ZYHDI BEJ OHRI (1870-1931) ,atdhetari i orëve të para të pavarësisë së Shqipërisë

Prof  Nebi Dervishi

Perkujtesë

ZYHDI BEJ OHRI (1870-1931) 

(me rastin e 154 vjetorit të lindjes)

Një ndër atdhetarët shqiptarë që e plotëson vargun e figurave atdhetare të të gjitha kohrave është Zyhdi Bej Ohri, një tjetër flamurtarë i Vlorës i dërguar prej viseve të Shqipërisë Lindore, i cili pa dyshimin më të vogël i takon plejadës së personaliteteve më të përmendura të kohës së tij, i cili sakrifikoi ç‘do gjë për të mirën e kombit shqiptar.

Zyhdi bej Ohri lindi në vitin 1870. Studiuesit, Bardhosh Gaçe dhe Eugen Shehu theksojnë se qyteti i lindjes është Ohri. Ndërkaq historiani turk Nexhip P. Alpan shënon se ka lindur në Turqi në qytetin Dijar Baker, në një familje me tradita arsimdashëse. Pas mësimeve që mori në vendlindje vijoi studimet në Robert kolegj të Stambollit për jurispodencë.

Pasi kreu studimet, në vitet 1898-1899 u përfshi në veprimtarinë e Lidhjes Shqiptare “Besa Besë” të Pejës. Shkoi në Dibër së bashku me Hamdi Bej Ohrin dhe u takuan me kryengritësit dibran. Vite më vonë në kujtimet e tij do të shkruante: “Kur shkova në Dibër u përpoqëm me Haxhi Zekën dhe krerët e tjerë të Lidhjes së Pejës “Besa – Besë”. Thoshin se Lidhja e Pejës ishte “Kuvend fetar musliman”. Kjo s’ishte e vërtetë, pse kjo Lëvizje Kombiare luftonte për forcimin e idesë kombiare. U bëmë anëtar të “Besa-Besës”, pse shiqonim rrezikun e copëtimit të trojeve shqiptare…”

Në verën e vitit 1897, Zyhdi Ohri shkoi në vendlindjen e prindërve të tij, në Ohër. Ndonëse pat marrë detyrë të punonte në administratën e lartë turke, nënprefekt i Vilajetit të Manastirit, ai vrapoi drejt Ohrit, pa përfillur ofiqet dhe çifligjet e premtuara nga Porta e Lartë. Ai vihet në krye të atdhetarëve shqiptarë të trevave të Ohrit, Manastirit, Prespës dhe Strugës, dhe së bashku me Hamdi Ohrin dhe Murat Sojliun, ngrenë çetat e para për të mbrojtur dhe vënë në jetë idetë e Kuvendit të Pejës. (23-29 janar 1899), i cili u mbajt në Hamam Xhami të Pejës. Në atë kuvend madhor, buçiti edhe zëri i Zyhdi Ohrit, i cili ndonëse 29 vjeçar, fitoi admirimin e trimave dhe besimin e madh të tërë bashkëkombasve të vet. Zyhdi bej Ohri në ditët e kuvendit të Pejës, u bëri thirrje miqve dhe bashkëluftëtarëve të vet të mos binin në ujëra të turbulla, duke u thënë se kuvendi nuk ka pikëpamje fetare dhe se ai drejtohet kundër serbëve dhe austriakëve si dhe ai ishte kuvend burrash për fatet e atdheut tonë.

Në tubimet e Lidhjes së Pejës “Besa-Besë”, duke folur në emër të burrave shqiptarë të trevave Lindore dha besën se do të luftonte me armë në dorë për të mos lejuar prekjen e trojeve etnike shqiptare.

Ishte në komisionin organizativ të protestave qe i’u dërguan sulltanit nga Dibra në tetor 1899, dhe demostratës që u bë në pazarin e këtij qyteti. Sipas detyrës që mori nga krerët e Lidhjes së Pejës, në nëntor 1899, nuk lejoi nënëpunësit e gjykatës të ushtronin pushtetin e tyre në Manastir. Ai kërkoi takim me komandantin e lartë ushtarak të Vilajetit të Manastirit dhe në formë të prerë i kërkoj atij të dëbonte nënpunësit turq të gjykatës, sipas vendimit të marrë në Pejë. Në të kundërtën , i tha këtij ushtaraku turk se populli i Manastirit, Strugës e Ohrit, do të sulmonte gjykatën. Përball këtij zemërimi të Zyhdi bej Ohrit, komandanti turk i garnizonit detyroi nënpunësit e gjykatës të largoheshin, duke i’u shmangur konflikteve ushtarake me popullsinë e këtyre trevave shqiptare. 

