BLENDI PETROL
Kuriozitete

Virgjëria. Pse “qepen” vajzat shqiptare?

Dr Adil Mustafa, gjinekolog, shpjegon këtë fenomen akoma të përhapur.

Fabjola Kuburi : -Kemi dëgjuar se janë shtuar rastet kur vajza u drejtohen klinikave obstetrike-gjinekologjike për të qepur ose rindërtuar himenin e virgjërisë. E vërtetë është kjo?

Dr.Adil Mustafa : – Nuk mund të them se është shtuar, ose pakësuar numri i këtyre rasteve, por është e vërtetë se ka mjaft vajza që u drejtohen spitaleve, apo klinikave mjekësore për këtë. Edhe sot, kur të gjithë ulërasim se kush e kush është më shumë modern e i emancipuar, edhe pse deklarojmë se kemi ecur përpara drejt Evropës, ka çifte të reja që e bazojnë jetëgjatësinë e marrëdhënies së tyre pikërisht në faktin nëse vajza ishte apo jo e virgjër. Dhe, në këtë situatë, vajzat pranojnë më mirë që të gjejnë një zgjidhje tek mjekësia, sesa t’i rrëfejnë të vërtetën partnerit të tyre…

–Çfarë thonë vajzat që vijnë tek ju ? Kaq e rëndësishme është për to ?

-Derisa marrin rrugën dhe trokasin për të kërkuar ndihmën e doktorit, do të thotë se kjo është shumë e rëndësishme për to. Mosqënia e virgjër, mungesa e himenit (cipës së virgjërisë), mund t’i kushtojë edhe të ardhmen një vajze… Por nuk vijnë vetëm vajzat në klinikë. Ka shumë raste që vijnë edhe çifte…

– Çifte ?!

– Po, çifte të cilat prisnin që vajza të kishte gjakderdhje gjatë marrëdhënies së parë, në ditën e dasmës, ose më parë, por kjo nuk kishte ndodhur. Dhe, në më të shumtën e rasteve, ka qënë vajza që ka ngulur këmbë e i ka kërkuar djalit që të shkojnë bashkë me të te doktori për ta vërtetuar që ishte e virgjër…

– Dhe ju, çfarë bëni në këto raste ?

– Në këto raste, unë si mjek gjinekolog, në prani të mamisë dhe partnerit të vajzës, bëjmë vizitën gjinekologjike dhe kur na kërkohet, japim edhe një vërtetim me nënshkrimin tim dhe të mamisë që të mund të përdoret si dokument edhe për ekspertizë gjyqësore… Por, në më të shumtën e rasteve, ata nuk vijnë për të marrë dokumente të tilla, por për t’u sqaruar për të vërtetën…

– Dhe dalin të sqaruar? Si ka qënë e vërteta në shumicën e rasteve?

-Gjatë gjithë eksperiencës sime 20 vjeçare, kam vënë re se në mbi 99 për qind të rasteve kur vajza ka kërkuar që të shkojë te gjinekologu, del që vajza ka patur të drejtë. Ajo ka qënë e virgjër, por nuk ka patur gjakderdhje gjatë kontaktit të parë…

– Pse ndodh kështu?

– Sepse një femër nuk gjakoset gjithmonë kur kryen marrëdhënie seksuale për herë të parë. Nëse himeni është shumë i ngushtë, një grua mund të gjakoset pak. Por ka edhe lloje të tjerë humenësh që nuk japin gjakderdhje, sidomos ndodh kjo te vajzat me himen elastik, me vrimë të gjerë. Dhe nuk janë pak. Sipas statistikave mbi 50 për qind e femrave kanë një himen të tillë. Mjekët thonë se vetëm 43 për qind e grave në botë e humbasin virgjërinë duke pasur rrjedhje gjaku në kontaktin e parë seksual, pjesa tjetër nuk kanë asnjë shenjë të këtij kontakti.Veç kësaj, ka edhe mjaft femra që e çajnë himenin aksidentalisht, duke drejtuar biçikletën, nga hypja në kalë, ushtrimet fizike, apo gjate jetës fëminore nga kruajtja, apo mastrubimit. Këto të fundit arrijnë në 30 përqinde të rasteve, sipas statistikave.

