Treshja zhvatëse: EVN-KRRE-QEVERIA

Është imperativ i kohës që këto institucione zhvatëse të fillojnë dhe të ndahen nga njëra tjetra në mënyre që të ndryshojnë natyrën e tyre: pra nga institucione ekstraktive të bëhen institucione inkluzive, të cilat vendosin qytetarin në qendër të vëmendjes dhe të cilat bëjnë transferin sa më të shpejtë drejtë energjisë së ripërtëritshme

Nga Omer AJDINI

Ekzistojnë dy lloje të institucioneve(si rregulla të shkruara apo të pashkruara të funksionimit tonë shoqëror apo shtetëror): institucione inkluzive dhe ato ekstraktive. Institucionet inkluzive përveç që përfshijnë, nxisin dhe përkrahin qytetarët e një shteti në krijim të pasurisë dhe mirëqenies, ato edhe bëjnë shpërndarjen e resurseve, shërbimeve dhe produkteve në formë jo-përjashtuese, por të barabartë dhe fer. Institucione të tilla gjinden kryesisht në vendet e zhvilluara, të cilat krijojnë mirëqenie për shumicën e qytetarëve të një shteti. Në anën tjetër, institucionet ekstraktive janë rregullat, ligjet, normat të cilat janë të dizajnuara të nxjerrin (ekstraktojnë) pasuri dhe resurse nga qytetarë e një shteti dhe t’i koncentrojnë atë në duart e një klase udhëheqëse e cila i krijon dhe mirëmban këto institucione në kurriz të qytetarëve dhe në benefit të vetvetes. Këto lloje të institucioneve janë shumë të zakonshme në vendet e pazhvilluara dhe të atyre në tranzicion, të cilat në formë shumë perfide pasurojnë elitën dhe përjashtojnë varfërojnë qytetarët.

Shembull tipik i institucioneve ekstraktive në Maqedoninë e Veriut është trojka EVN-Këshilli Rregullator Energjetik, dhe Qeveria e RMV-së, institucione të cilat me bashkëpunimin dhe vendimet e tyre po japin shembullin më të mirë se si institucionet shfrytëzohen për të zhvatur qytetarët dhe për të pasuruar klasën udhëheqëse.

EVN veçmë dihet dhe njihet si organizatë e cila për interesin e saj është e gatshme të bëjë gjithçka. Ndër korporatat më jotransparente, EVN ka mungesë totale të konsideratës minimale për mirëqenien e qytetarëve dhe është në gjendje të bëjë gjithçka që çdo revoltë kundër sajë ta shuaj dhe ta diskreditojë. Para disa muajsh filluan protestat kundër EVN-së, dhe në momentin që ato filluan të marrin hov, filluan edhe ngjarjet interesante të djegieve të veturave të EVN-së të cilat u dogjën kinse nga populli mirëpo organizatorët e mohuan dhe asnjëherë nuk u zbulua se kush ishte aktori i vërtetë i këtyre djegieve. Pas atyre ngjarjeve protestat filluan të zbehen, ndoshta edhe për shkak të frikës që u mboll në popull se situata mund të dilte nga kontrolli nëse vazhdohej me protesta. Dikush e donte këtë dhe ndoshta për atë veturat u dogjën. Po gjithsesi, ju mund të thoni që sjellja e EVN-së është e kuptueshme sepse është kompani private, mirëpo jo edhe sjellja e KRRE-së dhe Qeverisë.StrugaLajm

Vendimet e fundit të Qeverisë dhe KRRE-së e dëshmojnë sinkronizimin perfid që EVN-KRRE dhe Qeveria kanë mes veti. Ditëve të fundit Qeveria solli vendim që të ulej taksa e energjisë elektrike për një vit nga 18% në 5% dhe e trumpetoi këtë vendim si një fitore për qytetarët. Në anën tjetër KRRE doli me vendim që çmimi i energjisë elektrike do të rritej për 12%, rritje ajo e cila nënkupton që qytetarët në fund do të paguajnë të njëjtin çmim të faturave, por me një dallim: 13% e asaj fature dikur shkonte në arkën e shtetit dhe mund të përdorej për të rritur mirëqenien e qytetarëve, ndërsa tani ajo shumë do të shkojë në arkën e EVN-së dhe do të pasurohen aksionarët e saj!LAJME TË NGJASHMEKor 5, 2021

