Të pamarrët vesh!

Marrëveshja është një vepër që arrihet me pajtimin e ndërsjellë, ku palët përmes komunikimit i afrojnë qëndrimet në bazë argumenteve që i shprehin dhe e bindin palën bashkëbiseduese se të dy palët bashkërisht janë fitimtarë. Palët humbin nga diçka, por njëkohësisht edhe fitojnë, me qëllim që të arrijnë synimin e përcaktuar më parë. Të pamarrët vesh humbasin… dhe gjithmonë duhet të humbin!

Nga Shaqir ISLAMI

Dita e zgjedhjeve afrohet, interesimi, optimizmi, kureshtja e qytetarëve për votimin e kuvendarëve të mandatit të ardhshëm duhet të nxitet dhe shtohet; përkundrazi, përveç partizanëve dhe pehlivanëve partiakë, shoqëria e gjerë shqiptare është në apati dhe amulli të thellë. Tash duhet të ziej e të vlojë atmosfera; të gjallërohet debati, kuvendimi, festa, zhurma… të trazohet çdo segment i shoqërisë.

Tash për tash, siç vërehet, qytetarët e shoqërisë sonë nuk shprehin ndonjë optimizëm të theksuar për datën 12 Prill, ditë kjo, kur do mbahen zgjedhjet universale – kuvendare politike. Dita kur do shprehet zëshëm dhe fuqishëm opinioni publik, pra, ta themi në gjuhën popullore – dita e zgjedhjeve është vakti kur dëgjohet ‘zëri i popullit’ . Ta shpjegojmë një çik shprehjen ‘opinioni publik’, të cilën, ju bëj be se – sot e kësaj dite – ndonëse shprehja ‘opinioni publik’ përtypet vazhdimisht në sferën publike, qoftë nga gazetarë, politikanë, profesorë, … askush nuk e kupton domethënien e kësaj shprehjeje. Ka një ngatërresë e habitshme, e cila duhet hapësirë dhe kohë për ta shpjeguar. Sa për sot, e thjeshtojmë që lexuesit e mi të nderuar ta kenë më lehtë për ta kuptuar. E quaj zëri i popullit, për shkak se është e njohur për publikun e gjerë, dhe bile është diçka e kapshme dhe e përafërt me ‘opinionin publik’.StrugaLajm

Duhet shpjeguar, për shkak se ky është fuqia që e përcakton mandatarin për ta qeverisur vendin. Kush e menaxhon opinionin publik, ai fiton mandatin e ardhshëm. Dita e zgjedhjeve është ndeshja përfundimtare e ofertave politike midis pozitës dhe opozitës. Kjo është dita e vetme politike ku sundon qytetari; ku politikanët shndërrohen në zagarë ose langonj, po të doni, duke pritur mbrëmjen për të marrë vesh se cilës palë ia kanë dhënë legjitimitetin qytetarët.

Por, siç e thotë populli ynë gjithmonë i mençur – dita duket prej mëngjesit – dhe shenjat paraprake nuk bëzajnë për një energji që do ta zgjojë shoqërinë shqiptare nga përgjumësia e gjatë. Fushëbeteja politike është kallur vetëm midis partive politike dhe partizanëve partiakë. Pozita dhe opozita është ngritur në këmbë. Ndërsa shumica e qytetarëve janë vetëm shikues të kësaj lufte gladiatorësh për jetë a vdekje, ose për pushtet ose opozitë. Pa dyshim se, çdo parti e parapëlqen pushtetin. Të qenit pozitë është dështim dhe dëshpërim politik. Opozita është fukarallëk, është zarar, mund i shkuar kot, pa autoritet. Opozita është impotente, në kuptimin tonë të politikës. Opozita nuk ka çorbë, jani dhe hallvë. Të gjitha i merr pozita në pushtet. Prandaj lufta politike mes tyre është e egër, e vrazhdë, armiqësore… është luftë për bukë, për punë, mirëqenie familjare, … edhe seks. Kështu kemi dëgjuar nga ‘bombat’ që plasin në media ditë për ditë. Edhe në këto zgjedhje, do dëgjojmë ‘bomba’ me shije djegëse!StrugaLajm

Javët e fundit, qytetarët që janë të shqetësuar dhe të interesuar për ndodhitë politike-sociale në shoqërinë tonë, prisnin me padurim me një xixë shprese se do të ndodh mrekullia dhe se partitë politike që thirren opozitare – kjo fjalë (e kam borxh t’ua shpjegojë lexuesve të nderuar) në shqip d.th kundërshtuesit, kundërshtarët e pushtetit – më në fund do t’i bashkojnë edhe grimcat e fundit të fuqive të tyre, për ta trazuar dhe ndryshuar këtë gjendje vrastare të apatisë dhe amullisë që e ngulfat mbarë shoqërinë. Shpresa, gjoja se do ndodh bashkimi i opozitarëve nën një bajrak politik, zgjati shkurt. Opozita sërish dështoi! Paria opozitare, e cila, me hile i thotë vetes ‘opozitë e bashkuar’, me veprimin e fundit përçarës, vetëm i përsëriti gabimet e së kaluarës. Para katër vjetësh, me të njëjtën formulë idiote, me pamaturi dhe injorancë e ndanë më dysh RDK’në e Rufiut. Kësaj i thonë, të pamarrët vesh! Ose nuk e dinë domethënien se çka do të thotë fjala – bashkim, ose janë thjeshtë argatë të shejtanit. Diçka janë! Kur nis të bashkosh dhe ti ngjeshësh radhët, nuk zgjedh dhe nuk poshtëron dikë, e dikë e lartëson. Kur ka një qëllim, një synim fisnik, …edhe shejtanin e merr me vete dhe hyn në fushëbetejë.

Merreni me mend Skënderbeu, të kish nisur të zgjedh,… Ai e ka bërë bashkimin dhe ka luftuar kund;r dushmanit njëzet e pesë vjet me radhë! Dhe, tanë këto vite, ky burrë ka fituar! Por ka bashkuar miq, e nuk ka përçarë, nuk ka ndarë, nuk ka tradhtuar kurrë … Një ndër arsyet kryesore të suksesit të Skënderbeut kanë qenë, besa- fjala e mbajtur, bujaria, fisnikëria, guximi, vizioni, dhe dashuria dhe besimi për sojin e vet. Liderët e sodit, s’mund të maten as me kalin e Skënderbeut, e lëreni më, me vet atë!

Kjo botë është ndërtuar në bazë të marrëveshjes dhe forcës. Historia e njerëzimit është mbushur me shembuj të marrëveshjeve midis palëve kundërshtuese. Edhe mbas dy luftërave botërore, pas gjithë ato shkatërrime dhe tragjedi të përjetuara, sërish në fund, palët janë detyruar të ulen dhe të gjejnë zgjidhjen e situatës duke arritur një marrëveshje përfundimtare. Marrëveshja është një vepër që arrihet me pajtimin e ndërsjellë, ku palët përmes komunikimit i afrojnë qëndrimet në bazë argumenteve që i shprehin dhe e bindin palën bashkëbiseduese se të dy palët bashkërisht janë fitimtarë. Palët humbin nga diçka, por njëkohësisht edhe fitojnë, me qëllim që të arrijnë synimin e përcaktuar më parë. Të pamarrët vesh humbasin… dhe gjithmonë duhet të humbin!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

In : Aktuale

Loading...
loading...