Si të shpëtojmë nga “monstrat” me diplomë?!

Të gjithë treguesit flasin se nëpër universitete po regjistrohen studentë që kanë probleme elementare të mosdijes dhe kjo gjendje i përshkruhet dobësive të shumta që aktualisht ka shkollimi fillor e i mesëm. Nëse tolerohet kjo gjendje edhe në të ardhmen, atëherë janë shumë të mëdha gjasat që shoqëria të paguaj kosto të lartë shumëzimin e “monstrave” me diplomë, të cilët objektiv final kanë zënien pa meritë të ndonjë vend pune, por jo përvetësimin e dijeve për të ushtruar denjësisht profesionin

Nga Emin AZEMIStrugaLajm

Një ekspert i huaj i arsimit ishte ngarkuar që të inspektojë gjendjen e institucioneve të larta arsimore dhe në fund të hulumtimit të tij iu kishte rekomanduar kolegëve të këtushëm universitarë që para se të merren me arsimin superior le të përqendrohen pak më tepër në shkollat fillore dhe të mesme. Ai qëllimisht nuk kishte dashur ti ofendojë kolegët e tij, sepse edhe ndonjëri prej tyre kishte nevojë të kthehet edhe një herë në shkollë fillore e të mesme, për ndonjë tabelë shumëzimi apo çështje drejtshkrimi, për arsye se qëllimi i tij kishte qenë të ndihmojë e jo të prishë punë.
Tani kur po mbyllet edhe ky vit akademik, niveli i suksesit në shkollat tona është si mos më keq. Nga një hulumtim që ka bërë gazeta jonë rezulton se nota mesatare nëpër shkolla është mjaft e ulët dhe prej tyre vetëm një shkollë ka mesatare mbi 4, ndërsa shumë shkolla mezi arrijnë në notë mesatare 3. Nga qindra shkolla të mesme, rreth 40 shkolla kanë mesatare më pak se 3. Për dallim nga shkollat e mesme, lista me shkollat fillore të Shkupit tregon se mesatarja e tyre është diçka më e lartë. Në nivel komunal ku ka më shumë se 5 shkolla të mesme, notë mesatare më të mirë kanë shkollat në Manastir – 3.36, në Shkup – 3.23, Kumanovë – 3.19, Prilep – 3.07.
Kjo ishte mesatarja e përgjithshme e shkollave në mbarë Maqedoninë, mirëpo kur të shikohet specifikisht gjuha mësimore, rezulton se Tetova ka rezultate më të dobëta me mesatare 2.66.
Pastaj vjen gjimnazi i Sarajit me mesatare vetëm 2.86, gjimnazi “Zef Lush Marku” në Shkup -2.88, “Cvetan Dimov” – 2.59, “Dr Pance Karagjozov” – 3.58, “Arseni Jovkov” – 2.78, “Marija Kiri Sklodovska” – 2.96 etj.
Ja pse eksperti i huaj i arsimit kishte këmbëngulur që energjitë tona të përqendrohen në ngritjen e cilësisë së shkollimit fillor dhe të mesëm, për arsye se ato janë fidanishte që sigurojnë fryte për nivelet superiore të arsimit. Siç edhe mund të shihet nga gjendja e mësipërme, shkollat tona fillore e të mesme, sidomos me mësim në gjuhën shqipe, jo vetëm që nuk janë të denja të përgatisin studentë të ardhshëm, por ato mund të bëhen pengesë edhe për shoqërinë, sepse me nxënës të dobët mund të formohet ndonjë bandë keqbërësish, por jo edhe profesionistë të denjë.
Në Strategjinë e re arsimore duhet patjetër të përfshihen masat konkrete që do ta konsolidonin performancën edukative dhe metodike në arsimin fillor e të mesëm. Kjo duhet të bashkëshoqërohet edhe me një sërë risish kreative nga vetë personeli arsimor, të cilët duhet patjetër dijet e tyre ti freskojnë me njohuritë bashkëkohore pedagogjike që aktualisht praktikohen në Europë.
Një shoqëri mbetet e pangritur nëse përpjekjet tona në arsim kufizohen vetëm brenda nismave për të hapur shkolla dhe për të prodhuar kuadro. Cilësia, aq shumë e munguar në shkollat tona, duhet të jetë prioriteti i politikave tona arsimore, kurse kjo mund ta arrihet me një seriozitet më të madh të vetë arsimtarëve, kuptohet me mbështetje nga institucionet përkatëse dhe nga bashkësia e prindërve. Të kota janë përpjekjet për të patur arsim të mirëfilltë universitar, nëse çalon arsimi parauniversitar. Të gjithë treguesit flasin se nëpër universitete po regjistrohen studentë që kanë probleme elementare të mosdijes dhe kjo gjendje i përshkruhet dobësive të shumta që aktualisht ka shkollimi fillor e i mesëm. Nëse tolerohet kjo gjendje edhe në të ardhmen, atëherë janë shumë të mëdha gjasat që shoqëria të paguaj kosto të lartë shumëzimin e “monstrave” me diplomë, të cilët objektiv final kanë zënien pa meritë të njw vendi pune, por jo përvetësimin e dijeve për të ushtruar denjësisht profesionin. (koha.mk)StrugaLajm


Loading...
loading...