Venitja e kombit

Gjatë këtyre viteve është pritur që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, pas krejt atyre institucioneve që i qeverisin, të ngrihen në shkallën e emancipimit shoqëror të kombit, të jenë elementi i patjetërsueshëm shtetformues dhe bartës të sovranitetit të shtetit. Por, kur e shqyrtojmë pozitën e këtillë të shqiptarit në Maqedoninë e Veriut, me keqardhje duhet të konstatojmë se këto 20 vjet nuk e kanë lëvizur as në kuptimin milimetrik këtë status.

Shkruan: Zeqirija IBRAHIMI, Shkup 

Nëse shqiptarët e këndejkufirit kanë prodhuar një filozof me përmasa vizionari në fund të shekullit të kaluar, ky është pa dyshim Ukshin Hoti. Vepra e tij “Filozofia politike shqiptare” është një testament politik për kombin shqiptar, për nacionalizmin shqiptar dhe ajo është plot argumente teorike shkencore, të thëna qysh në kushte të ish Jugosllavisë, se shqiptarët meritonin të ishin komb në atë shtet dhe ta gëzojnë republikën e tyre.

Sa herë që i kthehem Ukshin Hotit, më duket se e lexoj së pari herë. Pa patetikë e teprime, jam i sigurt se nuk mund të ndërtohet politikë shqiptare pa e mësuar leksionin e Ukshin Hotit.

Por, kësaj radhe iu ktheva librit të prof. Ukshinit për një arsye krejt politike. Sivjet bëhen 20 vjet qëkur u mbajtën zgjedhjet e para pas konfliktit të vitit 2001, pra pas arritjes së Marrëveshjes së Ohrit. Përtej oponencës politike me ndonjë, ky tekst synon të bëjë një evaluim të ftohtë të gjendjes politike të shqiptarëve në këtë shtet pas dy dekadave qëkur ka ndodhur një prerje e historisë sonë në këtë shtet.

Nga istikamet në qeveri

Konflikti i armatosur, që u zhvillua më 2001 mes forcave të armatosura shtetëroredhe gueriljes shqiptare – Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit më 13 gusht 2001. Pas kësaj vijoi demilitarizimi i UÇK-së,ajo u kthye në parti politike (Bashkimi Demokratik për Integrim – BDI) dhe në vitin 2002 i fitoi zgjedhjet në kampin politik shqiptar, duke mbetur fituese tash e njëzet vjet.

Ardhja në pushtet, përveç dehjes me fuqinë e madhe që e ofron pushteti, e solli edhe sprovën e realizimit të Marrëveshjes së Ohrit. Dhe, këtu dolën problemet e para. Edhe pse ishte paraparë që kjo marrëveshje të implemetohej deri në vitin 2004, zbatimi i saj zgjati deri më 2018, me implementimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, që shënoi zgjerimin më të madh deri atëherë të përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, por pa e ndryshuar modelin e politikës gjuhësore të shtetit.

Për lidershipin dhe aktivistët e asaj partie, por edhe për optimistët e paepur, pas zgjedhjeve të vitit 2002e këndej ka ndryshuar edhe historia e shqiptarëve në RMV: përherë të parë shqiptarët do të futen në institucione, do të përfshihen në armatë, në polici, në administratë, do të marrin poste të larta shtetërore (deri në Kryetar të Kuvendit), pastaj do të zgjidhet problemi me arsimin e lartë shqip (u zyrtarizua Universiteti i Tetovës dhe u themelua Universiteti “Nëna Terezë” në Shkup), u themelua Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore Shqiptare, u themelua Ansambli i Këngëve dhe Valleve Shqiptare, u zgjidh problemi i gjuhës shqipe (ndonëse pjesërisht), iu dha mundësi zhvillimittë ekonomisë, vendi u integrua në NATO,jemi në rrugë të mbarë për BE, shqiptarët përfaqësohen në dikasteret më të rëndësishme të shtetit si kurrë më parë etj. Dhe, kur gjykohet me kritere të numërimit të arritjeve në krahasim me gjendjen para vitit 2001, këto janë vërtet suksese evidente që nuk mund të mohohen. Në anën tjetër, për një opozitar,kjo periudhë lë shumë për të dëshiruar: që nga drejtësia me procese të montuara, Ligji i ndarjes territoriale, pabarazia kushtetuese e gjuhës shqipe, arsimi i lartë në gjuhën shqipe i pasanksionuar me ligj, shpërngulja masive për shkak të mungesës së perspektivës ekonomike (sipas Bankës Botërore, diku rreth 300 mijë shqiptarë mund ta kenë braktisur vendin nga viti 2002), mungesa e zhvillimit të rajoneve shqiptare, lënia e kapitalit të shtetit vetëm në duar të bizneseve maqedonase, politizimi i arsimit, korrupsioni, krimi i organizuar, mungesa e zgjidhjes ligjore të çështjes së veteranëve të UÇK-së etj. Natyrisht, as ky qëndrim nuk është shpifje. Për të gjitha këto ka mjaftueshëm argumente.