Me durim ne ja shpjegojmë të gjitha këto partnerit. I shpjegojmë se gjatë marrëdhënies së parë seksuale në himen, kur ka gjakderdhje, zakonisht, paraqiten dy ose tre të çara… I themi, për shembull, se vajza ka lindur me këtë lloj himeni dhe kjo është normale, madje ja tregojmë edhe që ta shikojë vetë që ai është ende i paçarë dhe ai mund të çahet vetëm kur ata të lindin fëmijë; I nxjerrim dhe literaturë ta lexojë dhe vetë dhe të bindet. Dhe, pothuajse gjithmonë, në 99 për qind të rasteve, ata janë bindur, i kanë kërkuar falje partneres dhe janë përqafuar në prezencën tonë. Dhe e bukur është që edhe pse kanë ikur të përqafuar, kanë marrë edhe vërtetim për t’ua treguar prindërve në vend të çarçafit me gjak…

– Desha t’ju pyesja më poshtë për këtë zakonin e çarçafit, por me që e përmendët po ju pyes tani: Ekziston akoma ky zakon?

– Po, edhe pse është zakon shumë poshtërues për femrën, ai ekziston ende në shumë zona fshatare e malore, në vendet ku ka shumë ndikim feja e sidomos në komunitetin rom… Në shumë raste, nata e parë e martesës kthehet në një dramë, pasi të nesërmen në mëngjes burri i ri, „i mashtruar“ kërkon të kthejë në shtëpinë e saj vajzën, pasi nuk e ka gjetur të virgjër dhe nuk ka mundur dot të nderë çarçafin në dritare, siç e do zakoni. Shpesh ndodh që na vijnë në klinikë, herët në mëngjes hëret, pa dalë mire drita, edhe vjehhra që kanë pritur të nderin çarçafin, por s’kanë mundur, për të pyetur pse nusja nuk ka nxjerrë gjak… Jam munduar të luaj rolin e mediatorit duke ja vërtetuar dhe dokumentuar që gjaku në çarçaf nuk është siguri për ndershmërinë.

– Po a binden?

– Në shumë raste jo. Ata që kërkojnë gjakun në çarçaf e duan atë, qoftë edhe me një virgjëri fallco. Ata këmbëngulin në virgjërinë e nuses, më shumë jo sepse duan atë, por sepse duan të tregojnë shenjën që ajo është e tillë. Por ka edhe të tjerë që edhe pse nuk e nderin çarçafin më në dritare e kërkojnë ende njollën në çarçaf, si shenjë ndershmërie… Këto kategori njerëzish i detyrojnë vajzat më shumë që të vijnë „të qepen“ …

– Po tjetër, çfarë e shtyn vajzën të vijë tek ju për të kthyer virgjërinë : Duan të ndjehen mirë me vehten, se bëhen pishman për diçka të kryer , apo si një nevojë e domosdoshme për të krijuar familje apo për të finalizuar me fejesë një lidhje me një djalë konservator? Pse e bëjnë këtë? Çfarë thonë vajzat?

