Në Gjermani në tre vitet e fundit po rritet numri i profesionistëve nga Ballkani me arsim të lartë dhe zanatçinj. Kjo doli nga një studim i fundit i Institutit ekonomik gjerman, i cili tregon se krahas rritjes së ballkanasve që punojnë me letra në shtetin gjerman, në anën tjetër po zvogëlohet dukshëm edhe numri i kërkuesve të azilit. “Në vitin 2015, afër 140 mijë banorë të Ballkanit perëndimor kanë parashtruar kërkesa për azil në Gjermani, që si shifër është zvogëluar në 20 mijë në vitin 2017. Njëherazi në të njëjtën periudhë është rritur prej162 mijë në muajin mars të 2015-ës në 268 mijë në muajin mars të 2018-ës, apo për 80 mijë numri I punëtorëve me kontribute të paguara nga rajoni, që kanë qëndrim legal dhe leje të punës si rrjedhojë e rregullores ballkanase për thjeshtësimin e qasjes ndaj tregut vendor të punës”, theksohet në studimin e Institutit, sipas të cilit nga ky grup punëtorësh , afër 160 mijë prej tyre, janë të angazhuar në profesione që kërkojnë së paku dy apo tre vjet përvojë pune. VEPRIMTARITË SHËRBYESE, MË TË KËRKUARAT Më tej të dhënat e Agjencisë gjermane për punë, tregojnë se numri më i madh i punëtorëve nga Ballkani Perëndimor punojnë në veprimtaritë shërbyese siç janë, bie fjala, hoteleria, tregtia, ndërtimtaria dhe kujdes shëndetësor. Të dhënat më tej , tregojnë se afër 5.000 qytetarë të Maqedonisë vetëm në vitin 2017 kanë fituar punë në Gjermani, në bazë të ashtuquajturit rregull të Ballkanit Perëndimor, sipas të cilit procedura për marrjen e vizës më nuk është e dyfishtë, ndërsa punëdhënësit nuk parashtrojnë kërkesë për vizë te përfaqësitë e Gjermanisë në vendet e tyre, dhe nuk kërkojnë leje paraprake te Zyra e Punësimit në vendndodhjen e kompanisë. Një procedurë e tillë më parë zgjaste me muaj dhe binte ndesh me dëshirën për punësim sa më të shpejtë. Tani mjafton që kandidati të paraqesë në Ambasadën e Gjermanisë të gjitha dokumentet e nevojshme, duke përfshirë edhe vërtetimin nga punëdhënësi. Nga ana tjetër, në muajt e kaluar , konsullatat gjermane në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ishin në gjendje të përpunojnë kërkesat për viza pune, numri i të cilave është dyfishuar këtë vit. Sipas mahazinës “Spiegel”,vetëm në gjysmën e parë të vitit 2018, u paraqitën 52 mijë kërkesa për viza punë në të gjithë rajonin, dy herë më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit 2015. “Numri i kërkesave për viza ka tejkaluar kapacitetet e konsullatave tona, të cilat çojnë në rritjen e numrit të ankesave nga përfaqësuesit e biznesit, politikës dhe shoqërisë civile”, thuhet në dokumentin e Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme. Vizat përfaqësojnë instrumentin kryesor për kontrollin e emigracionit, evidentohet më tej në dokument. NGA 1 JANARI 2019, THJESHTËSOHET PROCESI I PUNËSIMIT Ndryshe, në Gjermani që nga 1 janari 2019 do të hynë në fuqi një sërë ndryshimesh të legjislacionit të punës, të cilat edhe më tutje do t’i hap dyert për emigrantët. Aktualisht, shtetit më të fortë të Evropës i mungojnë 1.2 milion punëtorë. Komuniteti i biznesit në Gjermani është i pakënaqur me burokracinë lidhur me hapjen e vendeve të punës dhe kjo po humb mbi 30 miliardë euro. Kancelarja Angela Merkel, ka rënë dakord me partnerët e koalicionit për të thjeshtuar procesin e punësimit të të huajve që nga 1 janari 2019. Është paraparë që një person mund të vijë në Gjermani për gjashtë muaj me shpenzimet e tij dhe të kërkojë punë. Nëse një person ka një kontratë me një punëdhënës në Gjermani, ai do të marrë një vizë pune në ambasadën gjermane të vendit nga i cili vjen. Por, deri më tani ky lloj aranzhimi ka qenë i mundur vetëm nëse punëdhënësi vërteton se nuk ka punëtorë për punën për të cilën i huaji është i angazhuar në tregun gjerman. Papunësia e ulët dhe popullsia në plakje në Gjermani ua bëjnë të vështirë sipërmarrjeve, që t’i zënë me punonjës të kualifikuar vendet vakante të punës. Po ashtu edhe punësimi i shtetasve të BE-së nuk do të jetë i mjaftueshëm, për të kompensuar mungesën e punonjësve të kualifikuar në tregun gjerman. Andaj, Gjermania për këtë arsye duhet të jetë shumë më efektive në tërheqjen e punonjësve të kualifikuar nga vendet e treta, apo vendet jashtë BE-së./koha.mk/