Në vitet 1903-1904, kishte bashkëpunim dhe korespondencë të rregullt dhe të ngushtë me Dervish Himën, Dr. Ibrahim Temon dhe Murat Sojliun, të cilët bënin përpjekje për ngjalljen e ndjenjave kombëtare.

Në nëntor 1905, në Manastir u formua “Komiteti i Fshehtë për Lirinë e Shqiptarisë”, që ishte organizatë politike-patriotike që udhëhoqi luftën e armatosur kundër sunduesve osmanë dhe qarqeve shoveniste fqinje. Organizata u formua me nismën e Bajo Topullit, ku morën pjesë edhe Halit Bërzeshta, Gjergj Qirjazi, Fehim Zavalani, Çerçiz Topulli, Mihajl Grameno, Nuçi Naçi, Zyhdi Ohri, etj, i cili formoi edhe nën komitete të fshehta edhe në Strugë e Ohër.

Është krejt me vend të citojmë një letër që Dr. Ibraim Temo, në pranverën e vitit 1905, i dërgon Zyhdi bej Ohrit, ku në mes tjerash ai shtonë: “I ndershmi Zyhdi! Jamë njohtuar për aq punë të mëdha që ju po kryeni për vatanin tonë. Megjithse ndodheni në rrezik të vazhdueshëm, askunë nuk është dëgjuar ndonjë fjalë ankimi nga goja juaj. Vegjëlia e Ohrit ka mundur një ditë me ia shpërblyer krejt mundin. Dhe jo vetëm vegjeli e Ohrisë por e tërë vilajeteve shqiptare.

Një kontribut të veçant Zydi bej Ohri do të jap edhe në mbarëvajtjen e punëve në Kongresin e Parë të Manastirit, më 14-22 nëntor 1908. Në shtëpinë e tij u strehuan të ftuarit e këtij kongresi, në mes të tjerëve Çerçis Topulli, Neim bej Gjirokastra, etj. Më 23 korrik 1909, Zyhdi bej Ohri mori pjesë në Kongresin e Dibrës, duke mbajtur anën e rrymës për mbrojtjen e alfabetit që doli nga Kongresi i Manastirit, kryesuar nga Dervish Hima me shokë. Një veprimtari të gjërë zhvilloi edhe në organizimin dhe mbajtjen e Kongresit të Dytë të Manastirit (1-3 prill 1910), si dhe bashkëpunoi ngushtë me atdhetarët që vepronin në Manastir, si Gjergj Qirjazin, Fehim bej Zavalanin, Sali Gjukën, etj. StrugaLajm

Në një dorëshkrim të Sali Gjukës vihet në dukje se: “Në Manastir do kombiar si Gjergj Qiriazi, Feim Zavalani e Zuhdi Ohërit përpiqeshin … në mbledhje të m[efta në shtëpi të Zyhdi Ohërit. Zyhdia ishte i urtë por energjik dhe me mejtime të mëdha”!

Sipas një raporti që konsulli austriak në Manastir i dërgonte Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë, në vitin 1909, vinte në dukje se: Gjuka, Kolonja, Zavalani dhe Ohri, kërkojnë çeljen e shkollave shqipe aty, për mbrothësinë e kombit të tyre”.

