TË RINJTË LARG BUJQËSISË. Kosto e lartë, fitime të vogla

Zbrazja e fshatrave dhe ikja e të rinjve në perëndim apo në qytete, harxhime më të mëdha sesa fitimi vlerësohen të jenë shkaqet kryesore pse të rinjtë nuk janë të interesuar për të punuar tokën

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 26 tetor – Zbrazja e fshatrave dhe ikja e të rinjve në perëndim apo në qytet, rritje e ngadalshme e konkurrencës së bujqësisë vendore, ulja e numrit të bujqve, përmirësimi i ngadalshëm i infrastrukturës dhe cilësisë së jetesës në vendbanimet rurale, si dhe harxhimet më të mëdha se fitimi nga prodhimtaria bujqësore dhe blegtorale… vlerësohen të jenë ndër shkaqet kryesore pse të rinjtë nuk janë të interesuar të punojnë tokën, shkruan gazeta KOHA.

Edhe masat e ndryshme në vitet e kaluara për të ndihmuar fermerët e rinj që të merren me prodhimtari bujqësore, ngadalë po kthejnë interesimin e të rinjve që të punojnë tokën. Sivjet, mjetet përmes Programit për zhvillim rural janë rritur nga 10 mijë në 20 mijë euro, ku aplikuesit duhet të përgatisin dhe parashtrojnë projekt të qëndrueshëm. Në vitet e kaluara, me qindra bujq kanë qenë shfrytëzues të mjeteve të pakthyeshme prej 10 mijë euro, ndërsa vetëm në vitin 2017 janë paguar mbi 3 milionë euro për 424 bujq. Në vitin 2018 ka pasur 1045 aplikime apo dy herë më shumë se në vitin 2017 kur ka pasur 626 aplikime për këtë masë.

Gjithashtu, edhe masat e tjera qeveritare për të mbështetur fermerët e rinj si lirimi nga qiraja në tre vitet e para për bujqit e rinj deri në 40 vjet, pritet të zbusin pak, por jo edhe të ndryshojnë dukshëm situatën ku mosha mesatare e bujqve në vend është 50 vjet.StrugaLajm

Sipas kryetarit të Shoqatës së Bujqve të Maqedonisë, Eftim Shaklev, vështirë se ikja e madhe e popullatës nga vendi do të ndalohet me këtë masë për shkak se në tërë rajonin e shtetit kemi ikje të të rinjve, mirëpo ajo do të ndikojë të ulet zbrazja e mjediseve rurale dhe migrimi nga fshati në qytet. “Për kushtet tona, kjo shumë prej 20 mijë euro për një bujk të ri si fillim edhe nuk janë pak të holla. Njëherësh, për ata që janë përcaktuar të jetojnë në fshat mund të pritet që pozitivisht të shfrytëzojnë këtë masë”, shton Shaklev.

Në ndërkohë, hulumtimet e organizatës “Koalicioni Rural” tregojnë se të rinjtë sa vjen e më pak e shohin veten si bujk dhe nuk dëshirojnë të punojnë në bujqësi edhe për shkak se nuk kanë ndikim në miratimin e vendimeve, nuk dëgjohet zëri i tyre, nuk respektohen qëndrimet e tyre dhe nuk praktikohen propozimet e tyre. Gjithashtu, edhe përfaqësuesit e tjerë të bujqve konfirmojë se një pjesë e konsiderueshme e tokave punuese bujqësore kanë mbetur të shkreta për shkak se nuk ka kusht ti punojë.

“Plasmani i sigurt dhe çmimet e ulëta të prodhimeve bujqësore si ai i mishit, qumështit… janë ndër shkaqet kryesore pse të rinjtë i ikin bujqësisë dhe blegtorisë. Edhe pse një shumë prej 20 mijë euro ndihmon për blerjen e lopëve apo dhenve dhe mund të mendohet për fillimin e ndonjë lloji të prodhimtarisë bujqësore, sërish i iket kësaj fushe të mbijetesës”, thotë kryetari i Lidhjes së Bujqve, Veljo Tantarov.

Ekspertët e bujqësisë thonë se në vend nuk mungojnë shembuj të prodhimtarisë së suksesshme bujqësore, mirëpo shtojnë se fermerët e rinj duhet të kenë edhe një ide për prodhimtari cilësore që shpaguhet, për shembull, si ajo organike që gjithnjë e më shumë po kërkohet jashtë shtetit.

“Ideja mund të fitohet edhe në bazë të kërkesave të konsumatorëve brenda apo jashtë shtetit. Mirëpo nisja e kësaj pune kërkon edhe analiza të mira, kalkulimin e harxhimeve dhe fitimit, përgatitjen e një biznes plani dhe aktivitetet konkrete për të nisur një biznes në bujqësi”, shtojnë agronomët. Nga ana tjetër, ekspertët bujqësor thonë se krahas copëzimit të parcelave bujqësore, problem tjetër për bujqësinë vendore janë edhe arat që nuk mbillen ose potenciali i pashfrytëzuar për punim të tokës. Statistika ka përllogaritur se nga 415.004 hektarë, me kultura të ndryshme bujqësore mbillen vetëm 276.567 hektarë. Gjithashtu, betonizimi i tokës bujqësore, parcelat e vogla dhe të shpërndara, shfrytëzimi i zonave fushore dhe tokave bujqësore për ndërtime të ulëta e të larta, mos interesimi i fermerëve potencial që të punojnë arat për shkak të kostos së lartë dhe fitimeve të ulëta, ikja e madhe e popullatës së re jashtë shtetit, vlerësohen të jenë ndër shkaqet kryesore pse nuk punohet një pjesë e madhe e tokës bujqësore në Maqedoni. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...