Shqiptarizmi, letërnjoftimi i shqiptarëve

Xhemi HAJREDINI

Apostull i idesë kombëtare është shqiptarizmi. Respekt, mirëkuptim, paqe me të gjithë njerëzit e çdo besimi apo etnie qofshin, pa supermaci, por SHQIPTARI duhet të falet, t’i lutet Zotit, të jetojë e të vdes si shqiptar. Luftërat fetare janë të panjohura për shqiptarët. Shqiptari para së gjithash është shqiptar, e kanë konfirmuar edhe të huajt këtë konstatim. Diga mbrojtëse, diga e rezistencës kundra sfidave aktuale politike dhe jo vetëm është shqiptarizmi. Kemi takime të shpeshta me arbëreshët e Italisë. Pas kaq shekujsh të larguar e të ndarë nga trupi i atdheut sapo t’i thuash që je shqiptar të shtrëngon fort e të do pa masë (pa të pyetur fare se cilës fe i takon dhe si e ke emrin). Gjaku nuk bëhet ujë. Me emër e me dokumente ata janë shtetas të Italisë por në damarët e tyre qarkullon gjak shqiptari, edhe pas afro gjashtë shekujsh ata nuk kanë reshtur së thëni jemi ARBËRESHË. Shqiptarë, kosovarë, arbëreshë, shqiptarë të Maqedonisë, shqiptarë muslimanë, ortodoksë apo shqiptarë katolikë, janë të gjithë SHQIPTARË. Duke mbrojtur vlerat tona kombëtare, tolerancën e trashëguar ndërfetare, trashëgiminë nga të parët, do të jemi komb më i dashur dhe më i respektuar nga të tjerët. Nuk duhet të përziemi në punët e të tjerëve. Secili le t’i lajë të palarat e veta.

 

TË HUAJT NA NJOHIN E NA RESPEKTOJNË SI SHQIPTARË

“E njoh paksa historinë shqiptare, e kam studiuar dhe është shumë e bukur. Bëhet fjalë për një popull që ka identitet dhe krenari. Mbi të gjitha më bënte përshtypje kur lexoja në libra se: “Feja e shqiptarit është Shqiptaria”. Kjo të bën të kuptosh bashkimin e madh që ekziston, përtej diferencave, mes të cilave edhe fetare. Gjëja më e rëndësishme është që të gjithë ndihen shqiptarë dhe kjo është një vlerë e jashtëzakonshme.” – është shprehur portieri i kombëtares italiane, Xhanluixhi Bufon, para ndeshjes Shqipëri-Itali në Shkodër.

StrugaLajm

AMANETI I MJEKUT AUSTRIAK THOMAS REITER

Thomas REITER, i lindur dhe i rritur ne Vjenë, me origjinë nga jugu i Austrisë, respektivisht nga Kärnten (Feldkirchen), ka punuar në Spitalin e Villachut, bashkë me mjekun shqiptar nga Struga, Lirim Hyseini. Ishim miq të ngushtë, tregon mjeku strugan. Ai ishte mjek pediatër. Ishte shumë i arsimuar, kishte lexuar pamasë, shumë i arsyeshëm e zemërgjerë. Përkatësia nacionale apo fetare për të nuk luante kurrfarë rëndësie. Në Shqipëri dhe në Strugë kishte ardhur gjithsej tri herë. Shqipëria i hyri menjëherë në zemër, posaçërisht Dhërmiu, i vendosur buzë detit Jon. Ndërkaq, kur ishim njëherë te varrezat e f.Dollogozhdë (Strugë), tregon mjeku strugan, miku im austriak, i sëmurë nga tumori malinj në tru, më tha: “Sikur të mundja e të zgjidhja se ku duhet të prehem, do ta zgjidhja pa mëdyshje fshatin Dollogozhdë.”  Para vdekjes, mjeku Thomas Reiter, planifikoi vet ritualin e varrimit dhe sipas amanetit të tij të fundit, pasi ndërroi jetë, ai është varrosur me qeleshe të bardhë dhe një gur që e kishte marrë nga një plazh në Dhërmi të Shqipërisë. Mjeku i ndjerë austriak, pa ia sugjeruar askush, qeleshen e bardhë e ka mbajtur edhe kur ka qenë gjallë, duke theksuar: “Plisi i bardhë më jep energji pozitive”.

