S’ka bllokadë të llogarive për rastet sociale

Përmbaruesit e Odës së Përmbaruesve të Maqedonisë (OPM) në mbledhjen e jashtëzakonshme që u mbajt të martën – për kryetar të ri zgjodhën përmbaruesin Zoran Dimov, shkruan gazeta KOHA. Sipas OPM-së, nga gjithsej 100 anëtarë – për Dimovin votuan 65 përmbarues, 22 votuan kundër ndërsa 14 përmbarues nuk ishin prezentë në mbledhje. Mbledhja e jashtëzakonshme u mbajt me kërkesë të një numri të madh të përmbaruesve për shkak të akumulimeve të shumta të pakënaqësive të punës së përmbaruesve, sidomos në pjesën që ka të bëjë më pagesën e dhunshme të borxheve, si dhe në shpërndarjen e jo të barabartë të lëndëve midis përmbaruesve. Për shkak të pakënaqësisë të përmbaruesve, 64 përmbarues dy muaj më parë nënshkruan peticion për shkarkimin e, tani ish-kryetarit Zoran Petrovski, i cili më pas dha dorëheqje të parakohshme nga funksioni i kryetarit të OPM-së. Kryetari i ri, Zoran Dimov, thotë se gjatë mandatit të ardhshëm do të punojnë profesionalisht dhe në programin e ri, i cili u pranua nga përmbaruesit, parashihen ndryshime të shumta të Ligjit për përmbarim. “Ndryshimet që parashihen në Ligjin për përmbarim do të mundësojnë që qytetarët të jenë më të kënaqur me mënyrën se si do të përmbarohen, por edhe përmbaruesit do të jenë të barabartë sa i përket shpërndarjes së lëndëve për përmbarim e jo si deri tani – kur pjesën më të madhe të lëndëve e kanë marrë një numër i vogël i përmbaruesve, të cilët kanë realizuar të hyra vjetore shumë të larta si dhe përfitime enorme personale” deklaroi Dimov. Dimov paralajmëron gjithashtu se kryesia e OPM-së do të kërkojë përjashtimin e qytetarëve nga përmbarimi, gjegjësisht rasteve sociale të mos u bllokohen llogaritë bankare. “Do të kërkojmë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale të përgatisin regjistër të saktë për të gjithë kryefamiljarët që janë bartës të ndihmave sociale dhe ai person që është bartës i ndihmave sociale, në të ardhmen nuk do të mund asnjë përmbarues ta bllokojë llogaritë e tij. Të gjithë këta persona nuk do të jenë pjesë e lëndëve për përmbarim”, deklaroi Dimov. Njëherësh, sipas tij, kryesia e re e OPM do të realizojë takime më të gjitha bankat komerciale në vend që në të ardhmen – të hyrat e qytetarëve në llogaritë bankare si rroga, bankat të bllokojnë vetëm një të tretën e rrogës e jo rrogën e plotë siç ka qenë deri më tani. “Bankat të cilët do të pranojnë urdhëresa nga përmbaruesit për bllokim të rrogës së borxhliut nuk do të mund ta bllokojnë rrogën e plotë, por vetëm një të tretën e rrogës. Nëse borxhliu ka të bllokuar një të tretën e rrogës me urdhër të përmbaruesit dhe nëse ky qytetar ka lëndë tjetër te përmbaruesi tjetër, përmbaruesi nuk do të këtë të drejtë të kërkojë bllokimin e një të tretës së rrogës derisa qytetari nuk e paguan borxhin e mëparshëm”, thotë Zoran Dimov, kryetari i ri i Odës së Përmbaruesve të Maqedonisë. (koha.mk)

StrugaLajm
In : Aktuale

Loading...
loading...