– Arsyet janë të ndryshme, sa ç‘janë të ndryshme edhe vajzat. Ka raste që lidhen me faktin se martesa e ardhshme është bërë me shkuesi, ku shkuesi, zakonisht një i afërt i dy palëve, ka hyrë garant për „ndershmërinë“ e vajzës, pa pyetur më parë vajzën nëse ka pasur apo jo një lidhje dashurie, pasi për një pjesë të madhe të shqiptarëve marrëdhëniet paramartesore janë tabu. E gjendur në këtë situatë, ku vajza nuk ka guximin të zhgënjejë njerëzit e fisit, pranon në heshtje që s’ka patur njeri dhe përfundon te doktori. Ka edhe raste të tjera, kur vajza është më finoke dhe i pëlqen djali dhe vendos të realizojë ëndrrën e saj. Shtiret si e virgjër dhe ndërkohë thurr planin. Gjithçka është e planifikuar mirë. Vetëm pak ditë përpara martesës, vajza shkon tek një profesionist, i cila i rindërton cipën e himenit, e qep, pra, siç thuhet në gjuhën popullore dhe nusja është ashtu siç e donte dhëndri. Fatkeqësisht ndodh edhe kështu. Çifte të reja, që në vend të së vërtetës, preferojnë ta nisin jetën me një gënjeshtër të madhe. Kam parë shpesh vajza që kërkojne himenorafi (qepje të himenit), për të „ rilindur“ të virgjëra, pa çarë kokën fare, sikur asgjë të mos kishte ndodhur më parë…Eshte ky një fenomen që vë në dyshim moralin e një shoqërie që e sheh veten konservatore e ku duket se njolla e gjakut në çarçafë ka mbetur pikë e fortë reference, por që shpesh është në të vërtetë “mëkati” i dyfishtë i të kaluarës dhe mashtrimit të së tashmes. Por ka patur raste kur më kanë ardhur edhe vajza viktima të një dashurie të parealizuar, të ndonjë mashtrimi apo edhe të ndonjë aksidenti nga ato që përmenda më lart. Kanë ardhur edhe vajza që i ka vrarë ndërgjegja për atë ç‚kanë bërë pa u menduar shumë dhe duan të rikthehen si më parë në virgjërinë e tyre. Janë pikërisht këto vajza që, ashtu si edhe meshkujt, mendojnë që marrëdhëniet seksuale duhet të kryhen vetëm pas martese dhe se ato që bëjnë seks para martese nuk janë të ndershme… Por, siç thonë, shumë prej tyre e bëjnë këtë edhe që burri i tyre i ardhshëm të mos ua përmendë gjithë jetën që ai nuk ka qënë i pari dhe se ato nuk kanë qënë të ndershme…

Po ka raste te çuditshme si i nje vajze, per te cilen partneri e dinte qe nuk ishte e virgjer, por e donte shume dhe per hater te prinderve, qe deshironin te shikonin çarçafin me gjak, solli te dashuren te qepej para martese….

Pra, te ne ende për shumë njerëz, është turp të kesh marrëdhënie seksuale para martesore dhe ende prishja e himenit quhet kjo si nje shenjë përdaljeje… Ndodh qe edhe vajza te virgjera qe kane lexuar se jo cdo kontakt i pare ka gjakderdhje, vijne te kontrollohen para martese… Madje, ka dhe vajza me himen elastik qe vertetohet nga gjinekologu se nuk munde te nxjerri gjak, kerkojne t’ja rregullojme himenin qe te nxjerre gjak…

– Nje pyetje konkrete: himeni ka lidhje të drejtpërdrejtë me virgjerine? Natyra ose Zoti e ka bere kete si tregues virgjerie për femrën?

– Lidhja midis himenit dhe virgjërisë nuk është aq e vërtetë sa e shpreh miti jo vetëm për faktin se ai nuk tregon gjithnjë që ka patur marrëdhënie seksuale. Në fakt himeni është thjesht një membranë mukoze që mbetet pasi vagina formohet plotësisht dhe shërben për mbrojtjen e vaginës nga infeksionet e ndryshme. Himen kanë edhe kafshët si pela etj, pra, s’ka të bëjë me virgjërinë e njeriut. As me atë që ne e quajme „cipë e ndershmërisë“

-Tek ne në fakt ndërsa në disa shtresa njerëzisht mbeten ende tabu marrëdhëniet seksuale paramartesore, vihet re edhe fenomeni tjetër : Gjithnjë e më tepër po ulet mosha mesatare e kryerjes së aktit të parë seksual nga vajzat…

– Po, kjo është e vërtetë. Mosha mesatare e humbjes së virgjërisë në botë varion nga 16.4 vjeç në SHBA deri në 22 vjeç në Indi. Por sipas anketimeve, tek ne ka raste që bëhet edhe më shpejt, sidomos në qytete. Seksi në adoleshencë është në rritje dhe kjo, më shumë se shqetësim për „nderin“ e tyre, është një problem për shëndetin, mendoj. Fenomeni i lindjeve në moshë të re dhe marrëdhënive seksuale në moshë të mitur është çështje botërore ndërkohë, dhe mjekët këmbëngulin në sensibilizimin e të rinjve, për sa u përket sëmundjeve seksualisht të trasmetueshme, masave mbrojtëse kundër shtatzanisë së padëshiruar dhe pasojave të tjera të kontakteve të hershme seksuale.

– Çfarë moshash janë zakonisht vajzat që vijnë te ju për kthimin e virgjërisë?

– Të gjitha moshat, por zakonisht 18-30 vjeç.

