Aktuale

Spitalet pa barna

Megjithatë, pacientët janë duke vazhduar me vite të tëra të kujdesen vetë për barnat e nevojshme për trajtim. Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si qendër terciare referente për gjithë Kosovën, profesionistë shëndetësorë, por edhe pacientë, thonë për Radion Evropa e Lirë se ka mungesë të barnave esenciale

Institucionet publike shëndetësore vazhdojnë të përballen me mungesë barnash nga lista esenciale, si dhe të materialit shpenzues të nevojshëm për trajtimin e pacientëve. Buxheti për shëndetësi ndër vite ka qenë rreth 180 milionë euro, derisa për vitin 2018, ky buxhet është rritur në 200 milionë. Megjithatë, pacientët janë duke vazhduar me vite të tëra të kujdesen vetë për barnat e nevojshme për trajtim. Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si qendër terciare referente për gjithë Kosovën, profesionistë shëndetësorë, por edhe pacientë, thonë për Radion Evropa e Lirë se ka mungesë të barnave esenciale. Leonora Bajraktari, e cila kishte operuar vëllanë e saj në këtë institucion, tregon përvojën e saj lidhur me këtë çështje.

“Vëllai im është i shtrirë në spital dhe për fat të keq është dashur që çdo gjë ta blejmë ne. Është dashur t’i blejmë infuzionet, penjtë, dorëzat, pra çdo gjë, pasi as gjërat më elementare nuk i kanë për ofrimin e shërbimeve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, konkretisht në Kirurgji. Përpos mjekëve që i kemi falas, në shërbimin terciar nuk ka asgjë tjetër. As barna për dhimbje nuk kanë, pra edhe barin ‘trodon’ ne e kemi blerë vazhdimisht”, , tregon Bajraktari. Ndërkohë, drejtori i Qendrës Emergjente, Basri Lenjani thotë se barnat emergjente që nevojiten për të shpëtuar jetën e pacientëve në raste të rënda shëndetësore, kjo klinikë i posedon, ndonëse ka theksuar se ka shumë barna nga lista esenciale që mungojnë. “Klinika emergjente disponon barna të natyrës emergjente. Janë barna dhe material shpenzues periferik që mungojnë me javë të tëra në Klinikën Emergjente. Me gjithë kërkesat e vazhdueshme në Barnatoren qendrore, e cila është përgjegjëse që kërkesat tona domosdo t’i përcjell në Ministrinë e Shëndetësisë, këto kërkesa nuk janë plotësuar”, thotë Lenjani. Ai shpjegon se listat me barna që i duhen klinikës, vazhdimisht i dorëzojnë në Barnatoren qendrore, por këta të fundit nuk i plotësojnë kërkesat e tyre. “Ne, gjithmonë, bëjmë presione të vazhdueshme që lista esenciale është obligim që duhet të plotësohet dhe ne, si profesionistë shëndetësorë, të mos mendojmë për barna e as për materiale tjera periferike”, shpjegon Lenjani.

Edhe në Klinikën Pediatrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, drejtori Muharrem Avdiu thotë se ka mungesë të barnave esenciale. Ai shton se ka raste kur përballen me prindër që nuk kanë mundësi t’i sigurojnë barnat e nevojshme për trajtim të fëmijëve. “Nuk jemi më mirë se vitet tjera, por nuk jemi as më keq se viteve tjera. Zakonisht barnat që mungojnë, i blejnë vetë familjarët e pacientit. Ne mundohemi që terapinë që e përshkruajmë, të jetë me çmime të përballueshme. Ka ankesa çdo ditë dhe nuk jemi të kënaqur që ka ankesa, por ne doktorët jemi të detyruar të marrim vendime që nuk janë të lehta në kuptimin emocional, pasi shpesh nuk janë në gjendje prindërit ta sigurojnë terapinë”, thotë Avdiu. Sidoqoftë, prej buxhetit të përgjithshëm për shëndetësi, rreth 21 milionë euro në vit ndahen për buxhetin e nevojshëm për barna dhe material shpenzues në Kosovë. Por, zyrtarë shëndetësorë thonë se ky buxhet është i pamjaftueshëm për të përmbushur listën esenciale dhe nevojat e pacientëve. Lista esenciale me barna, asnjëherë nuk ka arritur të përmbushet në tërësi që nga paslufta e fundit në Kosovë.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button