft na ngopët me “Universitete” që bluajnë si mullinjtë e erës së Miguel Servantesit diploma analfabetësh dhe “doktoratura” të dalura boje. Ju u bëtë pështima e gjakosur e kombit tuaj të veremosur. Mjaft më me kolltuqet ku jeni ulur këmbëkryq në emër të popullit që e keni bërë pronë tuajën private si grigjen e deleve (të Kërçovës)dhe i hiqni zvarrë si të varurin në litar. Mjaft e hoqet popullin për hunde në interes të “mikut” tuaj që ndër vite loz e qesh, e ti i thua vëllait tënd “o i biri i Hamzait”… dhe kujt pra, – djalit të profesorit tim të nderuar Hamza Rekës (ndjesë pastë) që ma nënshkroi edhe mua diplomën e gjuhtarit bashk me të nderuarit Pjetër Janura dhe Remzi Nesimi, pra atij që m’i mësoi rregullat e drejtshkrimit, fonetikën, morfologjinë dhe sintaksën, me të cilat unë dhe shokët tjerë për kaq dekada shpërndamë dritën e diturisë për të shkruajtur shqip pa gabime. Në saje të punës së tij edhe sot unë po ju shkruaj pa droje dhe gabime juve zotërinj “të nderuar” pavarësisht se e vërteta është e hidhur dhe ju djeg.

Dhe sinfonia vazhdon si edhe minxyret e matrapazëve të kombit tim. Por në respekt të lexuesve të nderuar, mbetem me shpresë se:

  • Koha dridhet e perdridhet, por do të vijë dita që maskat tuaja të çjerra do të bien dhe problemet tona do të zgjidhen. Nga trastat tuaja pema e kalbur domosdo që jasht do hidhet. Dhashtë zoti sa më parë – AMIN.

Prill 2019

Tahir Hoda

In : Aktuale

Loading...
loading...