Shtrenjtohet jetesa, goditen të varfrit

Eksperti ekonomik Neritan Turkeshi thotë se në vendin tonë, por edhe në rajon dominojnë të ardhurat e dobëta, me të cilat mezi mbijetohet muaji, andaj edhe një luhatje çfarë do e çmimeve na tremb tej mase

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 7 tetor – Çmimet e larta të ushqimeve ku vetëm vaji për ngrënie apo një kile domate kanë arritur çmimin afër 100 denarë, një lavazh i veturave është rritur nga 100 në 200 denarë, rritja eventuale e tyre e ushqimeve deri në 50 për qind deri në fund të vitit, rritja e çmimit të karburanteve, këto kanë qenë vetëm disa nga shkaqet e brengosjes së qytetarëve në periudhën e kaluar për një rritje të inflacionit apo uljes eventuale të vlerës së parasë mbi parashikimet prej 2.2 për qind të përcaktuara nga Banka Qendrore. Ky institucion vlerëson se inflacioni do të shënojnë një përmirësim të butë në vlerësimet që do të ofrohen në muajin nëntor. Një nga mënyrat që mund të përdoret në rast nevoje do të jetë edhe ngrirja e çmimeve të produkteve themelore nga ana e qeverisë, ndërsa në rast nevoje do të ngrihet kredi marrja. Nga Banka Popullore thonë se kur bëhet fjalë për rritjen e inflacionit duhet sqaruar se sa bëhet fjalë për inflacionin të importuar nga energjenset dhe ushqimet që blihen në tregjet e jashtme. Njëherësh shtojnë se duhet të vlerësohen edhe faktorët që do të ndikojnë ndaj inflacionit në periudhën e ardhshme. Guvernatorja Anita Angellovska Bezhovska thotë se me kujdes e ndjekin situatën dhe në rast nevoje edhe do të intervenojnë eventualisht me shtrëngimin e politikës monetare, dhe atë vetëm në rast se kemi rritje tejet të madhe në anë e kërkesës që do të lëvizte çmimet, ndërsa në këtë rast bëhet fjalë për ofertën .StrugaLajm

StrugaLajm

Nga ana tjetër eksperti ekonomik Neritan Turkeshi thotë se në vendin tonë, por edhe në rajon dominojnë të ardhurat e dobëta me të cilat mezi mbijetohet muaji, andaj edhe një luhatje çfarë do e çmimeve na tremb tej mase. “Kemi nivelin e lartë të varfërisë ku afër 450 mijë persona kërcënohen nga kushtet e vështira të jetesës, njerëzit kanë të ardhura të ulëta karshi nevojave mujore dhe rritjet kaq të mëdha të më shumë produkteve ushqimore dhe shtrenjtimi i jetesës përbëjnë shqetësim të madh për popullatën”, thekson Turkeshi. Ai shton se fakti se pesha e ushqimit në shportën e konsumit të një vendi tipik të zhvilluar luhatet në nivelin prej 10 deri në 15 karshi së paku tre herë më shumë se tek ne, bën që edhe presionet e inflacionit, qoftë edhe të përkohshme, po dëmtojnë në një disproporcion të zhdrejtë jo vetëm shtresat në nevojë në Maqedoninë e Veriut, por edhe një pjesë të madhe të të punësuarve dhe pensionistëve që kanë të ardhura të pamjaftueshme të kapërcejnë muajin.

Ndryshe, rritja e inflacioni gjithandej globit, sipas “Forbes”, vjen si rezultat i hapjes së ekonomisë pas futjes në kontroll të pandemisë, e cila çoi në rritje të kërkesës nga konsumatorët, plus kufizimet e zinxhirit të furnizimit. Kjo shpjegohet me atë se shumë kompani përballen me vështirësi në gjetjen e lëndës së parë si dhe fuqisë punëtore për të prodhuar produktet e tyre. Gjithë kjo e shoqëruar me rritjen e kërkesës së konsumatorit, përbënë katalizatorët kryesorë të rritjes së inflacionit.

Në vitin 2020, norma e inflacionit në të gjithë botën arriti në afërsisht 3.2 për qind në krahasim me vitin paraprak. Inflacioni shpesh përcaktohet si një rritje e vazhdueshme e nivelit të përgjithshëm të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve. Megjithatë, pritjet e ekonomistëve janë që inflacioni në 2021 të zbutet pasi të lehtësohen pengesat kyçe, por prapë do të jetë më i lartë se mesatarja e viteve 2016-19, para pandemisë. Me pak fjalë, inflacioni më i lartë ka të ngjarë të qëndrojë me ne edhe për një kohë. Gjithashtu, mbas thuajse 13 vjetësh ku ekonomia e vendeve të zhvilluara, por edhe të pjesës tjetër të botës, dominohej nga inflacioni i ulët dhe politikat monetare tejet lehtësuese, në 2021 normat e larta të inflacionit janë rikthyer sërish. Të gjithë bien dakord se zhvillimet ekonomike pas pandemisë janë ato që po ndikojnë në tendencat inflacioniste, për dy arsye kryesore. Nga ana e kërkesës, qytetarët e mbyllur si pasojë e masave kufizuese kanë një dëshirë të madhe për t’iu kthyer jetës së mëparshme duke rritur kështu konsumin e popullatës. Nga ana e ofertës, ky konsum i rritur nuk përballohet dot nga ana logjistike dhe e transportit të mallrave dhe shërbimeve në botë, duke krijuar mungesë produktesh në segmente të caktuar të tregjeve.

In : Aktuale

Loading...
loading...