Megjithatë, përtej interpretimit me kritere të politikave ditore, dëshirojmë që ky tekst ta vështrojë gjendjen duke e parë çështjen në kontekst të kombformimit tonë në këtë shtet.

Kombi

Duke iu referuar teorive moderne për kombin si shkalla më e lartë e zhvillimit të një grupi etnik/gjuhësor, për çka flet shumë edhe prof. Ukshini në librin e sipërpërmendur, viti 2022 është një moment i volitshëm që ta pyesim veten “A jemi bërë komb edhe ne, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut?”. Sa për ta pasur të qartëse çfarë është kombi,po e sjellimnjë referencë që e përmend edhe prof. U. Hoti. Sipas tij, “…ajo që në kohën tonë e përbën kombin mund të cilësohet si vijon: e para, dhe më e qenësishmja, kombi është njësi sovrane politike; e dyta, është populli, i cili, meqë disponon me një identitet të theksuar kolektiv, të krijuar me përfytyrimin e përbashkët mbi të kaluarën dhe të ardhmen e vet, e përjeton një shkallë më të lartë ose më të ulët të nacionalizmit. Dhe më në fund, kombi është popullsi e cila e banon një territor të caktuar, e njeh qeverinë e përbashkët, dhe zakonisht, ndonëse jo gjithmonë, e ka një gjuhë dhe një kulturë”(shih J. G. Stoessinger, The Might of Nations, Random House, N.Y. 1967, f. 7-8).

Edhe prof. Hysamedin Feraj ka sjellë një duzinë përkufizimesh për kombin, ndërsa Gellner-i dhe Hobsbawm-i gati i kanë shteruar të gjitha interpretimet për kombin dhe nacionalizmin. Pa i hyrë elaborimit të krejt teorive, do të themi se janë katër kritere që një bashkësi (komunitet, grup etnik) e bëjnë komb: 1) vetëmjaftueshmëria; 2) kujtesa e përbashkët; 3) elita kulturore; dhe 4) aftësia për pushtim. Sidoqoftë, në të gjitha këto teori kombi vihet në kontekst të shtetit, ngase në interpretimin modern thuhet se shtetet i lindën kombet. Aty ku kanë munguar njësitë politike, ka shërbyer edhe elemente të tera, si gjuha e përbashkët, për ta ndërtuar kombin, por megjithatë kombi merr kuptim modern vetëm në kontekst të shtetit. Kombi është populli që e bart sovranitetin dhe shtetësinë.StrugaLajm

Duke polemizuar përmes këtyre teorive, Ukshin Hoti qysh në ish Jugosllavi do të shkruajë se shqiptarët e Kosovës, me zhvillimin e tyre kulturor, ekonomik, shkencor, teknologjik, kanë arritur shkallë të mjaftueshme emancipimi shoqëror, që i bën ata njësi sovrane politike, që e meriton edhe shtetin e tyre. Ky, në të vërtetë, është argumenti i tij se shqiptarët nuk janë më “kombësi”, siç njiheshin në Jugosllavi, një emërtim ky që bënte stratifikim shoqëror për t’i dalluar njësitë me sovranitet politik (kombet) dhe ato që nuk e gëzonin këtë të drejtë. “Teorikisht, vetë shprehja kombësi e shënonte rritën, fazën kalimtare prej pakicës kombëtare që ishte shprehje standarde e shumicës së shteteve për pjesët e kombeve të huaja të mbetura nën juridiksionin e tyre, e gjer te kombi ose kombi-shtet.”, shkruan ai në librin e sipërpërmendur.

