Agni Aliu, profesori nga Struga në një intervistë ndryshe!

Delvina KËRLUKU

Agni ALIU u lind më 10 qershor, të vitit 1960 në fshatin Dellogozhdë, Komuna e Strugës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse shkollën e mesme në gjimnazin “Vëllezërit Milladinovci” në Strugë. Studimet i vijoi në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, ku u diplomua  në vitin1988. Në vitin akademik 2000/01 filloi studimet pasuniversitare në  Fakultetin Juridik – Drejtimi Administrativo – Kushtetues të Universitetit të Prishtinës. Në vitin 2003 mbrojti me sukses tezën e magjistraturës: “Vetëqeverisja Lokale në Evropën Juglindore me vështrim në IRJM “ dhe me këtë mori titullin shkencor Magjistër i Shkencave Juridike. Që nga viti akademik 2002/2003 është angazhuar si asistent në lëndën “Struktura dhe metodat e vetëqeverisjes lokale”, në Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë. Në vitin akademik 2003/2004, ishte  i angazhuar si bartës i lëndës Struktura dhe metodat e vetëqeverisjes lokale dhe bartës i lëndës “Menaxhimi i punës në zyrë”. Në vitin akademik 2005/2006 dhe 2006/2007 ka qenë koordinator i punës praktike të studentëve në organet e pushtetit lokal deri në vitin akademik 2008/2009.  Në vitin 2008 mbrojti disertacionin e doktoratës me titull: “Procesi i decentralizimit dhe vetëqeverisja lokale në RM pas Marrëveshjes Kornize te Ohrit”. Gjithashtu, ushtron funksionin e kryetarit te Komitetit për mësimin klinik në FAP – SHK. Që nga viti akademik 2008 / 2009 është zgjedhë docent për lëndën: Struktura dhe metodat e qeverisjes lokale, në FAP dhe SHP në Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë, ku edhe tani vazhdon punën akademike. Që nga viti akademik 2013 / 2014 është zgjedhur profesor inordinar për lëndët: Hyrje në shkencat e administratës dhe lëndën – E drejta ekologjike në FAP dhe SHP në Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë ku edhe tani vazhdon punën akademike.  Ka ligjëruar edhe në Universtetin Shtetëror të Tetovës, Kolegjin Universitar Victoria, Kolegjin Universitar AAB, Kolegjin Universitar UBT – në Prishtinë. Ai bashkë me Esat Stavilecin ka botuar librin “Qeverisja lokale – njoftime themelore dhe shqyrtime krahasimtare . Gjithashtu ka publikuar edhe  një numër të konsideruar të punimeve shkencore, brenda dhe jashtë vendi.

KOHA: Si lindi dëshira për mësimdhënie dhe cili është kontributi juaj në arsimin shqip?

ALIU: Rrjedh nga një familje arsimdashëse, nga e cila kanë dalë një numër i konsiderueshëm arsimtarësh, profesorë të profileve të ndryshme dhe profesorë universitarë brenda dhe jashtë vendit, që nuk lë hapësirë që unë mos t’i përkushtohem arsimit edhe si pedagog. Pra, kjo nuk ka qenë dëshirë vetëm e imja, por edhe e familjarëve të mi, duke përfshirë këtu edhe bashkëshorten time si profesoreshë universitare. Personalisht konsideroj se kontributin më të madh njeriu ndaj kombit mund ta japë kryesisht përmes profesionit.

 KOHA: Ëndrra fillon me përkrahjen e mësuesit, i cili beson në Ju, u nxit e ju shpie në një dimension tjetër, nganjëherë ju ngacmon me një shkop të mprehtë të quajtur “e vërteta”. Si e përshkruani ju mësuesin tuaj, shkollën fillore?

ALIU: Shkollën fillore e kam mbaruar në vendlindjen time në fshatin Dollogozhdë të Komunës së Strugës. Arsimtarin e parë e kam pasur zotin Lefter Dauti, i cili me virtytet e pedagogut të shkëlqyer dhe urtinë e tij te unë ka ndikuar shumë pozitivisht që të ngritem në aspekt arsimor. Një gjë të tillë e kanë vazhduar edhe plejada e arsimtarëve të gjeneratës më të përkushtuar për ngritjen e arsimit shqip në përgjithësi.

