STRUGANËT E PARË QË SHKELËN KONTINENTIN E AUSTRALISË

STRUGANËT E PARË QË SHKELËN KONTINENTIN E AUSTRALISË

Shkruan
Bexhet AsaniStrugaLajm

            Historikisht struganët e kanë ngrënë kurbetin në shekuj. Dokumente për këtë nuk gjenden. Si dokumente të rëndësishme të kohës mund të merren këngët popullore sidomos këngët e kurbetit që për nga numri zënë një vend të konsiderueshëm. Më shpesh në këngë përmenden shtetet e Perandorisë Osmane, ngërsa në këngët më të vonshme përmenden shtetet si: Vllahia (Rumania), Turqia, ish Jugosllavia etj., dhe në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë për herë të parë në këngë përmenden Amerika dhe Australia. 
           Nga hulumtimet që kam bërë në terren, në rajonin e Strugës dhe të Ohrit, gjithnjë sipas dëshmive të informatorëve, rezulton se struganët e parë shkelën tokën e Australisë në fillim të viteve gjashtëdhjetë të shekullit të njëzetë. Të rinjtë që shkonin në Australi, kryesisht iknin për shkaqe ekonomike, pra, për një jetë më të mirë. Nuk kam mundur të gjejë ndonjë njeri që ka ikur për shkaqe politike!
            Ka kaluar mbi gjysmë shekulli dhe informatorët e gjallë, me vështirësi kujtoheshin se kë strugan kishin gjetur në Australi, prandaj këto të dhëna për disa kurbetçinj, mund të merren si relativisht të sakta! 
            Kurbetçinjtë e parë që arritën me anije në Kontinentin e Australisë nga fushëgropa e Strugës dhe e Ohrit ishin:
            Nga fshati Gorencë i Ohrit: Zylal Asani (1965), Murat Arifi (1966), Zaim Asani (1967), Ilmi Saliu (1967), Alim Bajrami (1967), Shefki Bajrami (1968), Shefki Bajramit garancionin ia ka bërë Ivan Çoleski nga Gorenca. Shefki Bajrami kthehet përgjithmonë në vitin 1971. Maqedonasit e rajonit të Strugës dhe të Ohrit kanë shkuar më herët se shqiptarët në Australi, mbase që në fillim të viteve pesëdhjetë të shekullit të njëzetë. E kësaj periudhe është mjaft e njohur kënga maqedonase “Australi, o vend i largët!” (Australia, zemja daleçna!” Nga Gorenca për në Australi më vonë shkuan edhe këta kurbetçinj: Mendi Latifi, Zudi Sylemani, Neim Bajrami,Safet Biba etj.
            Nga fshati Ladorisht i Strugës: Qemal Lena (1965). Garancionin ia ka bërë Naum Premto (Mbase Prentoski – shënimi im) nga Misleshova e Strugës. Qemal Lena kthehet nga Australia në vitin 1969. Më vonë nga Ladorishti, në Australi ka shkuar Qemal Jonuzi (1969) Qemali tregon se 1968 kishte punuar në Kranjë të Prespës, ajo familje që punonte Qemali kishte një kurbetçi në Australi, i cili quhej Ylli Jonuzi. Qemali detyrohet ta ndërrojë mbiemrin. E merr mbiemrin e Ylli Jonuzit me qëllim që t’ i bënte garancion. Qemali e ndërron mbiemrin nga Kazaferi në Jonuzi. Sot e kësaj dite i ka mbetur mbiemri Jonuzi. Qemal Jonuzi me familje ende jeton në Australi.
                  Shefki Bajramit i kujtohet se kur ka shkuar në Australi, atje ka gjetur Qemal Lenën nga Ladorishti, e disa të tjerë po nuk ia mbanë mend emrat. Shefkiut i kujtohen edhe këta emra nga fshati Frëngovë i Strugës: Ramadan Shabani, Nexhat Lumani – u kthy pas tre vitesh dhe nuk u kthye më në Australi dhe një me emrin Resmi. 
                 Asip Demir nga Manastiri, i cili jeton sot e kësaj dite në Mellburn të Australisë thotë se nga fshati Frëngovë i Strugës janë edhe: Nafi Iljazi, vëllezërit Xhelil Ismaili dhe Lutfi Ismaili. Me prejardhje nga fshati Frëngovë janë edhe vëllezërit Alil Musai dhe Asllan Musa inga Manastiri.

           Shefki Bajramit i kujtohen edhe këta nga fshatrat Misllodezhdë dhe Pohum: nga fshati Mislodezhdë i kujtohet Selim Mena, nga Pohumi i kujtohet Bajrami i cili më vonë u shpërngul në Ohër.

                 Nga qyteti i Ohrit shkuan në Australi: prof. dr. Shaip Lloga, ligjërues në Universitetin e Mellburnit, Bardhyl Lloga etj.

                  Nga qyteti i Strugës shkuan në Australi: Tosum Poshka, Neshat Poshka, Ashim Alili, Uke Selimi dhe Veap Selimi (1969), Rami Belica (Vëllai i këngëtarit Nazmi Belica nga Struga) nipi i tij Blerton Belica  etj. 
                  Nga fshati Livadhi i Strugës ishin këta kurbetçinj: Asip Dema (1965-6), Fuat Ziba, babai i futbollistit Fatmir Ziba që luante për “Karaormanin”, Faiz Reçi, Rui Dema, Fatmir Dema etj. Asip Dema dhe Fatmir Dema, të dy babë e bir u kthyen në vendlindje dhe nuk u kthyen më në Australi.
                  Nga fshati Dollogozhd i Strugës, në Australi kanë shkuar: Ramadan Alasani, Izmir Alasani, lirim Beluli (Ziba), Qashif  Beluli (Ziba), Shabedin Ziba, Agni Ziba, Imer Veliu, Minir Ziba etj.
                  Nga fshati Shum i Strugës vetëm Asim Osmani ka shkuar në Australi në vitin 1974. Asim Osmani punonte në Austri dhe nga Austria shkoi në Australi sipas informatorit Xhemil Saliu, rrugën ia ka paguar shteti, në Australi. Pastaj mori edhe familjen. Nga fshati Zagraçan i Strugës shkoi në vitin 1981 Xhemil Saliu, i cili atë kohë fejohet me vajzën e Asim Osmanit nga Shumi. Këto dy familje sot e kësaj dite jetojnë në Australi.
                   Kurbetçinjtë e lartpërmendur struganë për herë të parë shkelën tokën e Australisë. Disa kurbetçinj u kthyen nga Australia e largët. Disa i morën familjet e tyre me vete edhe sot jetojnë në Australi.

Pothuaj të gjithë struganët u sistemuan në Melburn dhe bënë punë të ndryshme nëpër fabrika.StrugaLajm

       Shënim: 
                 Në të ardhmen ky shkrim do të plotësohet edhe me emra të tjerë, të cilët kanë qenë në Australi dhe ende janë në Kontinentin e Australisë.

Nju Xherzi – SHBA
Prill,2023


Loading...
loading...