Reklamo këtu!



Gazetaria dhe plehu politik. Pse të gjithë ne gazetarët duhet të jemi Naser Selmani?

Shkruan: Emad MEHMETI

Çdokush që merret me gazetari si ne, e di që gazetaria është një mision fisnik, edhe pse në të shumtën e rasteve me rreziqe të shumta. Gazetaria nënkupton guximin për të thënë të vërtetën, edhe në çastet kur shumëkujt mund t’i mos i pëlqej, edhe atëherë kur e dimë se me thënien e të vërtetës mund të rrezikojmë shumë. Gazetaria pra, është diçka që nëse nuk e ndjen, më mirë lëre fare. Nëse nuk posedon guximin njerëzor e qytetar, as mos u merr me këtë profesion, ngaqë do përfundosh si njeri që edhe kokën e ka dhënë me qira.

Kryetari i SHGM-së, njëherit autori i emisionit “Pa teklif” në Almakos, Naser Selmani, së fundmi është përballur me akuza dhe kërcënime të drejtpërdrejta nga funksionarë të BDI-së. E të cilët ‘banditë’ partiak zbrapsen vetëm në momentin që shohin se ne jo vetëm se jemi të shumtë, por edhe të paluhatshëm në përmbushjen e misionit – për t’i nxjerrë të palarat e të gjithë të ndoturve para publikut.

Kjo mund t’u djeg atyre, por neve na intereson vetëm shpalosja e të vërtetës. Populli duhet ta dijë se si plehu politik i partive shqiptare në Maqedoni, më së lehti e ka kur kërcënon dhe keqtrajton shqiptarin, se shumë nga të ‘vlefshmit’ tanë në të vërtetë besojnë se atë që nuk ke në kokë mund ta kompenzosh me muskuj. Me çka edhe aq rriten mendsh sa besojnë se e kanë në dorë edhe gazetarin, dhe e kanë të pa mundur ta kuptojnë se nuk ka forcë, që do mund të na ndalë e të na pengojë të themi lirshëm të vërtetën.

Prandaj, të gjithë “banditëve partiak” duhet thënë zëshëm e qartë: larg duart nga gazetarët dhe gazetaria, sepse ne nuk jemi prej atyre që heshten me çfarë do lloj mjeti që mund ta përdoret kundër gazetarëve. Siç duhet t’u thuhet hapur – të gjithë ne jemi Naser Selmani.