KOHA: Të gjithë njerëzit nga natyra dëshirojnë dituri. Edhe Ju keni ikur larg vendlindjes për të nxënë dituri. Cili është rrëfimi juaj i jetës studentore?

ALIU: Pas mbarimit të gjimnazit në Strugë, u regjistrova në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Atëbotë fakulteti ynë ishte një ndër fakultetet më të mira të ish Federatës jugosllave. Aty ligjëronin një plejadë e profesorëve me renome ndërkombëtare si: Akademik Gazmend Zajmi, Esat Stavileci, Surija Pupovci, Kurtesh Saliu, Bardhyl Caushi, Ragip Halili, Faik Brestovci, etj. Edhe sot ndihem krenar që kam qenë student i këtyre Pedagogëve, të cilët kanë kontribuar që unë të jem ky që jam sot. Po në të njëjtin Fakultet të Universitetit të Prishtinës, regjistrova studimet e magjistraturës në drejtimin administrativo – kushtetues, ku mbrojta tezën e magjistraturës me titull: “Vetëqeverisja lokale në Evropën Juglindore me vështrim në IRJM “ para komisionit në përbërje: Prof. Dr. Kurtesh Saliu – kryetar komisioni, Prof. Dr. Esat Stavileci – mentor dhe Prof. Dr. Arsim Bajrami – anëtar. Ndërkaq studimet e doktoratës i regjistrova në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë në Fakultetin e Administratës Publike dhe Shkenca Politike, ku mbrojta tezën e doktoratës me titull: “Procesi i decentralizimit dhe Vetëqeverisja Lokale në RM pas Marrëveshjes Kornizë të Ohrit”, para komisionit në përbërje : Prof. Dr. Esat Stavileci – kryetar, Prof. Dr. Etem Aziri – mentor ,Prof. Dr. Bajram Pollozhani – anëtar, Prof. Dr. Zoran Mateski – anëtar, Prof. i Assoc. Zemri Elezi.

KOHA: Shkollat e larta shqiptare përballen sot me një serë problemesh dhe nevojë për reforma të efektshme. Për përmirësimin e gjendjes aktuale çfarë nevojitet?

ALIU: Për fat të keq, problemet e arsimit të lartë nuk janë evidente vetëm në shkollat e larta shqiptare. Është e vërtetë që gjendja në ato është shumë e rënduar, por kjo vjen si rezultat i mosfunksionimit institucional të tërë shtetit në tërësi. Arsimi i lartë ballafaqohet me një mori problemesh, si mungesa e mjeteve financiare (shpërndarja jo e drejtë krahasuar me arsimin e lartë në gjuhën maqedonase), edhe pse taksapaguesit më të mëdhenj në R. e Maqedonisë janë shqiptarët. Mungesa e kuadrove adekuate në lëmi të ndryshme (pranimi pa konkurs i kuadrove dhe largimi nga puna i kuadrove të përgatitura profesionalisht), si rezultati nivelit të lartë të korrupsionit të organeve udhëheqëse të universiteteve, ofrimi i disa plan programeve mësimore që nuk përkojnë me zhvillimin dhe nevojat e arsimit bashkëkohor. Mungesa e bashkëpunimit të mirëfilltë të universiteteve brenda dhe jashtë vendit. Menaxhimi jo i drejtë me bursa të studentëve, në radhë të parë bursave meritore sipas suksesit të lartë, pastaj edhe bursave sociale, shkalla e lartë e partizimit të universiteteve, etj. Si rezultat i këtyre mungesave në arsim, duhet të bëhen reforma të mirëfillta ku pjesëmarrës të jenë edhe pedagogë të dalluar nga universitetet shqiptare, sidomos në ndryshimet aktuale të Ligjit mbi arsimin e lartë në R.M.StrugaLajm

KOHA: Duhet të kuptojnë se kur ne qëndrojmë së bashku, gjithmonë do të fitojmë. Kur burrat dhe gratë qëndrojnë së bashku për drejtësi, fitojnë. Kur njerëzit e zi e te bardhë qëndrojnë së bashku për drejtësi, ka fitore. Shqiptarët çfarë duhet t’i gëzohen në Maqedoni?

