Të rinjtë që ikin…
Më publikun kryesisht sorrosian të Revolucionit të larmë, nevojitet të flitet për këtë raport “LOVE- HATE” të familjeve tona pothuajse çdo ditë! Sepse ata civilizimin e kanë kuptuar mbrapsht, ndërsa Shoqëria e Hapur është diçka tjetër! Ata nuk e njohin potencialin e shtetit ende, sepse e kanë refuzuar tuj e selektivu
Nga Adelina MARKU
Rastisi që brenda një jave të jem e ftuar nga të rinjtë e të flasim bashkë në temën mbi ta dhe perspektivën e tyre në këtë shtet. Një ditë isha mes të rinjsh shqiptarë në Tetovë (organizatore ishte ‘’Bloom Youth’’ organizata qytetare e sapothemeluar) e tjetrën ditë isha në Shkup e mes atyre që deri dje bënë revolucionin, siç kanë qejf të thonë , ‘’Revolucionin e larëm’’ e në publik gjeje tek tuk edhe ndoj shqiptar, pjesë e shumicës laramane. Organizatori i së dytës ishte Fondacioni Sorros.
Ndjenja ime ? Më duhet t’a pranoj, kisha pasiguri, quaje tremë. Nuk kisha shumë kohë të mendoj se përse pikërisht mua më kanë zgjedhur folëse. Cili na qenka ai ‘’role model’’ që unë e përcjell tek ta kur beteja ime në këtë shtet po mer trajta tanimë edhe parodie…?! Sidoqoftë një gjë kuptova që përditshmëria të bën egoiste, pra të bën që kryesisht të preokupohesh me veten e ngjarjet rreth vetes kështu që kur njeriu ballafaqohet me realitetin e grupit më të madh, vë gishtin në kokë dhe mundohet me dal nga monologu i brendshëm për t’u solidarizu me ankthin e grupit të madh! Ideja ishte të mbronim tezën që të rinjtë të mos ikin nga Maqedonia ndërsa detyra e folësve ishte që të ndërtonim argumentin që do i mbante të rinjtë në Maqedoni. Argument ky vështirë i ndërtueshëm kur statistikat flasin se një e katërta e të rinjve tanimë kanë ikur (një statistikë e vjetër kjo, ngase nuk është bërë ende numërimi i popullsisë! Numri duhet të jetë më i madh!) e në anën tjetër fakti që për një publik unë zgjodha dy lloj daljesh të ndryshme , më bani të kuptoj se unë të rinjtë këtu i përjetoj si të fateve të ndara e se problemet janë ende të natyrës etnike. Ky shikim ndaras, ka të bëjë direkt me trashigiminë nga e kaluara e afërt. Grupi i parë i të rinjve, ai shqiptar – ende i pamësuar me shtetin dhe funksionimin e tij ndërsa i dyti- ku dominonin maqedonasit e sotëm të ‘’Revolucionit të larmë’’ i përjetova si në fazën e refuzimit të shtetit madje, ngase ky – shteti pra , nuk iu përgjigjet njëjtë kërkesave të tyre siç iu ishte përgjigjur dikur kërkesave të prindërve të tyne! Përderisa grupi i parë është ende në fazën e njohjes së obligimit që ka shteti ndaj qytetarit, grupi i dytë jo vetëm që e njeh mirë atë ofertë , por kërkon nga ajo edhe më shumë. Por sa jep se? dhe se çfarë jep? – janë pyetje këto që nuk kanë arritur të bëhen edhe pjesë e nënvetëdijes së tyre ende. Unë e lexoj këtë si anatomi të një mëndjeje me trashëgimi të orientimit ideologjik etnoekskluziv! Dhe, këtu qëndron edhe problemi sot! Tek nënvetëdija që vazhdon të refuzojë realitetin e që është sigurisht më organike se vetëdija e cila edhe din të bëjë rolin e kameleonit për interesin publik, lexoje politik! Nuk mund të mohoj një gjë që është e dukshme apo, shoqëria e Maqedonisë vazhdon të jetë e etnizuar dhe kjo ngase gjeografia e saj ka krijuar këtë realitet e pastaj edhe politika që ka dështuar në de-etnocentrizmin kulturor e ekonomik të saj! Ose për më shumë , politikë që ka sfiduar gjithmonë etnocentrzimën me nënvetëdije dhe me vetëdije!
Kur këta nivele të mendjes shkrihen në njëra tjetrën – njeriu fillon të arsyetojë veten përmes fuqisë së dy niveleve që veprojnë njëkohësishëm . Arsyetimi padyshim nuk garanton zhvillim, apo, këtu jemi dakord besoj! Këtë që bën sot Maqedonia e kësaj faze pas Revolucionit të larmë në fakt ka të bëjë me tentimin për rregulluar traumat që krijoi dimenzioni i të jetuarit njëkohësisht në pikun e takimit e veprimit të vetëdijes e nënvetëdijes. Vështirë se harmonizohen këto nivele funksionimi pas aq shumë prodhimtarie ndërgjegje falsive , biles do thoja nevojitet një nivel i ri falsiteti që të kundërshtojë të vjetrin! Për mua personalisht, kjo formë e ideologjisë shtetërore që provokon falsitet të ri për të mbuluar një tjetër të anakronizuar tanimë, është formë e mundimshme e të jetuarit, prandaj kam zgjedhur formën time , në të cilën vazhdon të kulmojë ndërgejgja e identitetit kulturor së cilit i takoj. Këtë mesazh iu dhashë edhe të rinjve nga Tetova, pra të forcojnë ndjenjën e kulturës së cilës i takojnë e përmes saj të jenë kokëfortë në shijimin e obligimeve që ka shteti ndaj tyre! Ikja e tyre , mundëson indoktrinim të territorit kulturor të tyre! Quhet devolucion identiteti kulturor me vetëdorë! Ose, më ashpër, ‘’ vetëgjenocid kulturor’’! Beteja kundra tij është individuale dhe kolektive , ndërsa e partizuara, krijon dëmin avangardës! Jetojmë në kohën kur i besojmë mosbesimit dhe prandaj iu kuptoj dilemat të rrinjve!