Kjo do të thotë se, në kontekstin tonë, gjatë këtyre viteve është pritur që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, pas krejt atyre institucioneve që i qeverisin, të ngrihen në shkallën e emancipimit shoqëror të kombit, të jenë elementi i patjetërsueshëm shtetformues dhe bartës të sovranitetit të shtetit.Por, kur e shqyrtojmë pozitën e këtillë të shqiptarit në Maqedoninë e Veriut, me keqardhje duhet të konstatojmë se këto 20 vjet nuk e kanë lëvizur as në kuptimin milimetrik këtë status. Derisa në ish Jugosllavi ne ishim “kombësi”, në Maqedoninë e pavarur u bëmë “pakicë kombëtare” (shih preambulën e vitit 1991), me kushtetutën që doli nga Marrëveshja e Ohrit ne u shndërruan në “bashkësi etnike” (shih preambulën e vitit 2001). Gjatë gjithë kësaj kohe kombi, si bartës i sovranitetit dhe si element shtetformues, mbeti atribut për maqedonasit. Gjykuar me interpretimin e prof. Ukshinit, i bie se në perceptimin maqedonas (që është edhe sanksionim shtetëror), shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë një grup etnik, pra minoritet (ndonëse minoriteti më i madh) me një gjuhë tjetër nga maqedonishtja, të cilëve shteti dhe maqedonasit ua njohin të drejtat kulturore, gjuhësore dhe arsimore të minoritetit, por pa të drejtë sovraniteti politik kombëtar dhe shtetëror. Prandaj edhe preambula e kushtetutës i vendos maqedonasit në status të kombit dhe popullit me të drejtë të vetëvendosjes, ndërsa shqiptarët i fut në shportën e minoriteteve dhe bashkësive etnike pa të drejtë të vetëvendosjes. E meqë shqiptarët janë pajtuar të jenë minoritet, si kundërshpërblim shteti u jep të drejta të zgjeruara të minoritetit – arsim në gjuhën amtare, përdorim të gjuhës në institucione, edhe pse – si gjuhë e minoritetit – shqipja ka vlerë vetëm pranë maqedonishtes, duke qenë gjuhë e përkthyer. E duke mos pasur status të kombit me sovranitet politik, kjo e ka implikuar edhe mosndryshimin e modelit të politikës gjuhësore.

Përkundër kësaj, në vend që më 2022 ne të konstatojmë se gjendja jonë me kombformimin ka ngecur, ne kemi një gjendje gati paradoksale: në njërën anë çështja kombëtare shqiptare në RMV shpallet temë të mbyllur, duke kaluar në tema mjedisore, për të dhënë mesazhin se “historia jonë e ndërtimit kombit ka përfunduar pa sukses; ne përfundimisht do të jemi minoritet (bashkësi etnike), andaj tash mund të kalojmë në tema të tjera”, dhe – në anën tjetër – nuk gjen gati asnjë zë tjetër që ta thotë hapur se “mbreti është lakuriq”: shqiptarët në RMV janë minoritet, grup etnik pa sovranitet, pa të drejtë të vetëvendosjes dhe element joshtetformues.

Kjo i ndërlikon gjërat shumë. Pavarësisht oponencës ose pajtueshmërisë politike për çështje të caktuara, por pas luftës së vitit 2001, duke pasur në fqinjësi me një shtet që 5% serbë i trajton si komb i barabartë me 90% shqiptarë (Kosova), mburrja me statusin e minoritetit është ose naivitet ose inferioritet. A është kjo rezultat i injorancës, tolerancës apo neglizhencës, kjo mbetet për t’u vlerësuar, por megjithatë nuk e ndryshon faktin.

