SHQIPTARËT NË MAQEDONI NUK KANË NEVOJË PËR NGUSHËLLIM, POR PËR SHPËTIM!

Abdulla Mehmeti

Përsiatje

Të sëmurin nuk e shëron sasia e ilaçit, por cilësia e tij. Edhe situatën e ndërlikuar në të cilën lëngon populli shqiptar në Maqedoni një periudhë të gjatë, nuk mund ta ndryshojë bashkimi formal i disa partive politike të opozitës, sa për të ardhur ato në pushtet në vend të partive të pozitës, por koncepti dhe strategjia e veprimit ndryshe për zgjidhjen e problemeve të grumbulluara një periudhë të gjatë.

Ku kanë qenë dje, ku janë sot dhe ku duhet të jenë nesër shqiptarët në këtë shtet, në kontekst më të gjerë rajonal dhe global, përgjigje nuk mund të japin ata që kanë qenë në pushtet deri më sot dhe asgjë nuk kanë ndërmarrë për përmirësimin e kësaj gjendje, si për shembull, për parandalimin e shpërnguljes së 1/3 së banorëve shqiptarë në botën e jashtme.

Sigurisht se, këta njerëz nuk i braksisin vatrat e tyre nga e mira, por nga qeverisja e keqe nga pushteti i derisotëm, në të cilin kanë marrë pjesë aktive edhe partive politike të tyre, tri dekada me radhë, të cilava qytetarët shqiptarë u kanë besuar dhe i kanë votuar symbyllur. StrugaLajm

Partitë e opozitës shqiptare duhet të japin prova se janë ndryshe dhe këtë kanë mundësi ta bëjnë edhe sot me veprimet e tyre, jo t’i ushqejnë qytetarët me premetime dhe propagandë se nesër mund të bëhet mirë, pas zgjedhjeve parlamantare të 12 prillit, nëse ato do të fitojnë. Drejtuesit e partive politike të opozitës, por edhe qytetarët dhe votuesit potencialë të tyre, duhet ta dinë se edhe ato kanë marrë pjesë në disa cikle zgjedhore të mëparshme (parlamentare, lokale dhe presidenciale), por me asgjë nuk e kanë dëshmuar se mund të bëjnë ndonjë çudi në të mirën e këtij populli, i cili e ka humbur besimin dhe shpresën në gjithçka.

E mira e stërvonuar nuk do të ketë asnjë kuptim në shtetin e të nesërmes së premtuar, por të zbrazur nga shqiptarët!

(24 janar 2020)


Loading...
loading...