Sindromi i të qenit “i pari i katundit

Nga Emin AZEMI


Si të bëhesh bashkë, kur gjatë gjithë kohës bën politikë fragmentuese, krahinore e bajraktariste. Gjatë gjithë kohës, partitë opozitare shqiptare veprojnë secila sipas tekeve të veta. Atyre iu bie ndërmend të bëhen bashkë vetëm gjatë zgjedhjeve. Pasi të mbarojnë zgjedhjet, ato vazhdojnë avazin e vjetër. Kjo për arsye se në mendësinë provinciale të shqiptarëve në Maqedoni ende nuk është çrrënjosur sindromi i të qenit ‘i pari i katundit’. Asnjë prej këtyre që i thonë vetes lider, nuk pranon të rreshtohet në një platformë të përbashkët me partitë tjera, por secili prej tyre e projekton veten lider të madh, rreth të cilit duhet të ndodhë gjithë orbita e zhvillimeve kombëtare e politike. Këta më tepër vuajnë që të mbajnë epitetin ‘lider opozite’ se sa ‘argat i çështjes kombëtare’ në një ekip të gjerë ku jo gjithmonë duhet të ketë unitet mendimesh për gjithçka. Për rrjedhojë, skena politike e shqiptarëve këtu i ngjan një djathi poroz zviceran të cilin e grimcojnë sa herë që të duan ‘minjtë’ e salloneve politike maqedonase. Tani kur zgjedhjet e parakohshme (me shumë gjasë që ato të jenë të rregullta), tash më janë një realitet që pritet të ndodhin vitin që vjen, për shumë kënd po konsiderohen si riformatim i fuqisë politike të shqiptarëve, ndërkohë që askush nuk po merret me defektin e asaj që quhet pamundësi për të demonstruar në kontinuitet një unitet veprimi, pavarësisht se kur mbahen zgjedhjet. Pra, nëse bashkërendimi mendohet vetëm si çështje teknikaliteti, që do të formalizonte një koalicion të përkohshëm, vetëm sa për ta provuar partneritetin e radhës me akcilin kryeministër maqedonas, por pa kurrfarë kohezioni të brendshëm idesh e afinitetesh, atëherë ky është një unitet shumë mekanik që nuk prodhon kurrfarë mobilizimi politik tek masat. Në fakt një filozofi e tillë politike ka sjellë në popull më tepër hutesë se sa kristalizim qëndrimesh, kurse partive në pushtet iu jep mundësi të bëjnë hajgare me tryezën e liderëve opozitarë te Presidenti i vendit. Por, në anën tjetër edhe BDI nuk duhet të sillet si e pafajshme në këtë rrëmujë në të cilën ndodhet skena politike e shqiptarëve të këtushëm. Kjo parti, përmes lideri të saj disa herë ka kërkuar unitetin e partive opozitare, por në anën tjetër ka demonstruar deri në maksimum angazhimin shoqëror e institucional përmes prizmit puro partiak, duke mbyllur shumë dyer për alternativa mendimi e veprimi, duke pamundësuar që edhe intelektualë të caktuar që mbështesin opozitën të mos ndjehen keq në punët publike që ata bëjnë. Për hir të vërtetës ekziston në BDI një mendësi jo gjithaq e rrënjosur, por e cila ka ende vullnet për të anatemuar mendimin ndryshe, jo vetëm brenda, por edhe jashtë partisë. Dhe ky anatemim nuk bëhet hapur, por në mënyrë shumë të sofistikuar, me forma e metoda nga më të ndryshmet dhe këtë e vërejnë më së miri ata që paraqiten nëpër konkurse për vende pune nëpër institucionet publike e shtetërore. Ka të ngjarë që jo gjithmonë për këtë lloj animoziteti latent, që buron nga mendësia e të qenit i fortë, të jetë i njoftuar lideri i kësaj partie. Deri në zgjedhje ka edhe nuk ka kohë për ndonjë kthesë spektakolare, sidomos jo për ndonjë ide që do të sillte me çdo kusht unitet mekanik që mundohet të prodhojë një gjendje të re politike, apo një përmbysje çfarë ndodhi në Kosovë. Nëse skena politike e shqiptarëve të Maqedonisë do të duhej të stabilizohet për një kohë të gjatë, ajo do të instalonte një mendësi krejt të re, një mekanizëm tjetër në vendosjen e gjërave sipas prioriteteve, ku ardhja me çdo kusht në pushtet do të ishte prioriteti i fundit, kurse prioritet më madhore do të ishte krijimi i një diskursi të përbashkët që do të lëvizte kauzën shqiptare nga planimetria e mëhallës dhe katundit politik në dimensionin gjithëpërfshirës të interesave e afiniteteve përmbajtësore. Ata që do të arrijnë ta bëjnë këtë zhvendosje parametrash, vetvetiu e kanë të siguruar edhe ardhjen në pushtet, sepse në këtë mënyrë mund të bëhen më të besueshëm në sytë e njerëzve që votojnë. (koha.mk)
StrugaLajmStrugaLajm


Loading...
loading...