Zviceranët blejnë 36 avionë luftarakë të tipit F-35A, çmimi: 5 miliardë franga

Enver ROBELLI

Para dy javësh presidenti amerikan Joe Biden erdhi në Gjenevë për të takuar homologun e tij rus Vladimir Putinin. Gjatë takimit me presidentin e Zvicrës, Joe Biden loboi që Zvicra të blejë avionë luftarakë amerikanë të tipit F-35A. Sot qeveria e Zvicrës i propozoi parlamentit të miratojë blerjen e 36 avionëve luftarakë të tipit F-35A. Vlera e blerjes: 5 miliardë franga, afërsisht sa dy buxhete vjetore të Kosovës. Por nëse llogaritet edhe mirëmbajtja e avionëve luftarakë amerikanë, atëherë gjatë 30 viteve të ardhshme Zvicra do të harxhojë 15,5 miliardë franga.

Qeveria u arsyetua se oferta amerikane ishte më e lirë për dy miliardë se oferta e dytë. Për t’i shitur avionë luftarakë Zvicrës qenë angazhuar edhe këto firma: Airbus me avionin Eurofighter, Boeing me F/A-18 Super Hornet dhe Dassault me avionin Rafale.
Një pjesë e mediave zvicerane theksojnë se favorizimi i amerikanëve dhe injorimi i europianëve të cilët dëshironin t’ia shisnin Zvicrës Eurofighterin, mund të acarojë edhe më shumë raportet mes Zvicrës dhe Bashkimit Europian. Këto raporte janë tensionuar pas refuzimit të Zvicrës për një marrëveshje bilaterale me BE-në, e cila do të rregullonte ligjërisht raportet mes Zvicrës dhe BE-së. Shumica e zviceranëve refuzojnë hyrjen e vendit të tyre në BE.StrugaLajm

Njëkohësisht BE është tregu më i rëndësishëm i ekonomisë zvicerane. Për të pasur qasje në këtë treg, Zvicra para 20 viteve ka liberalizuar tregun e punës për shtetas të BE-së. Që nga atëherë numri i të huajve në Zvicër është rritur për 1,2 milionë persona, dy të tretat e tyre vijnë nga hapësira ekonomike europiane (27 vende të BE-së, plus Islanda, Norvegjia dhe Liechtensteini).
Përveç avionëve Zvicra do të blejë edhe 5 njësi të sistemit kundërajror “Patriot”. Prodhuesi Raytheon është po ashtu nga SHBA-të. Për këtë blerje Zvicra do të paguajë dy miliardë franga.StrugaLajm

Kritikët e blerjes së avionëve (socialdemokratët, të gjelbrit dhe GSoA, një OJQ që në fund të viteve 80-të madje kërkonte zhbërjen e ushtrisë së Zvicrës) kanë paralajmëruar se do të lansojnë një iniciativë kundër. Nëse arrijnë të mbledhin 100 mijë nënshkrime brenda 18 muajve, atëherë organizohet referendum dhe vendos populli direkt: për apo kundër blerjes!
Më 1977 Zvicra kishte 444 avionë luftarakë, më 1986 – 391, më 1990 – 282, më 1995 – 172, më 2000 – 168, më 2006 – 87, më 2021 – 55.

In : Aktuale, Rajoni

Loading...
loading...