Vetëqeverisja lokale

Përveç këtijmëkati historik (sepse është goxha vështirë edhe një herë të rikthehet tema e statusit të shqiptarëve në RMV), një dëm i madh me përmasa historike është edhe Ligji për vetëqeverisje lokale, i miratuar më 2004. Me këtë ligj janë prodhuar komuna shqiptare pa mundësi zhvillimi dhe është pranuar fragmentimi i territoreve shqiptare që gjeografikisht kanë qenë të lidhura (një element themelor për ndërtimin e kombit). Kështu, fjala bie, fshatrat shqiptare të Karadakut të Shkupit janë të ndara në komunat Gjorçe Petrov (Nikishtani dhe Graçani), Çuçer-Sandevë (Bllaca, Tanusha, Breza, Malina), Butel (Luboteni), Gazi Babë (Straçinca dhe Hasanbegu),ndërsa në Karshiakë fshatrat shqiptare janë ndarë në Komunën e Zelenikovës, Studeniçanit dhe Sopishtes. Po ashtu është ndarë edhe Karadaku i Kumanovës, me ç’rast Komuna e Likovës– si komunë më vete –është bërë gati e paqëndrueshme, ndërsa shqiptarët e Kumanovës me atë ndarje janë shndërruar në pakicë në qytet. Në anën tjetër, në Shkup është prodhuar një komunë shqiptare (Çairi), që është komuna më dendur në Europë (rreth 70 mijë banorë në 3.2 km katrorë), komunë pa asnjë resurs zhvillimor dhe pa mundësi zgjerimi, ndërsa edhe si e tillë, ajo është ndarë në dy zona zgjedhore.

Shembuj të këtillë ka edhe në vendbanime të tjera, por këto janë sa për ilustrim të gjendjes. E kur kësaj i shtohet edhe fakti se decentralizimi i pushtetit qendror në atë lokal po zvarritet më shumë se 15 vjet, mund të merret me mend se cila është perspektiva e këtyre komunave. Ndërkaq, duke e ditur se ky ligj është gati e pamundur të ndryshojë (nevojiten 80 vota në Kuvend), mund të konkludohet se ky dëm me përmasa historike do të jetë fatal për historinë, gjeografinë, demografinë dhe ekonominë shqiptare në RMV.StrugaLajm

E për të konkluduar se ndarja territoriale e ka vulosur fragmentimin e kombit, na shërben edhe fakti se shqiptarëve në RMV nuk u lejohet ta themelojnë Asociacionine Komunave Shqiptare (siç kërkohet nga serbët në Kosovë, siç është votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe siç sponsorizohet edhe nga bashkësia ndërkombëtare)

Vrasja e demokracisë

Në vitin 2016-të BDI-ja i fitoi 10 deputetë (nga 20 sa i kishte në zgjedhjet e vitit 2016), por pas aq viteve qeverisje për herë të parë e mori Kryetarin e Kuvendit, që do të jetë kryetari i parë shqiptar i Kuvendit në Maqedoninë pluraliste. Pavarësisht si e interpretojnë politikanët aktivë të asaj partie, arsyeja themelore e këtij suksesi duhet t’injihet pikërisht standardit të ri të demokracisë shqiptare – më 2015 u formua Lëvizja Besa dhe LRPDSH, dy forca politike që seriozisht e ndryshuan skenën politike dhe kjo i dha peshë partisë fituese në zgjedhje. Duke pasur parti opozitare shqiptare të fuqishme, kështu iu rrit pesha specifike partisë shqiptare në pushtet. Dhe, pas kësaj – me rënie e ngritje – tradita ka vazhduar, por gati është sanksionuar joformalisht se partia shqiptare fituese në zgjedhje duhet ta ketë gjithnjë Kryetarin e Kuvendit. Kjo ishte vlera e demokracisë që e solli një klasë e re politike shqiptare.

Megjithatë, kjo do t’i pengonte partisë së parë shqiptare. Duke trashëguar një mendësi enveriste që kundërshtarin politik e sheh si armik që duhet zhdukur, e jo si partner komplementar që i plotëson zbrazëtirat, ajo – me metodat e saj subversive të njohura për partitë e ekstremit të majtë– arriti ta dëmtojë krejt opozitën shqiptare, duke i shkaktuar përçarje të pakthyeshme së pari Lëvizjes Besa, pastaj koalicionit Aleanca për Shqiptarët etj., e duke i mundur partitë shqiptare në zgjedhje lokale (2017) me metoda jodemokratike dhe me lojëra “nën bel”, krejt kjo me qëllim që të mbetet në pushtet vetëm ajo dhe me qëllim që mos të lërë asnjë kundërshtar të fuqishëm. Natyrisht, secila nga këto parti e ka fajin e saj, qoftë të papjekurisë së lidershipit ose të joseriozitetit politik, por lufta që është bërë për shkërmoqjen e këtyre partive ka qenë e tmerrshme dhe, fatkeqësisht, e suksesshme për të, por e dëmshme për demokracinë te shqiptarët.