ALIU: Qe bashkimi bën fuqinë, është vërtetuar historikisht, por për fat të keq kjo ndjenjë e bashkimit dhe bashkëpunimit nuk është në nivelin e duhur tek ne shqiptarët. Unë mendoj se gjendja e shqiptarëve në përgjithësi dhe në veçanti në R. e Maqedonisë është larg një gjendje reale e dëshiruar. Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë asnjë arsye të vetme për t’u gëzuar, por ato duhet që bashkërisht t’i kthehen punës dhe me projekte të përbashkëta të realizojnë liritë dhe të drejtat elementare (natyrore) në R. e Maqedonisë. Si mund të gëzohesh kur në R. e Maqedonisë në periudhën e pas viteve 1990 shqiptarët privohen nga jeta në rrugë, në institucione, në shtëpi dhe askush nuk jep përgjegjësi, shqiptarëve u mohohet e drejta për jetë, e drejta për përkatësi kombëtare, e drejta për përkatësi religjioni, e drejta e pronës, e drejta e punës, e drejta për të jetuar te mjedis jetësor të pastër duke jetuar në një shtet të ashtuquajtur “Shtet demokratik dhe i sundimit të së drejtës” Republika e Maqedonisë.

KOHA: Nëse tani nuk mund t’u japim fund ndryshimeve tona, të paktën mund të ndihmojmë ta bëjmë botën më të sigurt për diversitet”?

ALIU: Angazhimi i shqiptarëve për ndryshimet e domosdoshme në R e Maqedonisë duhet të jetë maksimal. Tani është koha ku jo vetëm shqiptarët, por edhe popujt tjerë që jetojnë në RM, kanë mbështetjen e faktorit ndërkombëtar. Kjo ndihmë e ofruar duhet të shfrytëzohet patjetër për të dalë nga errësira që jemi duke jetuar.

KOHA: Sa më shumë lexojmë për politikën, aq më shumë arrijmë të pranojmë se çdo parti është ndryshe njëra nga tjetra. Ju si i shihni partitë politike në Maqedoni?StrugaLajm

ALIU: Partitë politike në R. e Maqedonisë e kanë humbur kuptimin e vërtetë të funksionimit të tyre. Duke mos kryer funksione që ju takojnë, që nënkupton udhëheqjen e mirëfilltë të politikave përparimtare ato kanë partizuar institucionet shtetërore dhe kanë krijuar klane të veçanta për të mbrojtur interesat e tyre klanore dhe personale.

KOHA: Historia e vërtetë e Maqedonisë do të jetë e shkruar, vetëm kur ajo do të shkruhet me pjesëmarrjen e shqiptarëve?

ALIU: Historia e vërtetë e Maqedonisë është e shkruar dhe ajo gjendet në arkivat e Romës, Parisit, Vjenës, Berlinit, Budapestit, Beogradit, Zagrebit, Tiranës, Sofjes, Athinës, Stambollit, etj. Por, shtrohet pyetja se kur do të bëhen të ditura në R. e Maqedonisë.

KOHA: Në vitin 1991, autoritetet miratuan një strategji të centralizimit të pushtetit në mënyrë që të forcojnë kontrollin e tyre mbi të gjithë territorin. Kjo strategji u përmbys pas konfliktit të vitit 2001 dhe Marrëveshjen e Ohrit. Ku jemi tani?

ALIU: Për fat të keq, konstatimi i juaj në pyetjen e shtruar nuk përkon me realitetin, për faktin se Maqedonia edhe sot është shteti më centralist në Evropë. Po të ishte ndryshe, Maqedonia nuk do të ishte në gjendjen që është sot. Marrëveshja e Ohrit ka vetëm një pikë që është realizuar plotësisht, ndërprerjen pa kushte të zjarrit ( konfliktit ), ndërsa pikat tjera jo vetëm që nuk ishin shtruar për t’u zgjedhur në mënyrë meritore, por ato u realizuan vetëm pjesërisht.

