Zaev: “Maqedonia Veriore” dhe “Maqedonia e Epërme”, të papranueshme
Emrat ‘Maqedonia Veriore’ dhe ‘Maqedonia e Epërme’ janë propozime të papranueshme për partinë më të madhe opozitare, LSDM. Kështu është shprehur lideri i saj Zoran Zaev gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë në gjuhën maqedonase. Sipas Zaevit, “linja e kuqe” e Maqedonisë në këtë kontekst është negocimi vetëm për ndryshimin e referencës së përkohshme “FYROM” dhe jo për ndërrimin e emrit të shtetit, identitetit apo gjuhës.
‘Unë mendojë se për emrin tonë nuk mund të flitet kështu, Maqedoni e Epërme, Veriore ose diçka tjetër. Unë jam maqedonas, unë kam të njëjtat rrënjë sikur edhe çdo maqedonas tjetër, familja ime ka për qëllim të mbetet maqedonase në këtë vend dhe unë nuk do të lejojë as më pak e as më shumë nga çdo maqedonas që të heq dorë nga kjo! Linja e Kuqe është e qartë për të gjithë ne dhe unë besoj se nuk ekziston ndonjë politikan në Maqedoni i cili do të lejojë ndryshimin e identitetit tonë kombëtar, gjuhës sonë, kulturës dhe veçantisë sonë kombëtare. Ne po negociojmë për ndryshimin e referencës së përkohshme “FYROM” dhe jo për ndryshim të emrit, e këtu duhet të gjenden të gjitha aspektet se si t’ia dalim në këtë çështje’, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.
Duke komentuar zhvillimet e fundit, përfshi negociatat për emrin, Zaev ka thënë se nuk është i informuar për përmbajtjen e asnjë takimi, por u ka bërë ftesë udhëheqësve politikë në vend për ndërtimin e një strategjie të përbashkët.
‘Realisht ne nuk kemi asnjë gram informata. Në 5-6 muajt e fundit kemi propozime të reja: Qeveria ka dhënë përgjigje, kemi 2-3 takime që janë organizuar, nuk dimë asgjë dhe nuk është korrekte nga ana jonë që të pritet të dalim me qëndrim. Pikërisht, për këtë ne themi se ia zgjasim dorën pushtetit, e inkurajojmë atë dhe i bëjmë ftesë që bashkërisht të ndërtojmë një konsensus lidhur me këtë çështje dhe të jemi më të fortë para syve të Evropës’, u shpreh Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.
Lideri i LSDM-së Zoran Zaev është shprehur i gatshëm që të marrë pjesë në zgjedhje të parakohshme pasi, sipas tij partia që ai drejton ka tërësisht një ofertë të re për t’iu ofruar qytetarëve të Maqedonisë. Sipas Zaevit, deri tani ka pasur dy herë zgjedhje të parakohshme dhe ato nuk i sollën asgjë të mirë Maqedonisë. Ai thotë se LSDM-ja nuk do të lejojë dhe legjitimojë që në Maqedoni të organizohen sërish zgjedhje jodemokratike dhe jo korrekte. Valmir Kuçi