– Cilave shtresa shoqerore i përkasin?

– Më shumë shtresave shoqërore të varfëra, me pak arsimim, komunitetit rom dhe fshatrave dhe zonave malore të thella, ku ka me shumë ndikim feja!

-Ndikon besimi fetar në tabunë e virgjërisë?

– Po, sidomos ai mysylman. Kjo është trashëgimi nga e kaluara. Kohë më parë te shqiptaret dhe muslimanët ekzistonte një betim që vajzat e reja ua bënin prindërve, duke u premtuar se do ta ruanin virgjërinë dhe nderin e familjes. I njëjti rit vlente edhe për meshkujt, por ndryshe nga femrat, këta betoheshin se nuk do të bëjnë seks, sepse personi tjetër do të bëhej një ditë gruaja e dikujt ose mund të dëmtonin reputacionin e vajzës së dikujt.

– Eshtë „qepja“ një fenomen vetëm shqiptar tani?

-Jo, nuk është fenomen vetëm shqiptar. Madje për kuriozitet, mund t’ju them se kinezët kanë shpikur një himen artificial që mund ta blesh për rreth 20 dollarë. Më herët ata e importonin këtë nga Japonia dhe zakonisht njihet me emrin e virgjëreshës franceze Zhan d’Ark. Ai prodhon të njëjtën ndjesi si virgjëria, si dhe një njollë të kuqe menjëherë pas kontaktit të parë. Produkti është në shitje në të gjithë botën dhe përmes internetit, reklamohet në forume dhe kompanitë zakonisht ofrojnë „dy në një“, që ju të keni mundësinë të bëni një provë. Veç Kinës, ku rivirgjërimi me anë të kirugjisë plastike dhe himenit artificial është thuajse normal, për shkak të normave morale që kërkojnë nga një grua të jetë e virgjër natën e parë të martesës, dhe kjo të provohet përmes gjakut, mjaft i përhapur fenomeni është edhe në vende të Lindjes së Mesme, Arabisë Saudite, në Indi dhe në pjesë të Europës ku ka emigracion nga vende konservatore të Afrikës, nga India apo zona të tjera. Mjekët në këto vende aplikojnë tarifa „luksoze“ dhe mjaft vajza detyrohen të hyjnë në borxhe për të mbuluar paratë që u duhen për të paguar virgjërinë e re. Në një shkrim të Nju Jork Tajms, pak kohë më parë, një vajzë me prejardhje marokene që jetonte prej kohësh me familjen në Francë, dhe që më herët kishte pasur marrëdhënie me meshkuj e tani priste martesën, ndërsa është në radhë për një ndërhyrje të rikthimit të virgjërisë, citohet të thotë: “Tani virgjëria është më e rëndësishme se jeta ime“

– Eshtë i vështirë si proces për mjekun qepja?

–Jo, për mjekun gjinekolog nuk është e vështirë ndërhyrja. Ajo zgjat më pak se 10-15 minuta dhe konsiderohet si mjaft e thjeshtë dhe pa kosto. Nuk sjell asnjë efekt anësor dhe mund të bëhet më shumë se njëherë, të paktën, para se gruaja të ketë lindur. Më e vështirë, veç faktit se bëhesh pjestar në një mashtrim, është të bindësh femrën që ky është një mashtrim dhe që duhet t’i tregojë partnerit të vërtetën, po shumica e vajzave nuk binden. Ndihen më të sigurta të bëjnë qepje të himenit për të bërë çarçafin me gjak, thonë, se sa të kemi ndonjë mosmarrveshje në të ardhmen…

– Frekuentohen më shumë spitalet publike apo private? Pse për secilën?

– Frekuentohen edhe spitalet publike, edhe private, por me se shumti private se kjo është një gjë sekrete, një gjë mirëbesimi dhe vajzat duan të duken sa më pak, bile perveç mjekut dhe mamise mos t’i shohë askush tjetër. Ato nuk dëshirojnë të regjistrohen madje…Ndaj shkojnë me shpesh te privati.

-Sa mund të variojë çmimi i kësaj ndërhyrjeje?