KOHA: Sa fuqi kanë komunat që udhëhiqen sidomos nga shqiptarët në vendim-marrjen lidhur me zhvillimin ekonomik lokal, mbrojtjen mjedisore të zhvillimit dhe natyrën, kulturën, planifikimin urban, sport, mirëqenien sociale dhe mbrojtjen e fëmijëve, dhe se arsimi?

ALIU: Jo vetëm komunat shqiptare, por edhe komunat me shumicë të popullatës maqedonase ballafaqohen me vështirësi për zgjidhjen e këtyre problemeve, për shkak se janë komuna të një shteti centralist. Në organizimin dhe funksionimin e komunave ndikojnë: niveli i ulët i bashkëpunimit të subjekteve politike në RM, Mos gatishmëria e subjekteve politike maqedonase për zgjidhjen e çështjeve ndëretnike, mos përcaktimi i një kufiri real ndërmjet organeve të pushtetit qendror dhe organeve të pushtetit lokal (caktimi i kompetencave), partizimi i pushtetit qendror dhe atij lokal (vënia e interesave partiake mbi interesat shtetërore), personalizmi i interesave partiake dhe shtetërore. Shkalla e lartë e korrupsionit. Ngecja e reformave në drejtësi. Shkalla e ulët e sigurisë në Republikën e Maqedonisë. Paaftësia për gjetjen e skemave për shfrytëzimin racional të mjeteve financiare nga fondet e ndryshme ndërkombëtare dhe vendore, paaftësia për zgjidhjen e gjendjes së rëndë ekonomike, përgatitja jo e duhur e personelit administrativ, mos-kompletimi i nevojshëm me teknologji bashkëkohore të mjeteve të komunikimit (informatikës). Ngecja e reformave të procesit zgjedhor. Zvogëlimi i vendeve të punës dhe paaftësia për hapjen e vendeve të reja për punë. Përfaqësimi joadekuat i pjesëtarëve të nacionaliteteve në administratën shtetërore.

KOHA: Kur drejtësia është bërë, kjo është një gëzim për të drejtin, por terror për keqbërësit?

ALIU: Natyrisht, të drejtët arrijnë atë që u takon ndërsa, keqbërësit ndëshkohen me sanksione që i meritojnë.

KOHA:  Kur ju mësoni birin tuaj, ju mësoni djalin e djalit tuaj?

ALIU: Nëse nisemi nga fjala e urtë “dardha pikon nën dardhë”, atëherë konstatimi Juaj është i drejtë dhe i vërtetë.

KOHA: Familja, vendlindja dhe shkenca, çfarë janë për Ju?

ALIU: Familja është gjëja më e shtrenjtë për mua. Edhe pse jeta, si gjithë shqiptarëve, na ka detyruar shpeshherë të jetojmë larg njëri tjetrit. Unë pranë familjes ndjehem i gëzuar dhe i plotë. Sukseset e mia në jetë janë të lidhura ngushtë me përkrahjen e familjes. Edhe pse me probleme të shumta ekonomike me punë dhe përkushtim, me bashkëshorten kemi arritur që të arsimohemi dhe sot të jemi që të dy pedagogë në Universitet. Dëshiroj që edhe dy djemtë e mi, Flakrimi ( doktorant i Teknologjisë ushqimore dhe te ushqyerit) dhe Shendriti (absolvent në FSHMN – Gjeografi ), të ndjekin rrugën e prindërve. Jam i lidhur ngushtë me vendlindjen. Kujtimet e fëmijërisë nuk më lënë gjatë pa vizituar vendlindjen dhe të afërmit e mi. E vërteta është një çështje shumë e çmuar prandaj dhe shkenca është shumë e vlefshme, sepse përmes asaj arrihet deri tek e vërteta.

In : Aktuale

Loading...
loading...