Në këtë mënyrë, duke mos e kuptuar saktë demokracinë se “opozita të shtyn të jesh i suksesshëm”, me sukses u eliminua fryma opozitare. Kështu, edhe koalicioni AlternAtivA& Aleanca për Shqiptarët tashmë nuk ekziston, ngase Alternativa u detyrua të futet në qeveri, ndërsa ASH-ja, me dy komuna të fituara, nuk është se mund të mburret për rritje dhe shpresë. Kjo në perceptimin e partisë që përfiton nga kjo mund të jetë sukses, por pavarësisht kësaj, shqiptarët – në përpjekjen e tyre kombformuese – as në vitin 2022 nuk arrijnë të konsolidojnë demokraci brenda vetes. Dhe, në kohën kur partitë maqedonase duan të krijojnë sa më shumë kanale që votat shqiptare të shkojnë në adresë të tyre, përçarja e partiveopozitare shqiptare me metoda subversive, kjo për shkak të pasionit për pushtet, vërtet ta garanton pushtetin, por e dëmton seriozisht ndërtimin e kombit, e dëmton skenën e polarizuar etnike (parti maqedonase kundrejt partive shqiptare, që e personifikon shtetin binacional) dhe e shkatërron demokracinë si vlerë dhe si garë për të prodhuar më shumë mirëqenie dhe suksese për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Duke pasur një skenë që nuk ndryshon tash e njëzet vjet, politika shqiptare në RMV, sipas maksimës “art për art” (nga frëngjishtja: l’art pour l’art), është shndërruar në “pushtet për pushtet”, që nënkupton se krejt angazhimin politik e ka vetëm një kuptim – pushtetin. Ky synim pastaj i justifikon të gjitha mjetet (përfshirë edhe ato të dhunshme dhe manipuluese), madje edhe fushatat e tipit “koha për kryeministrin e parë shqiptar”,që përfundojnë me përfundimin e zgjedhjeve, për të vazhduar me klientelizëm partiak e familjar e për t’u kthyer rishtazi në ciklin e ardhshëm zgjedhor me ndonjë marifet tjetër të PR-it. Sikur të mos ishim në vitin 2022, por në vitin 1982, kjo do të quhej AGJITPROP (agjitacion dhe propagandë). Në këtë sigurisht ndihmojnë edhe mediat dhe analistët “e pavarur”, që ndonëse shpesh shpërfaqin zbrazëti intelektuale, për mrekulli e luajnë rolin e AGJITPROP-it.

Kjo situatë i ka shtyrë edhe partitë e tjera shqiptare të besojnë se vetëm pjesëmarrja në pushtet të bën parti të suksesshme dhe se vetëm pushteti e arsyeton ekzistencën e partisë. Prandaj, lufta për pushtet është shndërruar në një garë “pa pardon”, ku gati janë shuar të gjitha vlerat morale dhe korrektësia politike, ndërsa oferta zgjedhore është bërë një narracion që përfundon me ditën e zgjedhjeve.

Për fat të keq, ky klientilizim i shoqërisë tek shqiptarët në RMV, përmes makinacionit propagandistik, synon ta bjerrë çdo masë kritike. Përkundër asaj se kemi universitete, shkolla e media, kritika është ose sipërfaqësore (analistët e paguar) ose ofenduese (aktivistët politikë dhe votuesit opozitarë) ose mungon fare. Madje, fatkeqësisht, në vend të kësaj shpesh kemi raste kur të a.q. profesorë thurin elozhe për Liderin, universitetet i japin tituj honorofikë, ndërsa gazetarët (e hoxhallarët) lumturohen kur bëjnë foto me të.