EVN është kompani gjigande e cila “raisond’etree” ka maksimizimin e interesit të pronarëve të saj (siç duket me çdo kusht), e fatkeqësisht kjo kompani në Maqedoninë e Veriut ka gjetur një kastë politike e cila qartazi funksionon me mendësinë e EVN-së, pra dëshiron maksimizimin e interesit të saj dhe në këtë drejtim nuk kursen aspak interesin e qytetarëve. Kështu EVN-KRRE-Qeveria kanë krijuar rrjetin përmes së cilit marrin vendime e sjellin ligje dhe legalisht drejtojnë paratë e qytetarëve drejt xhepave të tyre.StrugaLajm

Qeveria, e respektivisht ministri Kreshnik Bekteshi, vazhdimisht thirren në pavarësinë e KRRE-së, duke dashur kështu që barrën e fajit për vendimet e këqija të KRRE-së t’ia veshin KRRE-së dhe t’i mbulojnë ato me petkun e ‘’pavarësisë’’ së KRRE-së. Po a është vallë KRRE e pavarur? Fatkeqësisht KRRE nuk është e pavarur! Njerëzit kryesorë të KRRE-së janë njerëz të cilët ose kanë punuar në EVN, ose janë aksionarë në kompani të energjetikës, ose janë militant të partive në pushtet, dhe pavarësia e tyre është shumë e dyshimtë (jo rastësisht njëri nga anëtarët e KRRE-së është në procedurë hetimore për konflikt interesi). Prandaj çdo vendim që sillet nga KRRE është absolutisht i ndikuar nga interesat të cilat anëtarët e KRRE-së i përfaqësojnë në atë Këshill, e të cilat janë çfarëdo interesa tjera përpos ato të qytetarëve.

Në anën tjetër, përveç që kjo treshe zhvatë qytetarët veçmë të varfër, në mënyrë sistematike bëhet përjashtimi i qytetarëve nga tregu i energjisë elektrike. EVN fillimisht në aspekt infrastrukturor e pamundëson prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike që mund të prodhohej nga qytetarët përmes paneleve diellore duke mos siguruar infrastrukturë të nevojshme për kyçje dhe shpërndarje të asaj rryme elektrike në sistemin ekzistues, ndërsa në anën tjetër në formë ligjore pamundëson prodhimin e energjisë elektrike nga prodhuesit e vegjël dhe ekskluzivisht ua mundëson atë prodhuesve të mëdhenj, të cilët kanë kapacitet financiarë të ndërtojnë hidrocentrale dhe janë zakonisht njerëz të afërt me pushtetin ose janë vet pushtetarët. Pra kjo përjashton konkurrencën dhe pamundëson transferin në energji efikase, dhe prandaj e kemi edhe gjendjen kështu si e kemi në aspekt të energjetikës.

Maqedonia e Veriut prodhon vetëm 53% të energjisë e cila konsumohet në shtet, pra ne importojmë 47% të energjisë të cilën e konsumojmë. Në anën tjetër, nga energjia të cilën e konsumojmë, vetëm 15.8% mbulohet nga energjia e ripërtëritshme, që do të thotë se pjesa dërmuese e energjisë të cilën e konsumojmë vije nga burime joefikase dhe të dëmshme të energjisë. Mirëpo kjo nuk është e rastësishme. Përderisa shtetet si Zvicra apo Lituania kanë rritur prodhimin e energjisë nga era me diku 7% në vitet e fundit, Maqedonia e Veriut ka shënuar ulje prej 0.1% të prodhimit të energjisë nga era, gjë që tregon mungesën e interesit të qeverive të njëpasnjëshme për investime në energji të ripërtëritshme. Pra në njërën anë mungesa e interesit për investime në energji të ripërtërishme dhe në anën tjetër – monopoli apo pamundësimi i konkurrencës të cilën e bëjnë ‘’treshja zhvatëse’’, mbanë status quo-në e varshmërisë nga importi, varshmërisë nga burimet joefikase të energjisë si dhe çmimet çdo ditë e më të larta.

Prandaj është imperativ i kohës që këto institucione zhvatëse të fillojnë dhe të ndahen nga njëra tjetra në mënyre që të ndryshojnë natyrën e tyre: pra nga institucione ekstraktive të bëhen institucione inkluzive, të cilat vendosin qytetarin në qendër të vëmendjes dhe të cilat bëjnë transferin sa më të shpejtë drejtë energjisë së ripërtëritshme. Hapi i parë në këtë drejtim do të ishte sjellja e një qeverie të re e cila nuk është interesuar të vet-pasurohet dhe është e interesuar t’i shërbejë qytetarit dhe jo vetes dhe oligarkëve të energjetikës.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)


Loading...
loading...