Struga në sofrën e Gjilanit në festën e pavarësisë!

Gjithçka nisi nga një telefonatë. Ju lajmërojmë se jeni të ftuar në 11 vjetorin e Shtetit tonë të ri. Ju lutemi të na dërgoni numrin e kolegëve që do të na nderojnë me ardhjen e tyre. Një bisedë e nisur nga një telefonate nga dy drejtues shkollash. Nga shkolla e mesme “Zenel Hajdini” në Gjilan Drejtori i saj Z. Sami Hoxha dhe nga Drejtoresha e Shkollës së Mesme Komunale “Dr. Ibrahim Temo” Strugë Znj. Besime Jonuzi.


Rrugëtimi ynë filloi me një energji shumë pzitive dhe me shumë kujtime që tashmë shumica prej kolegeve I kishin që në kohën kur kishin qënë studentë në Universitetin e Prishtinës si edhe atëherë kur lufta bashkoi familje që kishin nevojë për një derë në ditë të vështirë. Toka që tashmë ishte larë me gjak tashmë prej 11 vjetësh po ndërton ëndrrat dhe aspiratat e veta në një shtet të pavarur. Sofra e Gjilanit në këtë 11 vjetor kishte edhe Shkollën e Mesme të Lezhës “Hydajet Lezha” me drejtoreshën e kësaj shkolle Znj. Yllka Kuqi dhe profesorëve dhe nxënesve po nga kjo shkollë.
Rruga për në Gjilan për grupin tonë prej 17 –të profesorëve Besime Jonuzi, Albana Zhuta, Aferdita SaraçI, Nijaz Xhumkar, Florentina Hani, Melaim Sula, Valdrina Gjurra, Myfterem Hoxha, Mushteba Bekteshi, Nurie Zhaku, Besa Sela, Milazim Mustafai, Femi Arifi, Nebi Arifi, Lindita Pollozhani, Nijaz Lumani, Enis Ahmed ishte si një retrospektivë në kohë, gjithsecili nga ne gjatë rrugës solli kujtimet e veta të këtij binjakëzimi prej 9- vjetësh, kohën kur u njohëm dhe kohën kur prekëm tokën e lirë. Disa prej nesh po riktheheshin për të disatën herë në auditoret e shkollës së mesme “Zenel Hajdini” për të takuar kolegët dhe për të forcuar miqësinë.
Natyra ofronte njësoj madhështi, na shoqëronte mali I “Sharrit” mbuluar me vello të bardhë dhe madhështia vazhdonte kur hymë në Hanin e Elezit kur vazhduam nëGrykën e Kaçanikut vendit që u vranë e u prenë për flamur, vendit të trimave të Idriz Seferit. Çdo pëllëmbë e Shqipërisë është histori. “Krushqit” ishin nisur për në dasmën e madhe të Pavarësisë në Gjilan. “Krushq” nga Lezha dhe “Krushq’ nga Struga për tu mbledhur dhe bashkuar në një, se ne jemi NJË.
Pritja ishte jashtëzakonisht solemne dhe e ngrohtë nga të gjithë mësuesit e shkollës së “Zenel Hajdinit” veçanërisht të Drejtorit të shkollës Z. Sami Hoxha i cili kishte rezervuar për ne një pritje siç ne të gjithë shqiptarët ngado jemi dimë të presim mikun. Pasi kaluam kohë të mrekullueshme në një koktej tepër familjar në auditoret e shkollës dhe pas vizitës së ekzpozitës të organizuar me shumë mjeshtëri dhe dashuri nga nxënësit e shkollës “Zenel Hajdini” ju drejtuam sallës së sportit të kësaj shkolle ku ishte shpalosur një flamur i madh që kishtë bashkuar në një zemër të tre shkollat. Një flamuar ku kishte bashkuar shqiptarët nga Lezha-Struga dhe Gjilani. Z. Sami Hoxha në përkrahje të kryetarit të Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, e të drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Gjilan z. Nazim Gagica rezervoi për të gjithë shqiptarët bashkim- dashuri- përkujtim të atyre që dhanë gjakun për këtë ditë që festohet nga të gjithë shqipëtarët. Në programin artistik të organizuar nga prof. Arta Haziri-Nuhiu, përveç paraqitjeve të shkëlqyeshme të nxënësve të gjimnazit “Zenel Hajdini” nga Gjilani, me disa pika të mrekullueshme artistike morën pjesë edhe nxënës të gjimnazit nga Lezha. Vendi i Besëlidhjes, vendi i trimave , vendi i malsorëve me zemër të madhe dhe dashuri mëmëdheu na solli Fishtën, Adem Jasharin, Tropojën, Çamërinë dhe të gjithë trojet shqiptare. Bashkimi i gjimnazeve të këtyre tri trojeve shqiptare përçoi një mesazh të fuqishëm për gjithë kombin shqiptar anembanë botës në këtë ditë të veçantë. Bujaria, mikpritja dhe dashuria janë gurthemeli I zakoneve karakteristike të shqiptarëve anembanë globit. Rrugëtimi ynë mori me vete kujtime të paharrueshme nga Gjilani, mori një copëz të atij vendi, mori shumë dashuri, mirënjohje për ata që bënë Vitin e 11-të të Pavarësisë së Kosovës të paharrueshme.
Gëzuar Gjilan Ditën e Pavarësisë! Gëzuar 11- Vjetorin Kosovë! StrugaLajm


Përgatit: Albana Cufaj Zhuta.
Mësuese e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.
Shkolla e Mesme Komunale “Dr. Ibrahim Temo”. Strugë 2019. StrugaLajm

In : Aktuale, Struge

Loading...
loading...