BLENDI PETROL
AktualeKuriozitete

Si u prodhua traktori i parë shqiptar, flet kryeinxhinieri

Maqo Bleta ish-kryeinxhinieri i Kombinatit të Autotraktorëve: Prodhuam 100 traktorë për tre vjet, ndërsa në Kinë një i tillë montohej për një minutë. Pas suksesit kryeministri Mehmet Shehu na tha: “Keni kryer detyrën”

Nga Leonard Veizi

Traktori duhej prodhuar, qoftë dhe për t’i treguar botës se Shqipëria e vogël mund të bënte gjëra të mëdha. Në vitet kur nuk kishim më miq që të na ndihmonin, gjithçka duhej bërë “me forcat tona”…

Data e prodhimit

Traktori i parë shqiptar, i njohur si produkt “Made in Albania” e ka fillimin e tij në vitin 1978, kur pas ngritjes së Kombinatit mekanik të Auto-traktorëve, nisi me prodhimin e pjesëve të para të këmbimit për motorët e automobilave dhe të traktorëve.

Traktori i parë shqiptar, tip DT-54, sipas modelit kinez të traktorëve me zinxhirë të asaj kohe zyrtarisht, është përuruar më 16 tetor 1978. Daton në 16 tetor, pikërisht në ditën e 70 vjetorit të lindjes së Enver Hoxhës, dhe kjo është sanksionuar edhe në një pllakat të vendosur në ballinën e traktorit.

Kryeinxhinieri

Për të paktën 10 vjet rresht ai ka qenë njeriu i dytë i një prej uzinave më të rëndësishme të industrisë mekanike shqiptare, siç ishte “Uzina e Traktorëve”. Ndërsa i pari i kësaj uzine ishte Pilo Peristeri, ish-anëtar i Byrosë Politike të cilit Enver Hoxha i pat besuar drejtimin e këtij segmenti të industrisë së rëndë. Maqo Bleta, ish- kryeinxhinieri i Kombinatit të Autotraktorëve, e më pas ish-zv/ministër i Industrisë, rrëfen se si u realizua projekti për prodhimin e traktorit të parë shqiptar, në përurimin e të cilit shkoi vetë kryeministri Mehmet Shehu i cili për punonjësit e Kombinatit bëri dhe një shoë duke manovruar me traktorin e prodhuar prej tyre..

 

Specializimi në Kinë

Maqo Bleta thotë se vajtja në Kinë qe një shkollë e dytë për të. “Në atë kohë tek ne ekzistonte një uzinë mekanike shumë pak e zhvilluar. Praktikën në Kinë, e bëra tek Uzina e Parë e Traktorëve, me rreth 250 mijë punëtorë, ku në çdo 50-60 sekonda prodhohej një traktor. Vetëm një repart instrumental kishte 35 mijë punëtorë. Atje u njoha me shumë gjëra: organizimin e projektimit të dokumentacionit teknologjik e arkivimin e tij, që tani quhet gjë e thjeshtë. Imagjino që një traktor kishte rreth 2500 detale dhe për t’i prodhuar ato nevojiteshin rreth 30 mijë lloje atrecatura teknologjike si instrumente prerës, ndihmës, matës, forma, konkilje, pajisje teknologjike, stampa të ftohta e të nxehta. Të gjitha këto duhet t’i gjeje në një arkiv teknik për disa sekonda. Atëherë duhej një sistem i tillë organizimi që të gjeje sa më shpejt dokumentacionin”.

 

Sistemimi i dokumentacionit

“Në Kinë pashë sistemin decimal të arkivimit dhe sistemimit të dokumentacionit teknik që ishte një sistem i panjohur për mua, por shumë praktik. Me atë sistem mund të gjeje një dokument për 5-6 sekonda. Dhe kjo qe një arritje për prodhim traktorit të parë shqiptar, përndryshe krijohej një konfuzion i madh në dokumentacionin. Një traktor që peshon rreth 5 ton, mbështetet vetëm në informacion. Sot me kompjuter deshifrohen menjëherë, por 40 vjet më parë ishte e vështirë. Atje mësova se si prodhohen çiftet e precesionit. Për këtë punë kur u ktheva shkrova një libër “Teknologjia e Prodhimit dhe e Riparimit”. Po kështu mësova prodhimin e ingranazheve konike, më dhëmbë helikoidalë me kënde nga 0-12 gradë që janë karakteristike në gjithë traktorët, veturat, makinat, nga ato të rënda deri të lehtat”, rrëfen Maqo Bleta.

 

Prodhimi i traktorit

Në vitin 1978 u arrit prodhimi i traktorit të parë shqiptar. Në Kombinat erdhën dy nga drejtuesit më të rëndësishëm të vendit, Hysni Kapo në linjën e partisë dhe Mehmet Shehu nga ekzekutivi. Maqo Bleta kujton. “Kryeministri hipi në traktor dhe në vend që t’i fuste marshin e dytë, i futi atë indietro. Mirëpo prapa ishin punëtorët që e kishin rrethuar nga entuziazmi. Fati që nuk u shtyp ndonjë. Pas kësaj kryeministri bëri ca prova. Traktori ka dy freksione. Një majtas e një djathtas. Mehmeti e shtynte freksionin për djathtas edhe traktori rrotullohej nga e majta dhe e kundërta. I bënte këto me qëllim që të shikonte reflekset dhe ngarkesën e traktorit. Kjo provë doli me sukses, nuk pati ndonjë problem. Megjithatë nuk na u dha ndonjë lavdërim. “Keni kryer detyrën”, na tha Mehmet Shehu”.

 

100 traktorët e prodhimit shqiptar

Kombinati i autotraktorëve prodhoi traktorin e parë dhe fill pas tij arriti të montonte dhe 99 copë të tjerë… Dhe kaq. “Prodhimi i traktorit, më tepër qe një simbol për t’i treguar botës se ç’ishte në gjendje të bënte Partia e Punës. Që ne çdo gjë e bëjmë me forcat tona. Ai traktor u prodhua ekzakt siç prodhohej në Kinë. Tek ne u bë në rrugë teknologjike, industriale kurse montimi i tij u bë në rrugë artizanale. Kjo kërkonte shumë kohë. Në Kinë bëhej në një minutë tek ne zgjaste mbi 10 ditë. Mirëpo, kur prodhonim traktorë, për shkak të kapacitetit të vogël, mbeteshin pa prodhuar pjesët e këmbimit. Se ne mund të prodhonim 30 copë traktorë në vit. Ndërsa pjesët e këmbimit prodhoheshin për 10-15 mijë traktorë. Prodhimi i traktorit “me forcat tona” vazhdoi për nja 3 vjet e pastaj u la sepse nuk kishte kapacitet uzina. Por prodhoheshin në sasi të vogla”, rrëfen Maqo Bleta, ish kryeinxhinieri i Kombinatit të Autotraktorëve./TEMA

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button