Venitja

Në vitin 2016, kur u themelua Lëvizja Besa, u krijua një shpresë se kjo do të jetë një storje si ajo e Vetëvendosjes në Kosovë. Ishte ai një entuziazëm që u përkthye me rreth 60 mijë vota (dallimi me BDI-në ishte diku 25 mijë vota), që po të mos ndodhte përçarja e Besës (më 2018) nga njerëz, si duket, të kapur nga struktura të pushtetit të atëhershëm, kjo forcë politike në zgjedhjet e ardhshme do të ishte fituese. Në fakt, ajo fitore do të arrihej qysh më 2016, por mosbashkimi i forcave politike shqiptare,duke futur krimba në kampin opozitar, që pas zgjedhjeve u shuan, e prodhoi dështimin. Zhgënjimi i parë ishte që opozita nuk arriti të bashkohej, ndërsa zhgënjimi i dytë ishte përçarja e Besës. Zhgënjimi i tretë do të vijë më vonë – kur Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët nuk arritën të korrin sukses në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 dhe në ato lokale të vitit 2021. Problemet që lindën brenda koalicionit ASH&AAA mes dy raundeve zgjedhore në zgjedhje lokale dhe kur pastaj Alternativa vendosi të futet në qeveri, e prodhuan zhgënjimine fundit. Po e përdorim fjalën zhgënjim për ta përshkruar emocionin e votuesit shqiptar që dëshiron të shohë ndërrim të pushtetit edhe në kampin shqiptar në RMV, ndonëse në terma politikë kjo i bie që partitë politike shqiptare në kontekstin e caktuar politik kanë marrë vendim të caktuar në interes të partive të tyre.

Por, përtej përshkrimit të emocionit të pritjes së votuesve, ajo që duhet shënuar dhe nënvizuar është se viti 2021 shënon venitjen më të madhe të kombit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Kur ne po mbetemi minoritet, kur gjuha jonë po trajtohet si gjuhë e pakicës, kur shpërngulja tek ne është me përmasa eksodi, kur perspektiva ekonomike është e rënduar tejmase, kur krimi e korrupsioni lulëzojnë, ndërsa drejtësia vazhdon të jetë e kapur, kur rajonet shqiptare mbeten më të pazhvilluarat, kur mungon kritika e artikuluar intelektuale, kur qeveria është bërë punëdhënësi më i madh në shtet, kur shqiptarët janë bërë myshterinj (klientë) të partisë, kur demokracia jonë është lojë ku paraprakisht dihet fituesi, kur gazetarët e opinionistët janë edhe honoraristë te partia, kur hoxhallarët ose mburren që janë aktivistë të partisë dhe e lusin liderin t’i bëjë myfti e reis ose i fusin besimtarët në idenë abstrakte të kombit mysliman (ummet) dhe kurrë nuk u flasin për kombin shqiptar ose i mbajnë besimtarët në tema të panevojshme teologjike të qenies së Zotit, kur ne vazhdojmë të mburremi se jemi “bashkësi etnike”, gjithnjë e më shumë po venitet edhe shpresa për shqiptarët që të bëhenkomb i konsoliduar me sovranitet politik dhe ne gjithnjë e më shumë po betonohemi si komunitet që – ndonëse e ka pasur mundësinë për t’u bërë komb – nuk e ka shfrytëzuar atë, por ka vazhduar të jetojë në lumturi provincialiste të “bashkësisë etnike”, madje duke u kënaqur me atë status (bile, edhe me “Ministri të Bashkësive Etnike”).

Po e përmbyllim këtë tekst duke u rikthyer tek Ukshin Hoti. Ashtu si në marrëveshjen e partive politike shqiptare të ish Jugosllavisë (të nënshkruar në Prishtinë më 1991), edhe prof. Ukshin Hoti qysh atë vit, në një kumtesë, thoshte se Kosova duhet të jetë shtet sovran, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë duhet ta kenë “statusin e bartësit të shtetësisë së sankcionuar me kushtetutë në Republikën e Maqedonisë”.

Jemi në vitin 2022. Kosova është shtet sovran dhe drejt rrugës së njohjes ndërkombëtare, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të jenë “grup etnik”.


Loading...
loading...