– Ndonjëherë, kur vijnë nga zonat e varfëra dhe më kërkojnë t’ua bëj këtë pa e marrë vesh familja, ua bëj edhe falas… Ajo kushton 20 mijë lekë, por ka edhe që paguajnë edhe me shumë sidomos kur vijnë para martese, sëbashku me të dashurin dhe pagesën e bën ai…

-A është vërtetë si e virgjër një vajzë pas ndërhyrjes?

-Po, sepse kapen me pe dy-tre pikat e çara te himenit dhe gjatë penetrimit të penisit, peri çan pjesët e kapura dhe nxjerr gjak. Ndërhyrja ka afat 5 ditë, pra, duhet që brenda 5 ditësh femra të kryejë marrëdhënie. Më pas penjtë shkrihen…

– A ka patur raste ne praktikën tuaj që një femër është qepur dy herë?

– Po, më ka ndodhur disa herë. Ka patur raste qe vajzat kanë dashur që t’i tregojnë partnerit para se martohen që jane te virgjera dhe nuk kane arritur te realizojne kontaktin seksual brenda afatit 5 deri 7 ditë dhe janë detyruar qe te riqepen. Ose ka patur raste qe vajza e qepur njehere nuk perputhet me ate partner dhe ndahen e pastaj detyrohet te riqepet pasi te gjejë njeriun e besushem per martesë…

– A është i aftë një mashkull me eksperiencë seksuale dhe jetë aktive seksuale të kuptojë nëse një femër ka bërë një ndërhyjre të tillë?

-Në raste shumë të rralla edhe mund të kuptohet kjo ndërhyrje se garanci të sigurt ka vetëm në matematikë, por unë mendoj se po te ketë një dashuri të vërtete dhe një gjakderdhje , po ashtu, mashkulli nuk « gërmon » më shumë…

– Thuhet se shumica e atyre që e kërkojnë partneren e virgjër janë emigrantë që jetojnë jashtë. Nuk duket pak si paradoksale kjo ? Pse ndodh keshtu ?

-Eshtë e vërtetë që ata që janë jashte e kërkojnë më së shumti këtë. Ndoshta sepse ata nuk janë afër vajzave ne vendlindje dhe nuk i njohin ndoshta mirë. Ndaj që të sigurojnë kërkojnë „gjakderdhjen“ gjatë aktit të parë…

– Dhe së fundit ç‘do t’i thoshit lexuesve për këtë problem?

– E vetmja mënyrë për të lënë pas mitet e krijuara mbi virgjërinë dhe iluzionet që mund të keni rreth saj, është marrja e informacionit dhe bisedimi me miqtë apo me njerëzit tuaj të afërt. Bisedat rreth seksit, janë tabuja e parë që duhet të thyeni për të pasur një jetë seksuale të shëndetshme në të ardhmen. Nuk është virgjëria gjithshka për një femër. Njeriu duhet të kryejë marrëdhënie kur e ndjen të nevojshme. Ky mentalitet ka ndikuar që 40 përqind e shqiparëve të kenë probleme impotence. Dhe kjo vihet re më së shumti te njerëzit që mendojnë se “na dënon Zoti po të kemi marrëdhenie seksuale me ndonje femër tjetër para martese, ose po të masturbojmë”. Këta njerëz që nuk kanë ndjerë orgazëm një kohë të gjatë, i humbin ndjenjat. Po ashtu edhe një femër e ndershme që ruan virgjërinë pa njohur orgazëm deri ne moshe te madhe mbi 30 vjeç, i humb ndjenjat dhe ka probleme seksuale. Rekomandimi im si gjinekolog është që të bëni sa më shpesh seks. Ai është kënaqësi dhe antistres. Të gjithë çiftet që kanë kontakte të rregullta seksuale, janë më të shëndoshë psiqikisht dhe fizikisht. Kurse burrave fetarë dhe vajzave të ndershme që duan të ruajnë virgjërinë, ju them që të paktën një herë në javë të masturbojnë. Ndërkohë ata që kanë kontyakte seksuale, kujdes mos ndërroni shumë partnere. Kujdes nga sëmundjet seksualisht të trasmetueshme dhe nga shtatzanitë e padëshiruara !

Dr.Adil Mustafa, mjek obesteter-gjinekolog. poliklinika “Shëndeti”, Tiranë tel 0696349892 dhe 045605789, e-mail: dradilmustafa@yahoo.com

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button