XHEVAT LIMANI ARTISTI QË RINGJALLI SKËNDERBEUN

Shkruan:
Dr. Bexhet Asani

Viti 2018 u shpall “Viti i Skënderbeut” nga qeveria e Shqipërisë, qeveria e Kosovës dhe në Maqedoni. Është 550 vjetori i shkuarjes në amshim i kryeheroit të shqiptarëve Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Trupa e teatrit shqiptaro-amerikan me në krye artistin dhe regjisorin Xhevat Limanin, vuri në skenë veprën e tij, poemën dramatike “Skënderbeu”. “Vitin e Skënderbeut” aktori i famshëm e nisi me arbëreshët e Kalabrisë dhe të Sicilisë. Le të ndalem pak këtu. Pse? – do të pyes dikush. Në çdo qytet dhe katund arbëresh në sheshe, në kisha, është i ngritur busti i Skënderbeut. Është aq i gjallë kujtimi për të, në zemrat arbëreshe edhe pas 550 vjetësh saqë ata me lot në sy, mendonin se Skënderbeu “me të vërtetë” ishte ringjallur. Aq origjinale dukej figura e konstrukti i Xhevat Limanit. Ushtonin sheshet e qyteteve të tyre duke brohoritur: Rroftë Skanderbegu! Rroftë Skanderbegu! Rroftë Skanderbegu!
“Viti i Skënderbeut” lirisht mund të shpallet “Viti i Xhevat Limanit”. Poemën e tij dramatike shqipërisht e shfaqi pothuaj në të gjithë Evropën dhe SHBA. I palodhuri Xhevat Limani gati çdo katër-pesë ditë në muaj jepte “Skënderbeun” e tij, me të cilin u mishërua fizikisht e shpirtërisht. Poema dramatike “Skënderbeu” zhvillohej në dy linja: për t’ i kujtuar Evropës plakë se Skënderbeu ishte mburoja e perëndimit nga hordhitë osmane dhe linja e dytë dhe më e rëndësishmja: të ringjallë dashurinë ndaj bëmave dhe luftërave heroike dhe t’ ua bëjë me dije bashkatdhetarëve të tij sesa e donte atdheun e tij Gjergj Kastriotit Skënderbeu, gjakut të tij të shprishur siç thonë arbëreshët, gjakut të tij të shpërndarë nëpër botë.
Mesazhi i veprës dramatike “Skënderbeu” të regjisorit Xhevat Limanit është ky: shqiptarët në tokën mëmë dhe kudo në diasporë duhet të jenë grusht bashkuar si në epokën e lavdishme të kryeheroit arbëror-shqiptar Skënderbeut, për një çerek shekulli rresht. Mesazhin duhet kuptuar drejtë: në çdo kohë rreziku ekziston, luftë ka pasur, ka dhe do të ketë përgjithmonë, sot ka luftë ekonomike, luftë politike, luftë kulturore, luftë (fatkeqësisht) kryqëzatash! Pikërisht këto luftëra, këto tri dekadat e fundit e zunë gafil popullin tonë. “Skënderbeu” i Xhevat Limanit desh perëndia do ta zgjojë popullin nga ky gjumë letargjik.
Trupën e teatrit shqiptaro-amerikan e kam ndjekur ku kam mundur si në Strugë, në qytetin e Kongresit dhe të konsujve në Manastir, në Gjirokastrën e Çerçiz Topullit, në Libohovën e Avni Rustemit etj,. natyrisht edhe në rrjetet sociale. Kudo që është shfaqur poema dramatike “Skënderbeu”, publikut artdashës i ka lënë mbresa të jashtëzakonshme, i cili e ka pritur me ovacione të stuhishme.
Skenografia dhe kostumografia të përgatitur me shije, e kthen pas publikun në kohë për gjashtë shekuj, me emblemat e fiseve arbërore, me kostumet aristokrate e luftarake të kohës – të Motit të Madh dhe kështjellat gjigante. Lëvizjet skenike të aktorit famëmadh Xhevat Limanit – të prijësit e mbretit arbëror Skënderbeu do të ngelin në kujtesën e publikut për shumë kohë. Muzika është e zgjedhur, e të kredh në oborret mbretërore të kohës, ku me zërin e saj brilant sopranoja e talentuar Era Hoxha, na paraqitet në rolin e Donikës, bashkëshortes së Skënderbeut.
Trupa e teatrit shqiptaro-amerikan me në krye aktorin dhe regjisorin Xhevat Limani e nisi “Vitin e Skënderbeut 2018” me poemën dramatike dhe ja po e përfundon me turneun e dytë anë e kënd Evropës dhe tokave arbërore, po me poemën dramatike “Skënderbeu”. NJë vit i sukseseve të mëdha i aktorit dhe regjisorit Xhevat Limani. Poema dramatike “Skënderbeu” është padyshim kryevepra e Xhevat Limanit. Me punën e tij titanike Xhevat Limani duhet të shpallet “Krenari e Kombit” nga qeveritë shqiptare.
Shqipërisht: Suksese të mëtejme i madhi Xhevat Limani! Me ty krenohet vatani!StrugaLajmStrugaLajm


Loading...
loading...