Ndërsa grupit tjetër sorosian po e quaj, iu referova tezën time se në shtet ka aq shumë hapësirë për t’u zaptuar e se ikja jodoemosdoshmërisht është zgjedhja e duhur! Ka një hapësirë të pashfrytëzuar ende , që e ka krijuar ndarja etnike e politizuar por njëkohësisht edhe konformizmi qeveritar me vite e cila nevojitet të zaptohet e të shfrytëzohet, madje të materializohet sinergjia e saj! Kur më duhej të flisja gjykimin tim se si të ndihmojmë në reformën e sistemit gjyqësor, unë iu rrëfeja storjen e tem ati, gjykatës me autoritet e ndikim i cili në vitet e tetëdhjeta fliste për dy parime: leximin vivid të ligjit dhe për ideologjinë e Kushtetutës së Gjallë që prodhon ndryshimin si progres e jo si psikozë fataliste! Përderisa im atë ishte liberali i madh, Shteti tem atë e trajtonte si rrezikun e madh, prandaj dhe e ndiqte tuj aktivizu shërbimet e Ministrisë së brendshme kundra tij. Shteti që ndjek gjykatësit, është shtet që krijon diktatit ndaj sistemit gjyqësor me vetëdorë, dhe e transformon atë në rrigjid dhe vetëshkatërues. Shteti refuzonte të dëgjojë të vërtetën kolektive asaj kohe, atë e etnizonte dhe e bënte selektive! Im atë nuk është më që të mësojë rrioshat multikulturorë (deri dje etnonacionalistë) të bëjnë reformën në gjyqësi, por mësimin e la: Kushtetuta është organikë e gjallë e parimeve mbi shtetin, aty është çelësi përsëri!
Më duhej të flisja para tyre se si të prodhojmë kulturën shtetërore, e është e vështirë që mëndjes ekskluzive nacionaliste t’ia sqarosh sinergjinë e kulturave nacionale që jodoemosdoshmërisht duhen shkrirë e indoktrinuar njëra tjetrën për të prodhuar kulturë multikulturore shtetërore. Sepse, kultura multikulturore (në rastin e Mq) është (duhet të jetë) pikërisht ajo që lejon e rrit jetën organike të afirmimit të kulturave nacionale në një hapësirë multikulturore! Ndava me ta rrëfimin e sime ëme, arsimtare e gjuhës shqipe e maqedonase në Dibër e cila ndërtoi brezin e atyre studentëve e profesionistëve më vonë që dinë të kuptojnë diverzitetin kulturor si garën më produktive të shoqërisë. Antishteti shkrin kulturat, ndërsa shteti i gëzon ato lirshëm! Ky ishte çelësi i dytë: pra hapësira është po aty a, e pazaptuar ende! Sepse jo vetëm që është e etnizuar, por për më shumë është e partizuar primordialisht! Veprimi ndryshe, është sfida e re!
E kur duhesha të flas për zhvillimin ekonomik, përmenda themelimin e një kompanie gjigande nga ana e një shqiptari që kishte vizion për zhvillim ekonomik. Ky ishte vëllau im. Shteti u tërbua kur im vëlla startoi idenë, shteti mundohej të dërmojë deri në palcë idenë e tij, por edhe vetë atë. Ky shtet, me budallakinë e të marrit etnoambicioz, etnizoi edhe biznes iniciativën! Sot, shteti nevojitet turpnuar për atë që kish bërë ndaj biznesit të tem vëllau, madje kërkuar falje. Iu thash se pikërisht ajo kompani e atij shqiptari që shihej si i rrezikshëm për shtetin dikur, sot mban denarin stabil!
Me publikun kryesisht sorrosian të Revolucionit të larmë, nevojitet të flitet më shumë për këtë raport ‘’LOVE- HATE’’ të familjeve tona ndaj shtetit. Sepse ata civilizimin e kanë kuptuar mbrapsht, ndërsa Shoqëria e Hapur është diçka tjetër! Ata nuk e njohin potencialin e shtetit ende , sepse e kanë refuzuar tuj e selektivu. Iu fola për raportin e njëkohshëm Dashuri- Urrejtje ndaj Shtetit, raport që në esencë duhet të jetë konkurrent e pragmatik, sepse po mbeti në nivel fantazish – ai shndrohet në lugat të vetes. Ashtu siç u zhvillua xhanëm deri tani!
Në gjetje antilugati, nevojitet potencijal pragmatik shtetanësh…jo marri e re fantazish!
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)