Spitali i ri në Strugë një ëndërr larg realizimit për struganët

Ende nuk ka asnjë plan konkret për ndërtimin e një spitali të ri në Strugë, apo qoftë për renovimin masiv të objektit ekzistues, edhe pse një spital i ri premtohet me vite të tëra në çdo fushatë zgjedhore. Ministri i Shëndetësisë, pa definuar një strategji dhe periudhë kohore, thotë se kanë në plan të intervenojnë gjithkund ku ka nevojë. Nga menaxhmenti i këtij spitali thonë se po punojnë që me ndihmë të donatorëve privat, buxhetit të spitalit dhe Fondit për Sigurim Shëndetësor të RMV-së të përmirësohen kushtet e objektit edhe pse shërbimi mjekësor profesional nuk i mungon askujt. Spitali aktual i Përgjithshëm në Strugë shërben si qendër rajonale ku trajtohen pacient nga i gjithë rajoni i Maqedonisë Jugperëndimore, por edhe pacientë nga qytete fqinje të Shqipërisë, shkruan Portalb.mk.

Objekt në Spitalin e Strugës/ FOTO: Portalb.mk 16.01.2024
Hapësirë për lëvizje të këmbësoreve dhe automjeteve në Spitalin e Përgjithshëm të Strugës / FOTO: Portalb.mk 16.01.2024
Repart në Spitalin e Strugës/ FOTO: Portalb.mk 16.01.2024
Reparti i vaksinimit dhe këshillimorja për fëmijë/ FOTO: Portalb.mk 16.01.2024
Hyrja në Ndihmën e shpejtë dhe laboratorin e Spitalit të Strugës/ FOTO: Portalb.mk 16.01.2024
Objekti i repartit të Kirurgjisë-Kati I, reparti sëmundjeve Interne-Kati II dhe reparti i Gjinekologjisë kati III / FOTO: Portalb.mk 16.01.2024
Objekti i repartit të kirurgjisë - Kati I - sëmundjeve interne - kati II- dhe reparti i gjinekologjisë kati III / FOTO : Portalb.mk 16.01.2024
Korridori i ambulancës së kirurgjisë/ FOTO: Portalb.mk 16.01.2024
Hyrja për në Transfusiologji dhe stomatologji- kati I - Kryqi i Kuq -kati II- dhe Mikrobiologji -Kati III /FOTO: Portalb.mk 16.01.2024
Korridori në Transfusiologji dhe stomatologji- kati I - Kryqi i Kuq -kati II- dhe mikrobiologjia -Kati III/ FOTO: Portalb.mk 16.01.2024
Objekti i Transfusiologjisë dhe stomatologjisë- kati I - Kryqit të Kuq -kati II- dhe Mikrobiologjisë -Kati III/ FOTO: Portalb.mk 16.01.2024
Oborri dhe reparte në Spitalin e Strugës /FOTO: Portalb.mk 16.01.2024
Korridori në repartin e Laboratorisë / FOTO: Portalb.mk 16.01.2024

Objekt në Spitalin e Strugës/ FOTO: Portalb.mk 16.01.2024

Me vite të tëra, premtimi për ndërtimin e një qendre spitalore në Strugë përdoret si karrem për të peshkuar sa më shumë vota nga elektorati strugan, nga çdo politikan dhe në çdo fushatë zgjedhore qoftë lokale apo qendrore. Sidoqoftë, realiteti tregon se spitali i ndërtuar që nga koha e ish Jugosllavisë është lënë në mjerim të kohës dhe ashtu me hapësira e kapacitete të kufizuara madje dhe mure të rrënuara vazhdon të shërbej për pacientët që ndihmën mjekësore duhet ta marrin nga ky spital. Objekti i spitalit të qytetit në Strugë, është ndërtuar kah fundi i viteve 1960 – 1970 të shekullit të kaluar, si i tillë i planifikuar për nevojat e 20.000  30.000 banorëve. Sigurisht se pas më shumë se gjysmë shekulli popullsia është shtuar e bashkë me këtë proces natyror janë shtuar dhe nevojat e kërkesat për shërbim mjekësor të cilat vazhdojnë të sigurohen në objektin e njëjtë të ndërtuar para 60 viteve. Sipas censusit të vitit 2021 në rajonin e Strugës popullsia e përgjithshme rezidente është 50.980 banorë, pra dyfish më shumë njerëz se sa është parashikuar të mbuloj ky objekt pa harruar të theksojmë faktin se Spitali i Përgjithshëm i Strugës shërben dhe si qendër rajonale ku trajtohen pacientë i gjithë rajoni i Maqedonisë Jugperëndimre përfshirë këtu Dibrën, Ohrin, Resnjën madje dhe pacientë nga Shqipëria fqinje.

