Tateshi i epërm, fshati i 12 hoxhallarëve

Dikur ishin të shumtë imamët nga qytetet e ndryshme të Maqedonisë që në mungesë të kuadrit vendas, shërbenin në shumë xhami në rajonin e Strugës. Por, kjo situatë gradualisht në vite po ndryshon dhe tashmë ka vendbanime në Strugë, nga ku kanë dalë shumë imam që shërbejnë besimtarëve islam jo vetëm në Strugë, por edhe në vendet e ndryshme të perëndimit ku jeton një pjesë e mërgatës shqiptare. Një shembull në këtë drejtim është fshati Tatesh i Epërm i Strugës, në të cilin, sipas regjistrimit të fundit, jetojnë 1300 banorë, vendbanim që ka nxjerrë më shumë hoxhallarë krahasuar me numrin e banorëve.
Ziadin Abduramani, imam i Tateshit të Epërm, i cili për më shumë se 3 dekada shërben në xhaminë e fshatit tregon se nga ky fshat profesionin e imamit e kanë zgjedhur rreth 12 banorë të Tateshit të Epërm. Abduramani tregon se ky përkushtim ndaj fesë dhe islamit nuk ka qenë në këto nivele në të kaluarën, veçanërisht në kohën e komunizmit, por nga viti në vit përkushtimi i banorëve ndaj besimit është rritur. Ai tregon se kur filloi punë në fund të viteve të shtatëdhjeta në xhaminë e Tateshit të Epërm si imam, nuk kishte të tjerë, ndërsa sot, tregon ai me krenari, ky fshat ka nxjerrë 12 hoxhallarë, të cilët përveç se shërbejnë në disa fshatra të Strugës, shërbejnë edhe në disa xhami në Austri, Zvicër dhe Kroaci, si Mevludin Arsllani, i cili përveç se drejton Medresenë e Zagrebit, është edhe funksionar i lartë i Bashkësisë Islame të Kroacisë. Përkushtimi ndaj fesë për imamin e Tateshit të Epërm ka rezultuar dobiprurës për këtë lokalitet, sepse ka sjellë më shumë harmoni dhe solidaritet te banorët e këtij fshati. Një element tjetër dallues, sipas Abduramanit, është fakti që ky lokalitet dallon edhe për numrin e madh të banorëve që kanë kryer haxhin, por edhe kanë ndihmuar medresenë. “Përveç aspektit të fesë, xhamia e Tateshit të Epërm ka qenë bartëse dhe iniciatore e shumë nismave në dobi të lokalitetet dhe shoqërisë. Tateshi i Epërm është një nga lokalitetet që përveç përkushtimit ndaj besimit islam, i cili daton që para 600 vjetësh, gjykuar nga trashëgimia materiale që gjendet në fshat, është vendbanim nga ku kanë dalë edhe profesionistë të tjerë të dalluar, duke filluar nga mjekë, arkitektë e deri te pilotë”, thekson ai.(Strugalajm.com)

StrugaLajm
In : Aktuale

Loading...
loading...