SHQIPEN TA MBROJMË NGA VETVETJA

Shkëlzen Halimi

Qeveria e Maqedonisë, me qëllim të mbrojtjes dhe përdorimit të drejtë të gjuhës maqedonase, ka paralajmëruar punësimin e lektorëve në të gjitha institucionet shtetërore, siç janë Qeveria, Kuvendi, ministritë, pushteti lokal, universitetet, institucionet shkencore, mediumet etj. Po kështu, propozohet edhe mësimi i domosdoshëm i gjuhës maqedonase (në dy semestra) në të gjitha institucionet e larta arsimore. Në këtë mënyrë, sa i përket kultivimit, ruajtjes, përdorimit, por edhe pengimit të mohimit të brendshëm dhe të jashtëm të gjuhës maqedonase, kujdesi i shteti do të jetë i garantuar. Natyrisht, këtu nuk ka asgjë të keqe. Por, shtrohet pyetja: sa kjo çështje do të jetë motivim apo frymëzim për kultivimin, ruajtjen dhe përdorimin e gjuhës shqipe.
Shembujt e abuzimit me gjuhën shqipe (në Maqedoni) janë kudo rreth nesh. Mjafton vetëm t’i shikojmë shpalljet nëpër vitrina të shitoreve të ndryshme dhe do të kuptojmë se në ç’derexhe është gjuha jonë amtare. Politizimi i institucioneve arsimore ka ndikuar drejtpërdrejtë në trajtimin e mjerë të shqipes, edhe atë në të gjitha nivelet. Sot janë të paktë ata individë me “përgatitje” superior që dinë ta shkruajnë pa gabime një lutje të thjeshtë. Kuptohet, ne kemi nevojë për profile të ndryshme me përgatitje të lartë, por me kusht që të jenë në gjendje të flasim dhe të shkruajnë pastër në gjuhën shqipe. StrugaLajm


Në vend që kësaj çështje t’i përkushtohemi në mënyrë më serioze, ne vazhdojmë të prodhojmë analfabetë, të cilët politika i ka vendosur aty ku absolutisht nuk e kanë vendin. Ndaj dhe kjo ka bërë që të katandisemi dhe t’i bëjmë, për shembull, specat djegës në speca të zemëruar (ka edhe shqiptarë të shkretë që mendojnë se fjala LUT gjithmonë në shqip përkthehet si ZEMËRIM). Janë edhe mijëra shembuj të këtillë që i gjen në mjediset shqiptare që nga Kumanova e deri në Strugë.
Prandaj, mësimi i gjuhës shqipe duhet të jetë me prioritet në të gjitha institucionet arsimore në gjuhën shqipe, sidomos për këtë çështje duhet të këmbëngulet në të gjitha drejtimet e arsimit sipëror. Duhet të pajtohemi me faktin se gjuhën shqipe së pari duhet ta mbrojmë nga vetvetja dhe pastaj nga të tjerët. Në kontekst të kësaj është edhe fakti se aktualisht është pak e besueshme se mund të gjejmë edhe lektorë të mirëfilltë. Kurse këtë do ta arrijmë vetëm kur të fillojmë të mendojmë shqip. Pastaj, do ta kemi më lehtë të flasim dhe shkruajmë shqip…StrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...