Ministri i Shëndetësisë: Sallat e Kirurgjisë ishin rrëqethëse, spitali ngjan si të jetë në shekullin e II 

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, thotë se është i vetëdijshëm për kushtet e këqija në të cilat jepen shërbimet shëndetësore në Spitalin e Përgjithshëm të Strugës, megjithatë nuk definon nëse institucioni që ai udhëheqë ka ndonjë plan apo strategji konkrete për ta ndryshuar gjendjen e këtij spitali brenda ndonjë periudhe të caktuar kohore.

“Siç e dini, shëndetësia është faktor i gjallë dhe çdo ditë duhet të merremi me të. Por jam i vetëdijshëm, unë e kam vizituar spitalin e Strugës para 6 muaj dhe atë që e pashë në sallat e kirurgjisë ishte rrëqethëse. Me të vërtet e kam dhënë edhe para shtypit se spitali ngjan si të jetë në shekullin e II. Po patjetër se do të veprojmë gjithkund ku ka nevojë, por besoj e kuptoni se shteti jonë nuk është shtet i pasur, duhet ta kemi parasysh, por nuk do të thotë se duhen mjete materiale duhet dhe një organizim ma të mirë, ashtu siç jemi nëpër shtëpitë tona siç themi ne “domaqin” të mirë, ashtu pra duhet edhe me institucionet të veprojmë”, deklaroi për Portalb.mk Ministri i shëndetësisë në RMV.StrugaLajm

Arsllani: Pavarësisht objektit, stafi mjekësor në Strugë gjithmonë ka dhënë shërbime profesionale shëndetësore

Përveç kufizimeve si pasojë e objektit spitalor shumë të vjetër Spitali i Përgjithshëm i Strugës është përballur dhe me probleme të shumta financiare. Për shkak të një borxhi të madh të akumuluar ndër vite gjatë një periudhe të caktuar në vitin 2022 spitali i Strugës funksionoi me llogari bankare të bllokuar. Borxhi i spitalit ishte rreth 3 milion euro, por sipas drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Strugë, Dr. Armend Arsllani, ky borxh është ulur ndjeshëm dhe spitali vazhdon të funksionojë duke ju dhënë shërbimin e nevojshëm profesional të gjithë pacientëve.

“Për shkak të krizës me pandeminë COVID19 dhe një borxhi të madh të spitalit të mbledhur ndër vite në fillimet e mia si menaxher kam pasur shumë kufizime dhe bllokada. Fondi për Sigurim Shëndetësor në RMV vlerësoi se viti 2023 sa i përket aspektit menaxherial ishte viti më i suksesshëm për Spitalin e Strugës në 5 vitet e fundit. Borxhi i spitalit është ulur ndjeshëm , tash është diku te 1 milion euro më pak. Spitali nuk ka pasur mungesë të barnave dhe materialeve tjera mjekësore. Momentalisht në buxhet të spitalit kemi 24 mjek në specializim dhe 4 tjerë në subspecializim. Nuk ka pasur probleme në dhënien e rrogave por dhe në lidhjen e kontratave të reja. Vlen të theksohet sa gjatë vitit 2023 janë bërë mbi 20 punësime dhe pritet të ketë punësime të reja gjatë këtij viti“. deklaroi drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Strugë, Dr. Armend Asllani.