Në vitin 1910, Zyhdi bej Ohri ndërmer një udhëtim për në Sofje, e cila ishte kthyer në një çerdhe e atdhetarëve shqiptarë, ku veprimet për autonominë e shqipërisë sa vinin e zgjeroheshin duke përfshirë edhe komunitete të tjera shqiptarësh që ndodheshin në Bullgari. Atje u takua me atdhetarin dhe publicistin e shquar Josif Bagerin dhe financoi për botimin e gazetës “Shqypja e Shqypnisë që ai botonte në Sofje. Zyhdi bej Ohri, përpos financimit të gazetës të përmendur, mori përsipër edhe shpërndarjen e saj në Strugë, Ohër, Korçë, Starovë e Manastir duke kërkuar që ajo të lexohej dhe të shpërndahej për të çelur sytë e bashkëkombasve të vet. Në një prej letrave që Zyhdiu i shkruan Josif Bagerit, pasi pat marrë në duar disa numra të gazetës në fjalë, ai i drejtohet bashkëpatriotit të vet:” I dashur vëlla! I mora fletoret që më dërgove dhe i shpërndava ndër miq e shokë. Të hollat po t’i dërgoj me të shpejtë. Po ju them, se kjo fletore ka bamun përshtypje të fortë në vllazninë tonë”.

Më pas, në vitet 1911-1912 çeta atdhetare e Zyhdi Bej Ohrit ndërmori disa aksione luftarake kundër forcave të xhandarmërisë turke në rajonin e Ohrit, ndërsa në verën e vitit 1912, ai (Zyhdiu) në bashkëpunim me Hamdi Bej Ohrin, Abdulla Rushitin, Sali Gjukën, Nuri Sojliun e Beqir Agën zhvilluan një veprimtari të dendur për të ndihmuar dhe zgjeruar kryengritjen e përgjithshme, si dhe për t’i dalur zot vatanit. 

Për të gjitha sa u tha më lartë, në nëntorin e vitit 1912, ai zgjidhet njëzëri nga populli i Strugës dhe Ohrit si përfaqësues në ngritjen e flamurit në Vlorë dhe shpalljen e Aktit të Pavarsisë, së bashku me delegatët e tjerë nga ky rajon, si Dr. Murteza Ali Struga, Nuri Sojliu, Mustafa Baroti, Hamdi bej Ohrit, Ibraim Efendiu, Dervish Himës e Qazim bej Vlorës. Emri i Zyhdi bej Ohrit është i skalitur me shkronja të arta (në fund) në Aktin e Shpalljes së Pavarsisë. Për kontributin e madh që dha në Lëvizjen Kombëtare si dhe me pregatitjen profesionale që kishte, Qeveria e Përkohshme e Vlorës e kryesuar nga plaku mjekërbardhë Ismail bej Qemalit, e dalë nga Kuvendi i Vlorës e emëroi Zyhdi Bej Ohrin me detyrën e këshilltarit pranë kryetarit të senatit, Myfti Vehbi Dibrës. 

Në shtator të vitit 1913, me urdhërin e Ismail Qemalit shkoi në Elbasan, pranë prefektit Aqif  Pash Elbasanit, ku ndihmoi në organizimin e administratës dhe përballimin e reaksionit, ndërsa në janar të vitit 1920 mori pjesë në Kongresin e Lushnjës dhe mbështeti pa rezerva qeverinë e Suljman Delvinës.

Pas rënjes së qeverisë së Fan S. Nolit, në dhjetor të vitit 1924, Zyhdi bej Ohri kthehet në Dijar Baker në Turqi.

Historiani i njohur Nexhi P. Alpan, duke e njohur djalin e Zyhdi bej Ohrit, avokatin Suhat Zyhdi Ozalp shton se: “Mbretëria shqiptare deshi t’i lidhte një pension për kontributin që dha në Lëvizjen Kombëtare. Ai s’kishte pranuar, duke shprehur falemenderimet dhe kishte dhënë përgjegje se gëzonte pensionin e Turqisë. Zyhdi bej Ohri kishte thënë, shton historiani Nexhip P. Alpani – “Unë kisha nënshkruar pavarsinë e Shqipërisë për një ideal vllazëror humanitar dhe për nder të shqiptarëve me besë…”

Në vitin 1931, kur ende kishte për të thënë shumë gjëra, vdiq në Dijar Baker në moshën 61 vjeçare duke u lënë brezave të ardhshëm mesazhin e fuqishëm të atdhedashurisë. Kështu u mbyll jeta e këtij burri, e trimi nga Ohri, për të vazhduar të jetojë në kujtesën e popullit përgjithmon. 

10 Janar 2024

Strugë

In : Aktuale

Loading...
loading...