BLENDI PETROL
Aktuale

Vetëm 12 nga 100 të diplomuar e ushtrojnë profesionin!

Vetëm 12 nga 100 studentë gjejnë punë në bazë të shkathtësive dhe njohurive të tyre të profesionit, tregojnë analizat e organizatës “Maqedonia 2025”. Në nivel vjetor, ekziston nevoja për 18 mijë punësime të reja, ndërsa 7000- 8000 vende të punës nuk po plotësohen

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 27 janar – Vetëm 12 nga 100 studentë do të gjejnë punë në bazë të shkathtësive dhe njohurive të tyre,tregojnë analizat e organizatës “Maqedonia 2025”. Gjithashtu, në nivel vjetor, ekziston nevoja për 18 mijë punësime të reja, ndërsa 7000-8000 vende të punës nuk po plotësohen. Edhe analizat e ndryshme tregojnë se punëdhënësit ballafaqohen me mungesën e fuqisë së nevojshme punëtore. “Situata aktuale në tregun e punës nuk ofron garanci se fuqia punëtore në një periudhë afatgjate do të mund ti përgjigjet kërkesave të bizneseve vendore. Njëherazi ekziston edhe mosharmonizimi I shkathtësive dhe kompetencave të ofertës së fuqisë punëtore, arsimimit jo fleksibil në raport me nevojat e biznesit. Gjithashtu, edhe ikja e kuadrove nga shteti kontribuojnë në mënyrë shtesë për mungesën e kuadrit profesional që i nevojitet biznesit”, thonë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë. Në problemet e mëdha në tregun e punës ndikojnë edhe politikat jo të mira të regjistrimit në shkollat e mesme dhe fakultetet, interesimi i dobët i punëdhënësve të marrin pjesë në përgatitjen e plan programeve mësimore që do të nxjerrin kuadër përkatës, thonë nga Oda Ekonomike. Në ndërkohë, ekspertët thonë se sistemi arsimor dhe ai i trajnimeve akoma nuk po krijojnë një fuqi punëtore që do të jetë e gatshme për tregun e punës.

“Kemi mungesë të fuqisë punëtore si në aspektin e cilësisë ashtu edhe të sasisë. Njëherazi arsimi nuk duhet të ofrojë vetëm dituri, por edhe shkathtësi, për shkak se për kompanitë kryesorja është që punëtorët të dinë çka dhe si të punojnë dhe jo të kenë arsim të përgjithshëm”, thotë profesoresha Nikica Mojsovska Bllazhevska. Sipas saj, nga afër 200 mijë të papunë të evidentuar në gusht të vitit të kaluar, vetëm gjysma apo 100 mijë kërkojnë punë në mënyrë aktive, ndërsa 25 për qind e të rinjve nuk janë aktiv dhe nuk kanë ambicie. Nëse këtij problemi i shtojmë edhe ekonominë e zezë dhe migrimin në raport me përvojat e shteteve të tjera anëtare të BE-së, kjo na udhëzon në mungesën e shkathtësive profesionale tek fuqia e disponueshme punëtore, shton ajo.

Nga Oda Ekonomike Amerikane në Maqedoni thonë se anëtaret e tyre me të madhe po e ndjejnë mungesën e fuqisë punëtore. “Hendeku midis ofertës dhe kërkesës në tregun e punës nuk është problem vetëm i sektorit të biznesit dhe qeverisë, por edhe i tërë shoqërisë, andaj edhe duhet të zgjidhet në bashkëpunim me sektorin shtetëror, privat dhe publik dhe së bashku me të rinjtë duke dëgjuar edhe zërin e tyre”, thotë kryetarja e kësaj ode, Dijana Despodov. Sipas saj, mërgimi i të rinjve si një nga shkaqet e hendekut të fuqisë punëtore, është pasojë jo vetëm e të ardhurave të ulëta, por edhe cilësisë së jetesës në vend, ndërsa shton se mbajtja e të rinjve është e mundur nëse ju ofrohen vende mirë të paguara të punës, avancohet cilësia e jetesës apo edhe stimulohet më shumë sipërmarrja. Ndryshe, vlerësohet se në të ardhmen hendeku midis ofertës dhe kërkesës në tregun e punës në të ardhmen mund të jetë pengesë për zhvillimin më të madh ekonomik të vendit. Sfidë në të ardhmen mbetet edhe zgjidhja graduale e problemit madhor, apo rikualifikimi i pjesshëm i të papunëve, ku nga 105 mijë të papunë, mbi 42 për qind janë më të moshuar se 50 vjeç, gjysma janë me ose pa arsim fillor, 26.5 për qind janë me shkollë të mesme, por jo nga shkollat teknike që kërkohen në treg. (koha.mk)

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button