Dr. Armend Arsllani thotë për Portalb.mk se shërbimi cilësor nga stafi i mirë-përgatitur dhe shumë profesional në Spitalin e Përgjithshëm në Strugë nuk ka munguar asnjëherë. Këtë e tregojnë edhe shifrat e lartë të pacientëve nga i gjithë rajoni jug-perëndimor të cilët zgjedhin këtë spital për trajtimet e tyre. Dr. Shton se në repartin e Kirurgjisë nga janari deri në tetor të vitit 2023 janë kryer 930 ndërhyrje kirurgjike dhe atë: 130 pacientë nga Dibra, 110 nga Ohri, 100 nga Manastiri, 80 nga Resnja, 80 nga Kërçova, madje dhe 10 pacientë nga Makedonski Brod, 15 nga Demir Hisari, 10 nga Krusheva, e të tjerë. Pa dyshim se trajtimi i pacientëve nga i gjithë rajoni e mbingarkon punën në këtë spital.StrugaLajm

“Si menaxhment i spitalit ne mundohemi ti përmirësojmë kushtet aq dhe si mundemi. Me ndihmë financiare të Fondit për Sigurim Shëndetësor në RMV, buxhetit të spitalit dhe ndihmë nga donatatorë privat janë bërë disa renovime në ambientet e spitalit, përfshirë këtu rikonstruimi i laboratorisë, anesteziologjisë, ambulantes kirurgjike, oftalmologjisë, kulmi i objekteve te radiologjia dhe pediatrisë. Megjithatë, mbase këto projekte janë të vogla në krahasim me nevojat e spitalit por janë shumë të rëndësishme. Spitali i përgjithshëm i Strugës është në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me njësinë projektuese në kuadër të Ministrisë, për hapat e mëtutjeshëm dhe projekte më madhore”, u shpreh Armend Arsllani.

Qytetarët shprehen pesimist se do të kenë fatin që qytetin e tyre ta shikojnë me spital të ri ndonjëherë 

Qytetarët struganë, ato të cilët shërbimet shëndetësore duhet ti marrin në këtë spital, janë ato që mbi të gjitha i vuajnë pasojat e anashkalimit të institucioneve relevante për përmirësimin e gjendjes së këtij spitali. Disa persona thonë se thonë se kur e shikojnë gjendjen e shëndetësisë në këtë qytet arsyetojnë largimin masiv të të rinjve ndërsa të tjerë thonë se luten që mos duhet të shtrohen asnjëherë në spital.

“Si t’ju them, fëmijët më ikën jashtë për jetë më të mirë edhe pse i kanë gjitha kushtet. Shumë e kam pasur të vështirë ta arsyetoj vendimin e tyre, por sa herë që kam punë këtu në spital dhe e shoh mjerimin në të cilin jemi të zhytur aq më shumë i kuptojë dhe i arsyetojë jo vetëm fëmijët e mi, por të gjithë ata që ikin”, u shpreh një nënë strugane.

“Para ca ditësh bëra analizat e gjakut, në at repart kishin bërë ca ndryshime. I kishin lyer muret edhe kishin venduar do karrige, po sa ndryshim i këndshëm më erdhi. Sa pak duhet të bëjmë që ne si qytetarë të gëzohemi dhe të themi po është më mirë”, u shpreh një e moshuar.

“Skam koment për kushtet në spital. Veç i lutemi zotit të jemi mirë me shëndet e mos duhet të kërkojmë ndihmë mjekësore“, deklaroi një qytetar.

“Kështu si po shkojnë gjërat spitali i ri në qytetin tonë për shumë shpejtë kohë as nuk do guxojmë ta ëndërrojmë“, tha një student.

Ndryshe, gjatë fushatës parazgjedhore në zgjedhjet lokale të vitit 2017, zgjidhje për spitalin e Strugës premtoi dhe Ramiz Merko, kryetar aktual i Komunës. Ai premtoi rinovimin e Spitalit Të Përgjithshëm të Strugës (në bashkëpunim me Ministrin e Shëndetësisë), ndërkaq më vonë në një intervistë për Portalb.mk tha se kanë kërkuar nga Ministria që në buxhetin e 2018-tës mos ndajë mjete për renovimin e spitalin, por për bërjen e dokumentacionit teknik për spital të ri.

Megjithatë, shumica e rinovimeve janë bërë me donacione private, ndërkaq spital të ri ende nuk ka, e as që flitet se kur do të ketë.

In : Aktuale, Struge

Loading...
loading...