Strugë, shkollat kërkojnë më shumë para për ngrohje (VIDEO)

Rritje urgjente të bllok- dotacioneve për transportin e fëmijëve dhe naftë për ngrohjen e objekteve shkollore. Këto masa janë më se të domosdoshme që viti i ri shkollor të mund të fillojë pa problem, thonë për Alsat disa nga drejtorët e institucioneve arsimore në Strugë. Shkollat kanë borxhe të larta sidomos ndaj transportuesve sepse fondet që deri më tani i kanë marrë për këtë destinim, nuk u kanë mjaftuar. Vetëm borxhi i shkollës “Ibrahim Temo” ndaj transportuesve është 150 mijë euro. Ministrja e Arsimit, Renata Deskoska premton zgjidhje.

Do të bëjmë program prioritar për ndërhyrje në fusha të caktuara. Fillimisht duhet të bëjmë skanim të gjendjes sepse e dimë si ka qenë sjellja destruktive e pushtetit të kaluar. Pas skanimit të gjendjes do të dalim me plan të hollësishëm se cilat masa do të kenë prioritet në arsim- tha Renata Deskoska- ministre e Arsimit.

 Vitin e kaluar bllok- dotacionet për shkollat e mesme të Strugës u shkurtuan për 62 mijë euro, që në mënyrë plotësuese ka vështirësuar gjendjen edhe ashtu të rëndë. Por, shkollat e Strugës ballafaqohen edhe me probleme të tjera. Diku ka mungesë të nyjave sanitare, diku salla sporti e disa kanë mungesë të poligoneve sportive ndërsa edhe më tej ka objekte shkollore që ngrohen me dru. Në shkollën e fshatit Frangovë më shumë se 150 nxënës mësojnë në objekt pa fasadë ndërsa pjesa më e madhe e tjegullave është e thyer. Në gjendje të keqe janë edhe shkollat në fshatrat Koroshishtë dhe Belicë të Poshtme./alsat-m

In : Aktuale

Loading...
loading...