Në pyetjen time se pse gjithë kjo dashuri e një mjeku të huaj për ne shqiptarët, mjeku strugan, Lirim Hyseini thekson: “Kishte lexuar shumë për ne shqiptarët. I pëlqente natyra dhe klima e Shqipërisë, u dashurua me fshatin Dhërmi në Shqipëri dhe me Strugën tonë pitoreske. I pëlqente mikpritja shqiptare, burrat me qeleshe. Këto troje dhe kjo bujari shqiptare e kishin bërë për vete mikun tim Thomas, përfundon rrëfimin e tij Lirim Hyseini.”StrugaLajm

ROBERT ELSIE DHE AMANETI I TIJ

Para disa ditësh u nda nga jeta edhe një mik i shtrenjtë i kombit shqiptar, Robert Elsie, shkrimtar, përkthyes, interpret dhe albanolog.
Amaneti i Robert Elsie: “Dua të prehem në Shqipëri!”

Çka ndodh? Mos vallë të tjerët (të huajt) na duan më shumë sesa ne vetveten?! Le ta konsiderojmë veten fatlumë që ishim bashkëkohës të këtij shqipfolësi të ndritur, që ka qenë më shqiptar se shumë shqiptarë me gjak e me gjuhë, që shqipen e kombin e vet i kanë hedhur pas shpine – do të shprehet intelektuali nga Shkodra, Stefan Paloka. Robert Elsie guxonte si një intelektual i lartë, ai e mbrojti Shqipërinë dhe çështjen shqiptare në botë, e bashkoi në veprën e tij me Kosovën dhe Çamërinë, pa u tërhequr nga kërcënimet ballkanike e mosmirënjohja. Ai i dha zë Shqipërisë – do të shtonte shkrimtari i njohur Visar Zhiti. Poetja dhe shkrimtarja e njohur Flutra Açka, do të shtonte: “Vepra e këtij njeriu modest në natyrën e tij njerëzore, por e papërmasë si pasuri për ne, ka qenë engjëlli i vërtetë mbrojtës dhe i pazëvendësueshëm për kulturën shqiptare. Ai la pas një vepër të jashtëzakonshme dhe të pazëvendësueshme.  Ne shqiptarët e sotëm mbase nuk do ta dimë mjaftueshëm kush është Robert Elsie, letrat shqipe sot mbase prej shkujdesjes, nuk e kanë patur vëmendjen e duhur ndaj këtij titani letrash, por brezat që do të vijnë, do ta kuptojnë që ky njeri i thjeshtë dhe jashtëzakonisht punëtor, ka qenë një nga njerëzit më punëtorë të letrave që i ka bërë një shërbim të tillë kulturës dhe çështjes shqiptare në përgjithësi.

“Ne i kemi të ndryshme Bajram e Pashkë, por besë e nder i kemi bashkë” – ka thënë Arshi Pipa, një veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, që ka vepruar në SHBA. Atdhedashuria, shqiptarizmi, janë ndjenja të thella shpirtërore dhe këto nuk mund të injorohen. Me këto virtyte kemi bërë miq e dashamirë të kombit e të vendit tonë. Vlerat e shqiptarizmit janë letërnjoftimi i shqiptarëve. Gjithsecili send në vendin e vet. Atdhedashuria është pjesë edhe e besimeve fetare. Nuk besoj të ketë ndonjë konflikt interesi midis dashurisë së një personi ndaj atdheut dhe dashurisë së tij ndaj Zotit. Megjithatë imazhi i kombit në botë pasqyrohet nëpërmjet vlerave kombëtare, gjuhës, kulturës, traditave, trimërisë, zhvillimit ekonomik, nëpërmjet paraqitjes së natyrës së bukur e të mbrojtur, sigurisë, të qenurit shqiptarë i mbarë, i mirë, i lirë…

Një nga virtytet e shqiptarit është edhe mirënjohja. Duhet ta duam më shumë vetveten dhe atdheun tonë.

Detyrat tona janë: “T’i ndryshojmë gjërat që duhet ndryshuar!” Të mos rrimë këmbëkryq e të presim, si i thonë fjalës, prit gomar të mbijë bar!” Besoj të jem kuptuar drejt! Le ta duam edhe ne shqiptarizmin sa të huajt, Bill Klinton, Thomas Reiter, Robert Elsie dhe miq të tjerë. Pse mahniten të huajt me identitetin tonë të lashtë, me vlerat dhe bukuritë e trojeve tona? Pse i braktisim ne këto vlera dhe këto troje pa patur nevojë?! Le të bëhemi edhe ne pak amerikanë e të themi: “Mos pyet se çka bërë vendi im për mua, por çfarë kam bërë unë për vendin tim!”. Shqiptarizmi është letërnjoftimi i shqiptarëve.


Loading...
loading...